Ndërlidhjet

Rice: SHBA duan zgjidhje diplomatike për Iranin


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, 8 korrik 2008.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, 8 korrik 2008.

“Problemi i energjisë bërthamore me Iranin mund të zgjidhet në rrugë diplomatike, por është e rëndësishme që Irani të suspendojë procesin e pasurimit të uraniumit”, thotë Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice.





RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të ketë sulm nga ana e Shteteve të Bashkuara ose Izraeli kundër pajisjeve bërthamore të Iranit?

CONDOLEEZZA RICE
Ne fuqimisht besojmë dhe këtë presidenti Bush e ka bërë shumë të qartë, se problemi i teknologjisë bërthamore me Iranin mund të zgjidhet në rrugë diplomatike. Ne jemi duke punuar për këtë. Ne dëshirojmë që populli i Iranit të ketë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara.

Nuk ka asnjë arsye që ky civilizim i madh, me histori dhe kulturë të madhe, të mbetet i izoluar nga politika ndërkombëtare. Shih për këtë Shtetet e Bashkuara bashkë me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Kinën kanë ofruar zgjidhje diplomatike, që shpresojmë të pranohet nga Qeveria e Iranit.

RADIO EVROPA E LIRË

Irani insiston se programi bërthamor është në funksion të qëllimeve paqësore dhe rrjedhimisht vazhdon me pasurimin e uraniumit. A është ndërprerja e këtij programi parakusht i Shteteve të Bashkuara për bisedime dhe zbutje të sanksioneve ndaj Iranit?

CONDOLEEZZA RICE
Është e rëndësishme që Irani të suspendojë procesin e pasurimit të uraniumit dhe më pas ne nuk duam të jemi në pozitën që të bisedojmë me Iranin në kohën kur Teherani avancon teknologjitë që mund të shpijnë drejt armëve bërthamore.

Por, nëse Irani dëshiron një program paqësor, atë do ta ketë. Rusia ka në Iran reaktorin e Busherit dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur atë që Moska e ka bërë atje. Ne kemi ofruar ndihmë të nivelit më të lartë për teknologjitë civile bërthamore të Iranit.

Përderisa Irani vazhdon me pasurimin e uraniumit, kjo do të thotë se Teherani është duke perfeksionuar teknologjitë që mund të shpijnë te armët bërthamore. Irani ka gënjyer në vazhdimësi Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike dhe ky është shkaku që nuk mund t'i besohet.

Dua të përsëris se Irani mund të ketë energji bërthamore për qëllime civile. Pohimet e regjimit në Teheran se Perëndimi po përpiqet të pengojë Iranin për të pasur teknologji të sofistikuara, nuk janë të vërteta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka raporte në Shtetet e Bashkuara, sipas të cilave Uashingtoni është duke shpenzuar 400 milionë dollarë për operacione të fshehta në Iran. Këto raporte thonë se pjesëtarët e CIA-s tashmë janë në Iran ose në vendet fqinje, duke punuar për të nxitur kryengritje etnike. Si u përgjigjeni këtyre pohimeve?

CONDOLEEZZA RICE
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se janë të gatshme të bashkëpunojnë me Iranin, nëse Teherani është i gatshëm të ndryshojë orientimin politik. Shumë herë kam thënë se jam e gatshme të takoj homologun tim në çdo kohë, në çdo vend për të biseduar për të gjitha çështjet.

Krejt çfarë duhet të bëjë Irani, është të suspendojë programin për pasurimin e uraniumit. E di se iranianët, kohë pas kohe, thonë: "Shtetet e Bashkuara po flasin për ndërrimin e regjimit, për ndryshimin e regjimit". Por, ne disa herë kemi thënë se duam të ndryshojmë sjelljen e regjimit.

Teherani e di fare mirë se ka shumë mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Qeveria amerikane përfaqëson një popull të madh, popullin amerikan dhe amerikanët nuk kanë armiq të përhershëm. Ne nuk besojmë në armiqtë e përhershëm.

Ne besojmë në gjetjen e rrugëve për të bashkëpunuar. Kështu kemi vepruar me Libinë, me të cilën një kohë kemi pasur raporte shumë të tensionuara. Tash i kemi avancuar marrëdhëniet me Libinë. Ky është qëllimi i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Lufta kundër terrorizmit dhe promovimi i demokracisë janë dy aspekte të politikës së jashtme të SHBA-ve. Si harmonizohen ato në rastet kur SHBA-ve u duhen bazat ose favore tjera nga regjimet autoritare?

CONDOLEEZZA RICE
Shtetet e Bashkuara gjithnjë do të mbrojnë demokracinë dhe në këtë kontekst edhe populli iranian meriton të jetojë në një shtet demokratik. Paqja e vërtetë jetësohet vetëm atëherë kur popujt jetojnë në shoqëri demokratike. Rrjedhimisht, edhe në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara mbështesin demokracinë.

Është e saktë se nganjëherë ne duhet të bashkëveprojmë me regjimet autoritare. Për shembull, nëse jemi duke bërë përpjekje për të realizuar paqen ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, nganjëherë duhet të bashkëveprojmë me regjimet që nuk janë demokratike, pikërisht për t’i mbështetur izraelitët dhe palestinezët.

Por, Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se demokracia nuk është dhuratë për amerikanët. Është diç që çdo qenie njerëzore duhet ta gëzojë. Presidenti Bush thotë se bekimi i lirisë është "kërkesë e panegociueshme e dinjitetit njerëzor". Çdo njeri, grua dhe fëmijë, meriton të jetë i lirë.
XS
SM
MD
LG