Ndërlidhjet

Zannier: Bisedimet për statusin kanë përfunduar


Lamberto Zannier

Lamberto Zannier

"Bisedimet për statusin kanë përfunduar; tash duhet lëvizur kah zgjidhja e problemeve tjera", ka thënë sot në veri të Mitrovicës kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Ai tha se pret nga Qeveria e re e Beogradit një qasje konstruktive karshi çështjes së Kosovës.

Në takimet e para me përfaqësuesit serbë në veriun e Mitrovicës, kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka bërë të qartë se bisedimet për statusin e Kosovës tashmë kanë përfunduar.

"Bisedimet për statusin kanë përfunduar dhe tash po lëvizim kah rrethana të tjera, kah zgjidhja e problemeve", ka thënë Zannier pas vizitës së parë që i bëri veriut të Kosovës, që kur është emëruar në krye të UNMIK-ut.

Ai, në një konferencë për media të mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës, ka sqaruar rolin që do të ketë si shef i UNMIK-ut dhe ndihmën që do t'u japë bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë kuadër, Zannier ka pohuar se nga Qeveria e re e Beogradit pret një qasje konstruktive karshi çështjes së Kosovës.

"Të ulemi dhe të diskutojmë çështjet dhe shpresoj se do të gjejmë formë të mirë komunikimi. Jam i sigurt se ekzistojnë të gjitha parakushtet për këtë. Nuk e shoh veten si partner të Qeverisë, por e shoh veten si ndihmues në dialogun mes Qeverisë serbe dhe asaj të Kosovës", ka vlerësuar Zannier në fund të vizitës, gjatë së cilës ka takuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike që veprojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ai sërish ka shprehur gatishmërinë që të vizitojë Beogradin, vizitë kjo e cila do t'i hapte rrugë fillimit të dialogut për çështje teknike mes Prishtinës e Beogradit, të cilin e parasheh plani për rikonfigurim i Ban Ki-Moonit.

Në anën tjetër, serbët i kanë bërë me dije kreut të ri të UNMIK-ut se nuk janë të gatshëm ta pranojnë shtetin e ri të Kosovës.

Koordinatorja e partisë G17 plus për Kosovën, Stojanka Petkoviq, ka deklaruar se për serbët bisedimet për statusin nuk kanë përfunduar.

"Ne, nga ana jonë, kemi theksuar se për ne statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe presim bisedime të mëtejme. Ne nuk pajtohemi dhe nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës, por në përputhje me Rezolutën 1244 do gjejmë një zgjidhje afatgjate kompromisi"
, tha Petkoviq.

Ndryshe, vizitës se sotme të Zannierit në veri i ka paraprirë takimi i djeshëm i tij me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

Zoti Rexhepi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka shprehur shqetësimin e tij se situata e sigurisë në Mitrovicë mund te eskalojë nëse nuk zgjidhet problemi i Suhodollit, ku dy herë radhazi ka pasur përleshje mes shqiptareve dhe serbëve.

"Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje e këtij projekti për ujësjellës, UNMIK-u ka hapësirë që për katër ditë të gjejë një zgjidhje të arsyeshme, sepse është artikull vital për qytetarët. Mundësia e përsëritjes ekziston dhe situata mund të dalë jashtë kontrollit", tha Rexhepi.

Serbët lokalë nuk lejojnë që të zbatohet projekti i Komunës së Mitrovicës për ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat shqiptare në veri. Kanali i ujësjellësit duhet të kalojë nëpër prona të tyre, gjë kjo e cila kontestohet, meqë serbët lokalë duan që Komuna e Mitrovicës të marrë leje për këtë nga strukturat paralele serbe.

Përfaqësues të institucioneve qendrore i quajnë këto veprime si pjesë të provokimeve që gjenden në veri. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë sot se nuk duhet lejuar që komunitetet në veri të hyjnë në një periudhë të zënkave dhe konflikteve që mund të kenë përmasa tjera.

XS
SM
MD
LG