Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve nga Konferenca e Donatorëve


Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza
Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza

Konferenca e Donatorëve që do të mbahet nesër në Bruksel, për disa qytetarë kosovarë do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, ndërkaq për disa të tjerë as kjo konferencë nuk do të sjellë ndonjë mrekulli.




Qytetarët e Kosovës shprehin mendime të ndryshme rreth ndryshimit të situatës pas mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, e cila do të mbahet nesër në Bruksel.

Disa prej tyre thonë se Konferenca e Donatorëve do të ndikojë në uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë, ndërkaq të tjerët mendojnë se edhe kjo konferencë nuk do të sjellë ndonjë mrekulli.

Ali Thaçi mendon se donatorët nesër do të ndihmojnë Kosovën, donacione këto, që, sipas tij, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

"Unë pres qe do ta hapin kuletën evropianët dhe të gjithë donatorët tjerë, si në mënyrë individuale, institucionale dhe shtetërore. Kështu që Kosovën me siguri se do ta ndihmojnë. Unë do të kisha pasur shumë dëshirë që të ndihmohet segmenti i parë që është më i ndjeshmi – papunësia", u shpreh Thaçi.

Fehmi Ahmeti thotë se nëse mjetet e fituara nga kjo konferencë menaxhohen në mënyrë të duhur, duhet të vërehen ndryshime pozitive.

"Nga Konferenca e Donatorëve presim donacione. Nëse ato të holla shfrytëzohen në destinimin e caktuar, duhet të ndikojnë diçka, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë", tha Ahmeti.

Burim Hulaj, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, nga Konferenca e Donatorëve pret perspektivë më të madhe për të rinjtë.

"U mundëson të rinjve punësim më të madh në Kosovë. Pres shumë. Nuk e di sa është e përgatitur Qeveria që t'i thithë këto investime, mirëpo besoj se shtetet do t'i ndihmojnë Kosovës", thotë Hulaj.

Minavere Bunjaku mbetet me shpresë se pas mbajtjes së Konferencës, do të krijohen më tepër vende të reja të punës.

"Ndoshta do të hapen më tepër vende të reja të punës. Unë me fakultet jam dhe jam pa punë", shprehet Bunjkau.

Por, Abdullah Hamiti thotë se edhe pas ditës se nesërme nuk do të ndryshojë asgjë në Kosovë. Ai thotë kështu duke u bazuar në donacionet e viteve të pasluftës, që kanë dhënë vende të ndryshme të botës.

"Mbase një lëmoshë do të japin, mirëpo nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh, sepse donacione ka pasur që nëntë vjet, por rezultatet, efektet nuk duken", thotë Hamiti.

As Shkëlzen Berisha nuk pret ndonjë mrekulli nga Konferenca e Donatorëve.

"Nuk besoj se do të ndodhin mrekulli me një konferencë të donatorëve. Mendoj se diçka do të dalë, por jo diçka me peshë të madhe. Ndoshta do të japin donacione ashtu si kanë dhënë deri sot. Ne e dimë se që tetë vjet kanë dhënë shumë para, ka ndryshime, por jo diçka spektakulare ashtu si kemi qejf ne", shprehet Berisha.
XS
SM
MD
LG