Ndërlidhjet

“Statusi i Kosovës ka marrë fund”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, është rezervuar që ta vlerësojë si të pavend vendimin e shefit të UNMIK-ut për ndaljen e punimeve të ujësjellësit në Suhadoll, gjegjësisht në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo nuk ka shprehur kënaqësi për një veprim të tillë të shefit të UNMIK-ut. "Do të ketë nevojë që të komunikojmë më shumë. Me rëndësi është që proceset që kanë të bëjnë me sigurinë, të studiohen mirë, dhe ne e çmojmë ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, është shumë e rëndësishme të potencohet se Kosova nuk mund të mbetet peng i tekeve dhe i provokacioneve të ndryshme", tha presidenti Sejdiu. I pari i vendit i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë Maris Riekstshinsh. "Falënderova ministrin e Letonisë për reagimin e shpejtë në vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës", tha Sejdiu, duke ftuar biznesin letonez që të investojnë në Kosovë...

LAJM
Në një kohë kur strukturat paralele serbe kanë filluar funksionimin në Kosovë, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që në seancën e radhës të debatojë për këtë çështje. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili do të mblidhet të martën, më 15 korrik, në seancën e fundit plenare para pushimeve të verës, krahas shqyrtimit të disa ligjeve, në lexim të dytë do të shqyrtojë edhe një mocion të ngritur nga deputeti Driton Tali, për nxjerrjen e një deklarate kundër formimit të strukturave paralele komunale serbë në Kosovë. Vendimin për këtë seancë plenare e mori të martën Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një takim të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare. Në këtë takim të anëtarëve të Kryesisë, i është dhënë mbështetje mocionit të deputetit Tali, lidhur me strukturat paralele, por kundërshtuan mocionin tjetër të tij, për nxjerrjen e një deklarate lidhur me përmbajtjen e letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut...

EXPRESS
Prishtina dhe Beogradi sërish duhet të hapin negociata, pasi që pakoja e Martti Ahtisaarit nuk ofron zgjidhje për serbët e Kosovës. Kështu thotë Rangjel Nojkiq, përfaqësues serb nga radhët e Partisë Serbe të Ripërtëritjes (SPO), i cili sugjeron se objekt i negociatave duhet të jetë edhe çështja e statusit të Kosovës. Gjatë një debati në qendrën mediale në Çagllavicë, Nojkiq ka shfaqur qëndrime të kundërta me përfaqësuesin e Zyrës Ndërkombëtare Civile për çështje të komuniteteve, Rapahael Naegeli. Nojkiq ka thënë se me anë të këtyre negociatave duhet të gjenden instrumentet për mbrojtjen e serbëve të Kosovës, pasi sipas tij, me pakon e Ahtisaarit kjo nuk është e mundur. Nëse nuk ndodhin këto bisedime, veriu i Kosovës do të ndodhë edhe në pjesët tjera ku ka serbë, thotë Nojkiq. Ai ka rikujtuar fjalimin e kryeministrit të ri të Serbisë, Mirko Cvetkoviq, i cili po ashtu është angazhuar për hapjen e bisedimeve me Prishtinën. Nojkiq thotë se edhe statusi, edhe tema si decentralizimi, duhet të diskutohen...

ZËRI
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, u ka thënë liderëve të serbëve të veriut të Kosovës se bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar. Ai ka realizuar dje vizitën e parë në pjesën veriore të Kosovës prej se ka marrë postin e drejtuesit të misionit të OKB-së në Kosovë, në një kohë kur janë shpeshtuar incidentet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës. Për ta mbajtur këtë takim, Zanier është dashur që të hyjë në ndërtesën e komunës në pjesën veriore të Mitrovicës, në të cilën serbët kane vendosur organet e zgjedhura më 11 maj në votimet, të cilat vetë UNMIK i ka cilësuar "të paligjshme dhe të papranueshme". "Bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar dhe tani duhet të kthehemi në një rreth tjetër dhe ato janë problemet e vërteta të cilat duhet t'i zgjidhim", ka thënë Zanier në pjesën veriore të Mitrovicës pas takimeve që ka zhvilluar me liderët serbë...

BOTA SOT
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha të martën se mund të bisedojë me qytetarët serbë për të gjitha problemet, por jo edhe me strukturat paralele që janë shpallur ilegale nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe UNMIK-u. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me komandantin e Brigadës Shumëkombëshe në Veri, gjeneralin Claudy Mathey, me të cilin bisedoi për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, me theks të veçantë në veri. Gjenerali Mathey tha se gjendja në përgjithësi duket e qetë dhe nuk ka incidente të mëdha dhe për këtë lavdëroi sjelljen e pjesëtarëve të policisë, ndërsa përmendi si rast që rrezikon të destabilizojë situatën gjendjen e krijuar në Suhadoll pas përleshjeve ndërmjet banorëve të të dyja komuniteteve. "Në atë pjesë gjendja ka qenë mjaft e tendosur dhë kjo nuk është pasqyrë e mirë për Mitrovicën. Duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme pa pasur incidente", tha ai...

KOHA DITORE
Ministri i porsazgjedhur serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka thënë se politika e kësaj ministrie në të ardhmen do të jetë e koncentruar në zgjidhjen e problemeve konkrete të njerëzve që jetojnë në Kosovë. "Ne do të bëjmë çmos që kjo ministri të merret me çështje jetike, shumë më shumë në terren sesa në Beograd. Ideja është që me problemet e serbëve në Kosovë dhe me çështjen e Kosovës të merren njerëzit nga ky rajon. Disa pjesë të caktuara të ministrisë dhe qendrës koordinuese do të jenë në Kosovë e Metohi, ndërsa atje do të jenë rregullisht të pranishëm sekretari shtetëror dhe dikush nga ndihmësit", ka thënë Bogdanoviq për agjencinë serbe të lajmeve "FoNet". Ministria që ai udhëheq, sipas Bogdanoviqit, "nuk do të merret me çështjet e statusit dhe me luftën diplomatike, pasi që kjo është diçka me të cilën do të merren kryetari i Serbisë, kryeministri, Qeveria e Ministria e punëve të Jashtme". "Nuk duam ta udhëheqim politiken e jashtme, por do të merremi me problemet jetike te bashkësisë serbe në Kosovë e Metohi”...

EPOKA E RE
Ambasadori britanik në Beograd, Stiven Uorsdvort, shpreson që Serbia do ta rishqyrtojë vendimin për bojkotin diplomatik ndaj vendeve që e kanë njohur Kosovën. Diplomati britanik ka thënë se e kupton thellësinë e emocioneve që ekzistojnë në Serbi në lidhje me vendimin e vendit të tij që ta njohë pavarësinë e Kosovës. "Megjithatë, konsiderojmë se është e rëndësishme për Serbinë, e cila kërkon rrugën në Bashkimin Evropian, që të komunikojë në mënyrë efektive me shtetet anëtare të BE-së. Mirëpo, në këtë moment, Serbia nuk po bën madje me 20 nga gjithsej 27 anëtare të BE-së. Prandaj, shpresojmë që Qeveria e ardhshme e Serbisë ta rishqyrtojë vendimin që është marrë, i cili nënkupton uljen e marrëdhënieve", ka thënë ambasadori britanik në Beograd...


XS
SM
MD
LG