Ndërlidhjet

logo-print

BE: Plane të reja për fqinjët lindorë

  • Ahto Lobjakas - Radio Evropa e Lirë

Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

Parlamenti Evropian, në raportin e tij të fundit, thotë se Bashkimi Evropian duhet të krijojë një strukturë të re për bashkëpunim me fqinjët lindorë. Për këtë, propozohet Zona Evropiane Ekonomike Plus.


"Zona ekonomike evropiane plus", siç e cilëson Parlamenti Evropian, mund të bëhet stacioni i radhës për fqinjët lindorë të Bashkimit Evropian, në rrugën e tyre të gjatë drejt anëtarësimit.

Kjo do t'u ofronte atyre statusin që ka aktualisht Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Duke aprovuar rreth 70 për qind të legjislacionit evropian, këto vende marrin pjesë plotësisht në tregun e brendshëm evropian. Bashkëpunimi në këtë zonë përfshin: tregtinë e lirë, shërbimet, lëvizjen e kapitalit dhe njerëzve.

Vendet jo anëtare të BE-së normalisht nuk kanë drejtpërdrejt dorë në formësimin e ligjeve të Unionit. Politikisht, ato mbesin jashtë bllokut, por, tani BE-ja po shqyrton angazhimet drejt fqinjëve lindorë.

Komisionari për Zgjerim, Olli Rehn, tha se plani i Parlamentit Evropian meriton vëmendje.
Olli Rehn


"E kam parë me interes propozimin nga raporti për krijimin e Zonës Ekonomike Evropiane Plus, për raportet me vendet që nuk janë pjesë e agjendës së tanishme për zgjerim. Në kohën e globalizimit ekonomik ka kuptim edhe zgjerimi i hapësirës legale dhe ekonomike evropiane", tha Rehn.

Raporti afirmon qëndrimin e Parlamentit Evropian, sipas të cilit teorikisht fqinjët lindorë janë të pranueshëm në procesin e zgjerimit. Ai është hartuar nga deputeti gjerman i krahut të djathtë, Elmar Brok, sipas të cilit Traktati i Lisbonës, i refuzuar muajin e kaluar në Irlandë, është i nevojshëm jo për zgjerimin e ardhshëm të BE-së, por për sfidat që dalin nga zgjerimet e kaluara.

Raporti gjithashtu vë theksin në "kapacitetet integruese" të Bashkimit Evropian. Sipas tyre, çfarëdo zgjerimi do të ishte i mundur vetëm nëse BE-ja do të arrijë të shtyjë përpara "objektivat politike", pra qeverisjen efikase, dhe vetëm në rast se për këto vendime ka mbështetje të opinionit publik.

Komisionari për Zgjerim, Rehn, tha se vendet, të cilat kanë marrë zotime për anëtarësim, si Turqia, nuk duhet të preken nga çfarëdo ndryshimi në përcaktimin e qëllimeve të vetë BE-së.

"Për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, që kanë perspektivë të qartë për anëtarësim, Bashkimi Evropian nuk duhet të imponojë kushte të reja para kandidimit, apo në fazën e anëtarësimit. Kjo do të krijonte dyshime rreth përkushtimeve të BE-së", tha Rehn.

Raporti i Parlamentit Evropian, megjithatë, nuk është obligativ. Sidoqoftë, disa nga idetë e tij mund të filtrohen në debatin që vazhdon për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG