Ndërlidhjet

Haziri: Qeveria të reagojë ndaj ndarjes së Kosovës


Lutfi Haziri
Lutfi Haziri

“Në veri vazhdon tendenca e ndarjes funksionale që çon kah ndarja territoriale, çka është shumë e rrezikshme, dhe Qeveria duhet të reagojë në këtë çështje”, thotë Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, nga sot, shefi i UNMIK-ut ka filluar një aktivitet që thuhet se është pjesë e përpjekjeve për integrimin e serbëve dhe shuarjen e strukturave paralele. Mirëpo, ku qëndron në anën tjetër angazhimi i Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, sidomos pas fuqizimit të Kushtetutës?

LUTFI HAZIRI
Ju keni të drejtë, Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë garant i tërësisë territoriale dhe Qeveria – si institucioni më i lartë ekzekutiv – duhet të kujdeset në parime jo vetëm ditore, por parime politike të vendosjes së institucioneve, funksionalitetit dhe qetësisë në tërë territorin e Republikës.

Atje kemi të bëjmë me një problem etnik, i cili në vazhdimësi ka shkaktuar tensione. ‘De facto’ artificialisht është filluar me ndikime politike në Serbi dhe po vazhdon me probleme të tilla.

Vetë fakti që serbët e Kosovës në veri kanë refuzuar tre plane konkrete të integrimit të kësaj pjese në jetën e Kosovës, tregon qartë se po vazhdon tendenca e asaj që quhet ndarje funksionale drejt një ndarjeje territoriale që është shumë e rrezikshme.

Qeveria e Kosovës duhet ta konstatojë këtë gjendje, duhet të marrë masa politike, absolutisht mjete politike, që u sigurojnë njerëzve jetë më të mirë, qasje, integrim të garantuar, për ofertën që Beogradi sot e ka manipulative ndaj tyre, tendencioze, konfliktuoze dhe problematike.

Duhet durim edhe nga populli i Kosovës, por duhet një plan i qartë, një rrugë, një hartë pune, në të cilën akterët kosovarë udhëheqin, ndërsa ata ndërkombëtarë ndihmojnë procesin. E jo siç ka qenë deri më tash, ndërkombëtarët kanë udhëhequr e vendorët kanë qenë ndihmës të tyre, por nuk është arritur një progres i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët ndarjen funksionale që mund të çojë kah ndarja territoriale. Çka mund të ndërmerret tani, në këtë fazë, që kjo të parandalohet, marrë parasysh edhe sfidat që paraqiten në Kosovë, tani kur ka ngatërrim misionesh ndërkombëtare?

LUTFI HAZIRI
Serbia, planin për ndarje funksionale e ka humbur në procesin negociator të Vjenës. Atë plan më herët e ka humbur në koloaret e kancelarive, që ka pretenduar ta imponojë nën tavolinë si zgjidhje konkrete për Kosovën.

Nga dy humbje që i janë shkaktuar Serbisë në planin ndërkombëtar, ajo tashmë përfundimisht ka vendosur që në planin e brendshëm, në planin praktik të ndërhyjë në territorin e Kosovës, në sovranitetin e Kosovës dhe ta imponojë si fakt të kryer, që mund të sjellë konsekuenca ‘de jure’ më vonë.

Ajo që duhet të bëjmë ne është se duhet ta demaskojmë këtë plan deri në fund. Është plan i njohur për politikën e Kosovës, është plan i studiuar nga politika e Kosovës. Nuk duhet të sillemi si ndaj një dokumenti që sot ka ardhur dhe sot po shihet; absolutisht jo. Kam përshtypjen që ndaj këtij plani nuk ka reagim të domosdoshëm.

Misionet ndërkombëtare që janë të përcaktuara me Kushtetutë, kanë vend në Kosovë, ndërsa ato që Kushtetuta nuk i njeh, gradualisht duhet ta bëjnë strategjinë ndarëse nga Kosova. Ashtu siç kanë hyrë me një rezolutë, ato duhet të dalin tash me hapa të tjerë.

Kushtetuta e Kosovës e njeh misionin e EULEX-it, atë të Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe të forcave të NATO-s. Këto tri struktura nën një komandë evropiane dhe në bashkërendim me institucionet e Kosovës qëndrojnë legalisht në Kosovë. Pjesa tjetër mund të quhet paralele, mund të quhet e panevojshme dhe mund të quhet si një mision i kryer.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa besoni ju që Qeveria e re në Beograd mund ta ndërrojë këtë kurs politik ndaj Kosovës, duke pasur parasysh se shumëkush e ka quajtur atë si qeveri pro-evropiane?

LUTFI HAZIRI
Të gjithë ne që jetojmë në fqinjësi me Serbinë dhe si shteti më i ri në Evropë, kemi shpresuar në një demokratizim të Serbisë. Kemi besuar që do të vijnë forca pro-evropiane atje, larg asaj që unë mund t’i konsideroj forca evropiane, larg asaj që qoftë në politika kadrovike, qoftë në politika të Serbisë aktualisht.

Edhe në programe pune ka deklarime, ka politika deklarative pro-evropiane, por veprimet, masat, angazhimet politike të tyre janë të vjetra, janë metoda të vjetra, forma të vjetra.

Vetë fakti se prioritet numër dy i Serbisë mbetet Kosova dhe pengimi i Kosovës që të zhvillohet si shtet sovran dhe në fqinjësi me Serbinë, tregon qartë se ata kanë bërë vetëm një lëvizje të vogël, që mund të quhet lëvizje mashtruese, për t’i atraktuar qendrat evropiane, por në thelb politika është e vjetër.

Besojmë se do të vijë koha që Serbia do të detyrohet e jo të pritet që të demokratizohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër që ka të bëjë me Qeverinë e Kosovës dhe koalicionin aktual. Është përfolur shumë se incidenti i fundit në Kuvend ka ndikuar në lëkundjen e themeleve të koalicionit PDK-LDK. Sa ju e vëreni një gjë të tillë?

LUTFI HAZIRI
Incidenti i fundit në mes të dy deputetëve që janë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar të dy partive tona, i ka nxjerrë njollë punës, angazhimit dhe motiveve për ndërtimin e këtij koalicioni.

Unë mendoj se gjithçka duhet të vendoset në tavolinë në mes të partnerëve, gjithçka duhet me dialog, ashtu siç ka kërkuar presidenti si garantues i Kushtetutës dhe funksionalitetit të shtetit, të vazhdohet të punohet në zgjidhjen e problemeve.

Interes i të gjithë neve është që Qeveria të jetë efikase në realizimin e programit qeveritar, që Parlamenti t’i bashkërendojë punët me Qeverinë në miratimin e agjendës legjislative, përfshirë edhe diplomacinë parlamentare për ta ndihmuar njohjen e shtetit dhe për t’i përballuar krejt këto sfida që Kosova po i kalon në këtë fazë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, në gjithë këto zhvillime politike, duke pasur parasysh edhe rezultatin e treguar në zgjedhjet e fundit dhe tani pezullimin e postit të kryetarit të LDK-së nga ana e presidentit Sejdiu, sa konsideroni se LDK-ja ka nevojë edhe për reforma, edhe zgjedhje të brendshme partiake?

LUTFI HAZIRI
Po, keni të drejtë, LDK-ja ka sjellë një vendim të domosdoshëm për veten e saj; ka të bëjë me vendimin për reformimin e plotë të LDK-së. Në kushte të reja, pas 17 shkurtit dhe duke u bazuar edhe në rezultatin e fundit zgjedhor, LDK-ja ka miratuar një agjendë vjetore, orientimet programore në rrugën në të cilën do të lancohet.

Reformat në partitë politike janë procese të mëdha, të ndjeshme. Ne po punojmë me kujdesin maksimal që t’i evidentojmë, t’i detektojmë të gjitha problemet në këtë ecjen tonë 18 vjeçare që kemi pasur, duke mos injoruar asnjëherë rezultatin kapital që kemi mbërritur dhe të përgatitet lidershipi që do ta marrë udhëheqjen e LDK-së për një Kosovë evropiane, për një agjendë evropiane, për integrime euroatlantike dhe për prosperitet ekonomik.

Sigurisht se sfida ka. Kushtetuta e limiton presidentin të ushtrojë funksione partiake, por nuk e limiton të jetë lider i LDK-së. Atë detyrë, derisa nuk kemi zgjedhje tjera, e ka të njohur nga LDK-ja dhe lidershipi si pjesë e strukturës së brendshme po vazhdon t’i punojë këto agjenda.
XS
SM
MD
LG