Ndërlidhjet

logo-print

Kosova aplikon në FMN para shtatorit?


Harta e Republikës së Kosovës

Harta e Republikës së Kosovës

Organizata e parë ndërkombëtare, në të cilën do të aplikojë Kosova, duket të jetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se aplikimi mund të ndodhë para shtatorit.


Me numrin prej 43 shteteve që kanë njohur Kosovën, ndër organizatat kryesore botërore në të cilat Kosova mund të aplikojë, pa u frikësuar se do të refuzohet, janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë janë bërë përgatitjet për të aplikuar në FMN dhe në Bankën Botërore.

“Në FMN jemi në përzgjedhje të shtetit mbështetës; sipas procedurave të parapara dhe sipas mundësive legale, ne kemi mundësi të anëtarësohemi aty, por edhe ne Bankën Botërore”.

“Janë shtetet e ndara në grupe dhe brenda një grupi, një shtet duhet të japë mbështetjen apo të jemi nën patronatin e tyre. Kjo nuk është vetëm me ne, por me secilin shtet të ri që hyn në FMN. Ne jemi duke menduar që ta gjejmë, kështu që do të gjejmë një nga shtetet skandinave apo të Beneluksit”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi pohon se aplikimi në FMN mund të ndodhë para shtatorit.

Ndërkohë, Avni Arifi, ish-këshilltar në Qeverinë Çeku, thotë se institucionet e Kosovës kanë mundur të bëjnë më shumë në lobimin për njohjen e pavarësisë, gjë kjo që, sipas tij, do t’i hapte rrugë edhe anëtarësimit të Kosovës jo vetëm në organizatat ndërkombëtare financiare, por edhe në mekanizmat tjerë politikë.

“Ne po shohim një retorikë të jashtëzakonshme, por kur vjen puna te rezultati, fatkeqësisht shohim se pak ose pothuajse fare nuk është duke u realizuar”.

"Mungon një lobim efikas, mungon një qasje aktive e aspekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me lobimin dhe faktikisht çështja e lobimit sot është një terren shumë i hapur, në të cilin përveç zyrtarëve të Serbisë, zyrtarët tanë nuk duken fare”,
tha Arifi.

Për t’u anëtarësuar në OKB, Këshill të Evropës, Bashkim Evropian apo në NATO, është e domosdoshme rritja e numrit të shteteve që kanë njohur Kosovën.

Hajredin Kuçi thekson se Kosova nuk dëshiron të aplikojë, aty ku mund t’i refuzohet anëtarësimi.

“Për mekanizmat tjerë ndërkombëtarë jemi duke pritur mbështetje më të madhe për njohje në numër më të madh të shteteve anëtare të këtyre mekanizmave, ngase logjika e Qeverisë është që në kohën e aplikimit të fitojmë anëtarësimin dhe jo të refuzohemi”, tha Kuçi.

Ndryshe, zvarritja e anëtarësimit, sidomos në institucionet financiare, sipas Avni Arifit, do të bëjë që zhvillimi ekonomik i Kosovës të stagnojë edhe më tej.

Çdo vonesë në anëtarësim në secilën organizatë ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, e cila po bëhet me fajin tonë, meqë më herët ishte më ndryshe, sepse fati ynë nuk ka qenë i përcaktuar, por tash është agjenda e qartë, ne jemi shtet sovran dhe i pavarur dhe duhet të sillemi në atë mënyrë dhe duhet të jemi shumë aktivë në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe me të gjitha shtetet, pavarësisht se në cilën pjesë të globit janë ato”, u shpreh Arifi.

Ndryshe, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO kërkohet pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare. Por, nga 27 shtete të BE-së, deri më tash Kosovën e kanë njohur vetëm 20, ndërkaq 5 nga 26 anëtaret e NATO-s vazhdojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, anëtarësimi i një shteti në OKB kërkon votat e dy të tretave të shteteve anëtare.
XS
SM
MD
LG