Ndërlidhjet

Projektet e Qeverisë nuk sjellin investime direkte


Konferenca e Donatorëve, e cila pritet të mbahet nesër në Bruksel, mund të rezultojë me ndihma për Kosovën, por nuk duhet pritur që këto ndihma do të jenë tërësisht me para të gatshme dhe as falas. Kështu thonë ekspertët kosovarë për çështje të ekonomisë.

Ismail Kastrati, një prej këtyre ekspertëve, thotë se Qeveria e Kosovës kryesisht është përgatitur me projekte që kanë të bëjnë me krijimin e infrastrukturës për zbatimin e rendit dhe ligjit, investimet në infrastrukturën e energjetikës, infrastrukturën e rrugëve, si dhe disa projekte tjera përcjellëse.

“Këto projekte të paraqitura nga Qeveria në Konferencën e Donatorëve, nuk kanë të bëjnë fort me investime të drejtpërdrejta, të cilat janë kryesisht karakter i ekonomisë. Se çfarë karakteri do të kenë këto investime, do të jenë kesh apo do të jenë me asistencë teknike, është vështirë për t’u ditur tash”.

“Por, besoj se do të kemi nga donatorët një asistencë teknike. Deri më tash nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike, por edhe të investitorëve, përkatësisht të donatorëve. Kjo moskujdesje nuk ka qenë vetëm e Qeverisë apo e qeverive të mëparshme, por ka qenë edhe e UNMIK-ut para së gjithash”, thotë Kastrati.

Musa Limani, drejtor i Institutit ekonomik të Kosovës, thotë se nuk duhet pritur që nga Konferenca e Donatorëve, Kosova do të nxjerrë ndihma në kuptimin e ngushtë të fjalës, sepse, sipas tij, donacionet eventuale do të jenë në formë të investimeve.

“Kuptimi i Konferencës së Donatorëve nuk e ka atë që ne të marrim mjete financiare gratis, por nëpërmes projekteve, pra asistencës teknike. Kjo është e kuptueshme, sepse askush nuk ta jep falë më kapitalin”.

“Prandaj, unë mendoj se nëse ne dimë të prezantohemi dhe të ofrojmë atë çka ne kemi, besoj se do të zgjojmë interesim te investitorët e huaj. Lidhur me këtë, unë do të them se kështu edhe janë duke u bërë sot proceset ekonomike integruese ndërkombëtare, siç është globalizimi”,
tha Limani.

Ndryshe, zoti Kastrati pret që Qeveria e Kosovës do të arrijë t’i arsyetojë nevojat për realizimin e projekteve që do t’i prezantojë në Konferencën e Donatorëve.

“Me siguri se projektet do të arsyetohen. Projektet janë bërë nga të gjitha ministritë. Janë mbushur edhe formularët adekuatë për investime. Besoj se të gjitha do ta kenë edhe arsyeshmërinë e vet”.


“Por, tash varet nga shumë interesa, nga shumë disponime, se sa do të jetë konferenca e suksesshme. Përveç tjerash, normalisht se në konferencë duhet bërë lobim të mjaftuar dhe duhet elaboruar në mënyrë bindëse projektet e prezantuara”, theksoi Kastrati.

Ndërkaq, zoti Limani shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës është dashur t’i elaborojë projektet me ekspertë përkatës, para se t’i prezantojë ato në Konferencën e Donatorëve.

“Në mos tjetër, është dashur ndoshta paraprakisht një komision ekspertësh të fushave të ndryshme ta bëjë një lloj recensioni, ta bëjë specifikimin ose dhënien e prioriteteve të këtyre projekteve, të cilat do të konkurrojnë në Konferencën e Donatorëve. Por, sidoqoftë, ajo ka qenë punë e Qeverisë”, u shpreh Limani.

Sidoqoftë, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, projektet që do të prezantohen në Konferencën e Donatorëve, synojnë kryesisht investime për zhvillim të karakterit afatmesëm. Ndërkaq, pritet që kjo konferencë t’i sjellë Kosovës donacione në shumë prej 1.5 miliardë eurosh, në formë të financave të gatshme, si dhe asistencë teknike.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG