Ndërlidhjet

logo-print

ESK: Tetë të vdekur në 1000 lindje


Vetëm në vitin 2007 në Kosovë kanë lindur mbi 33 mijë foshnje, ndërsa 280 prej tyre kanë lindur të vdekur. Prej 33 mijë foshnjave të lindura, 52.5 për qind janë meshkuj, ndërkaq 47 për qind femra.

Këto të dhëna janë paraqitur në raportin ‘Statistikat e Lindjeve në Kosovë gjatë vitit 2007’, publikuar sot nga Enti i Statistikave të Kosovës.

Kadri Sojeva, drejtor i departamentit të statistikave të popullsisë në këtë ent, thotë se me rëndësi në këtë raport është fakti se numri i lindjeve gjatë vitit 2007, është i njëjtë më numrin e lindjeve gjatë viteve të kaluara.

“Përfshirja e të gjitha rasteve të lindjeve në Kosovë bëhet rreth 85 për qind. Ne mendojmë se 15 për qind e rasteve nuk regjistrohen në Librat Amzë të të Lindurve. Nataliteti për vitin 2007 është 15.6 promil, mortaliteti është 3.1 promil, shtimi natyral është pozitiv, multaliciteti apo martesat janë 7. 9 promil dhe divorcet janë 92.6 promil”, thotë Sojeva.

Ndryshe, shton ai, në çdo 1000 mijë foshnje të lindura, 8 prej tyre kanë vdekur.

“Po këta 280 janë që në momentin e lindjes kanë qenë të vdekur, prej tyre meshkuj janë 160, femra janë 120. Në gjithsejtë lindjet e 2007-shit marrin pjesë me 8.4 promil. Do të thotë, në çdo 1000 lindje të gjalla, ka pasur tetë lindje të vdekura”, tha Sojeva.

Mosha mesatare e nënave që kanë lindur fëmijë gjatë vitit 2007, është 27.3 vjeç.

“Nënat e moshës 25-29 vjeç marrin pjesë me 36 për qind, vendin e dytë me 25 për qind e zënë nënat e moshës 20-24 vjeç, vendin e tretë - nënat e moshës 30-34 vjeç me 24 për qind”, shpjegon Sojeva.

Raporti paraqet edhe nivelin e arsimit të nënave që kanë lindur vitin e kaluar. Në bazë të raportit, 50 për qind e nënave që kanë lindur fëmijë vitin e kaluar, e kanë të përfunduar vetëm shkollën fillore

“Afër 17 mijë nëna, të cilat kanë lindur në vitin 2007, kanë të kryer shkollën e plotë fillore, apo ato përbëjnë gjysmën, afër 50 për qind. Afër 10 mijë nëna e kanë të kryer shkollën e mesme, apo 30.8 për qind; me shkollë të lartë dhe me fakultet, së bashku janë 1722 nëna, apo 5. 2 për qind”, tha Sojeva.

Enti i Statistikave të Kosovës, për herë të parë në këtë vit, ka marrë përgjegjësinë që të gjitha procedurat lidhur me kompletimin e këtij hulumtimi t’i bëjë vetë, pa ndihmën e organizatave ndërkombëtare dhe vendore, tha Avni Kastrati, kryeshef ekzekutiv në këtë ent.

“Sa për njoftim, deri më tani, departamenti ka pasur një mbështetje të kohëpaskohshme lidhur me analizat që është dashur të zhvillohen për statistikat vitale. Ndërsa, për herë të parë sivjet, të gjitha përgjegjësitë i ka bartur vetë nga departamenti”, pohon Kastrati.

Ndryshe, ngjarjet vitale, të cilat ndodhin në vendbanimet me shumicë serbe, nuk regjistrohen në Zyrat e Gjendjes Civile në Kosovë, prandaj as Enti i Statistikave të Kosovës nuk ka informacione se sa fëmijë të nacionalitetit serb kanë lindur gjatë vitit 2007.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG