Ndërlidhjet

logo-print

“Ultimatum UNMIK-ut”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse nuk e ka evidencuar situatën në veri si të tensionuar, megjithatë ka pohuar se ajo nuk është normale dhe se kosovarët po tentojnë ta rregullojnë atë. Kryeministri është ndërlidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, Suhadollin e Mitrovicës, ku shqiptarët dhe serbët janë përleshur fizikisht dy herë brenda një jave, dhe se këtë çështje ia ka deleguar për zgjidhje kryetarit të komunës. "Jam në kontakt të vazhdueshëm me zotin (Bajram) Rexhepi. Jemi duke ndërmarrë veprimet e nevojshme që sjellin normalitet dhe natyrisht ushtrim të autoritetit të institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare në tërë territorin e Kosovës", tha Thaçi. Por, vetë Bajram Rexhepi, nga Mitrovica, ka porositur se UNMIK-ut i ka dhënë një ultimatum për zgjidhjen e konfliktit në Suhadoll, meqë pala shqiptare nuk është e kënaqur me ndërprerjen e punimeve në këtë lokacion. Vlerësimi i tij për situatën e sigurisë në veri të vendit është se tani për tani është qetë, por tensionet ekzistojnë, andaj edhe i është drejtuar misionit të OKB-së në Kosovë që nëse UNMIK-u për një kohë te shkurtër nuk gjen zgjidhje për realizimin e projektit të ujësjellësit në Suhadoll, atëherë do të anashkalohet autoriteti i tij dhe punimet do të rifillojnë...

EPOKA E RE
UNMIK-u nuk i njeh përfaqësuesit e strukturave paralele në veri të Mitrovicës, ndërsa takimi i së martës i shefit të UNMIK-ut me kryebashkiakët në veri konsiderohet takim me përfaqësues të partive politike serbe e jo me përfaqësues të strukturave paralele. Kështu ka thënë të mërkurën zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, gjatë konferencës së rregullt për media. Ai ka theksuar se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, nuk është takuar me përfaqësues serbë në cilësinë e krerëve të strukturave paralele, por në atë të përfaqësuesve të partive politike serbe. Geekiie ka thënë se një takim i tillë ka pasur për qëllim njohjen me problemet që kanë ata dhe mundësinë e zgjidhjes së tyre, duke mos saktësuar se për çfarë problemesh është fjala. "PSSP-ja e ka bërë të qartë, se ai është takuar me individë, liderë të partive politike. Në fillim, PSSP-ja është duke dëgjuar palët me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve", ka thënë Geekie. Zyrtarët e UNMIK-ut bënë të ditur se shefi i UNMIK-ut, Zannier, është në pritje të ftesës nga Qeveria e re në Beograd për ta realizuar vizitën, e cila ka për qëllim bisedimet për çështje teknike-praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit...

EXPRESS
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, ka deklaruar të mërkurën në Podgoricë se vendi i tij vlerëson përmbajtjen e Malit të Zi rreth çështjes së Kosovës, duke thënë se shpreson që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen. "Bashkëbiseduesve në Podgoricë ua kam përcjellë pritjet e Serbisë që Mali i Zi të vazhdojë me politikën parimore të përmbajtjes nga njohja e pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë", ka thënë Jeremiq. Pas takimit me homologun e tij malazias, Milan Roçen, ministri i Jashtëm i Serbisë ka deklaruar se nëse Mali i Zi njeh pavarësinë e Kosovës, Beogradi do ta tërheqë ambasadorin e vet nga ky shtet. "Secili shtet, i cili me akt të njëanshëm cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, nuk mund të llogarisë se do të ketë nivel të njëjtë të raporteve me Beogradin, të cilin e ka pasur para njohjes së Kosovës", ka thënë ai. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, ndërkaq ka thënë se qëndrimi i Podgoricës rreth pavarësisë së Kosovës është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Në pyetjet e gazetarëve se cili është ky qëndrim, Roçen ka thënë se nuk ka çka të shtojë, duke theksuar se ka qenë mjaftë i qartë. Roçen, kohë më parë, ka thënë se Mali i Zi do ta njohë Kosovën, pa përmendur se kur mund të ndodhë kjo...

ZËRI
Kosova do të dalë fituese meritore nga Konferenca e Donatorëve, ka thënë dje kryeministri Hashim Thaçi para kabinetit të ministrave. Ai madje tha se Kosova, krahasuar me numrin e banorëve, do të përfitoje më shumë se vendet që kanë pasur situate të ngjashme. Për këtë Konferencë Donatorësh për Kosovën, e cila pas shpalljes së pavarësisë është paraparë që të ndihmojë vetëqëndrueshmërinë e shtetit më të ri evropian, Qeveria, sipas Thaçit, shkon në mënyrë unike, e përgatitur profesionalisht dhe me përgjegjësi më të lartë shtetërore. Këto përgatitje, siç tha ai, janë bërë në bashkëpunim të ngushtë edhe me gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, me SHBA-në dhe BE-në.
"Projektet që ne do t’i prezantojmë janë projekte shumë mirë të përgatitura, të konsultuara me ekspertë vendorë, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të opozitës dhe shoqërisë civile", tha kryeministri i vendit. Por, ajo që edhe dje është vërejtur te kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, ishte se është folur në formë të përgjithshme dhe nuk është diskutuar për projekte konkrete, të paktën ato madhore, të cilat Qeveria, përkatësisht Kosova, do t'i prezantojë në këtë konferencë...

KOSOVA SOT
Zyra Ndërkombëtare Civile publikoi Matricën e Implementimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Kjo matricë, që do të postohet në sajtin e ICO-s, do të bëjë vlerësimin e vazhdueshëm të implementimit të pakos së Ahtisaarit. Matrica do të mbikëqyret çdo ditë nga vetë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith. Kështu, çdo ditë çdokush do të mund ta kuptojë se sa është Fejthi i kënaqur me implementimin. Matrica, përveç që bën vlerësimin e progresit të vazhdueshëm në implementimin e PGJS-së, ofron transparencë të mëtejme të punës së ICO-s dhe partnerëve të saj. Ajo, në momentin e duhur, do të ndihmojë në shqyrtimin e mandatit dhe autorizimeve të Përfaqësuesit Ndërkombëtar Civil (ICR) nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues. Zëvendësi i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Fleçer Barton, tha se kjo është edhe një dëshmi se puna e ICO-s ka filluar të intensifikohet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. "Puna e Zyrës Ndërkombëtare Civile fillon ta marrë hovin e vet tani kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës është në fuqi”...

INFOPRESS
Kryeministri serb, Mirko Cvetkoviq, ka paralajmëruar rishqyrtimin e përdorimit të mjeteve nga buxheti për serbët e Kosovës. Nënkryetari i të ashtuquajturit 'Kuvend' i serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, ka thënë se është e paqartë pse kjo nuk është bërë derisa Cvetkoviq ka qene ministër i Financave në qeverinë e mëparshme. Jakshiq ka thënë se kryeministri i ri, si ministër ka nënshkruar të gjitha urdhëresat, kështu që ka mundur t'i ndërpresë manipulimet eventuale. Në anën tjetër, serbë të Kosovës kanë thënë, ditë më parë për gazetën, se Qeveria serbe pritet të reduktojë financimet për strukturat paralele në Kosovë, aq më tepër që ato po ndërtohen nga anëtarë të Partisë Radikale dhe asaj të Koshtunicës. Ndalimi i financimit të tyre nga Beogradi, do të detyrojë serbët të drejtohen nga Prishtina, thirrje kjo e kahershme e bashkësisë ndërkombëtare dhe e institucioneve të Kosovës. Qeveritë serbe, që nga viti 1999, kane shpenzuar miliona euro në financimin e serbëve të Kosovës dhe ndërtimin e strukturave paralele...

LAJM
Megjithëse nuk janë përfshirë në asnjë iniciativë të institucioneve qeverisëse, udhëheqësit e partive opozitare po i shfrytëzojnë të gjitha kontaktet e tyre me përfaqësues të partive dhe diplomatë të huaj që të lobojnë për njohjen pavarësisë së Kosovës. Së paku kështu deklarojnë përfaqësuesit e AKR-së, AAK-së dhe ata të PSD-së. Ndërkaq, LDD-ja e konsideron përgjegjësi të drejtpërdrejtë të partnerëve në koalicionin qeverisës lobimin për njohjen e shtetit. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, tha se partia e tij është angazhuar në vazhdimësi në lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës. Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë, kryetari Behgjet Pacolli ka pasur kontakte me shumë zyrtarë shtetesh e partish në vendet e botes, ku ka lobuar për njohjen e Kosovës. "Mund të them se një pjesë e konsiderueshme e meritave për njohjet e deritashme janë edhe të kryetarit Pacolli"... Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili e drejton tash PSD-në, tha se, megjithëse askush nga institucionet aktuale nuk e ka kërkuar angazhimin e tij, e ka konsideruar obligim qytetar kontributin në lobimin për njohjen e Kosovës. "Me cilindo përfaqësues të huaj që takohem, brenda dhe jashtë vendit, mbi të gjitha e potencoj faktin e domosdoshmërisë së njohjes nga vendet e botës të Republikës së Kosovës"...

BOTA SOT
Ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi, priti në një takim Ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, z. Gemot Pfandler, i cili ishte i shoqëruar nga konsulli austriak, z. Hubert Beidinger, dhe udhëheqësi i Zyrës për Zhvillim, z. Andreas Fritz. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e drejtësisë në përgjithësi, e veçanërisht u bisedua për pranimin e vendimeve civile dhe penale të gjykatave austriake nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës. Çështja e dytë që u diskutua gjatë këtij takimi, ishte edhe dhënia e një donacioni nga Austria për fëmijët, për të cilin iniciatore është Ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi. Fjala është për ndërtimin e një çerdheje në fshatin Plemetin të Obiliqit, donacion, të cilin e pati dhënë Ministrja e Jashtme e Austrisë. Austriakët shtuan se me ato mjete financiare kanë paraparë ta realizojnë një projekt për Klinikën e Pediatrisë së QKU-së në Prishtinë, ku këtë klinikë do ta pajisin me aparatura përkatëse për diagnostifikimin e tumorit tek fëmijët dhe shërimin e mundshëm të tij...
XS
SM
MD
LG