Ndërlidhjet

Isufi: S’ka më kapitale se shtrirja e autoritetit


Ahmet Isufi
Ahmet Isufi

“Për të mos lënë Beogradin që ta ketë në dorë praninë e serbëve, Prishtina duhet të jetë më e fokusuar, se s’ka çështje më kapitale, sesa ushtrimi i autoritetit në tërë territorin”, thotë Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, autoritetet e Kosovës vazhdojnë të sfidohen nga strukturat paralele në veri, ku rasti më i freskët është ndërprerja e punimeve në ujësjellësin e Suhodollit. Cila duhet të jetë përgjigjja e institucioneve?

AHMET ISUFI
Përgjigjja e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare duhet të jetë përgjigje e prerë. Në territorin e Kosovës ka respektim të Kushtetutës dhe të nivelit qeverisës të vendit.

Andaj, Qeveria duhet të merret më seriozisht me këtë punë dhe UNMIK-u e EULEX-i në këtë rast, sepse çdo lejim i mëtutjeshëm i neglizhimit të strukturave paralele që janë krijuar në Kosovë, mundëson një krizë që është e dëmshme për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet në tërë vendin. Si mund të përmirësohet kjo gjendje?

AHMET ISUFI
Kjo gjendje përmirësohet me një plan konkret dhe jo me deklarata siç ka ndodhur deri më tani. Shteti funksionon me institucione, me programe konkrete dhe me qasje ndaj qytetarëve të Kosovës.

Prandaj, është koha e fundit kur Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një program, me të cilin duhet t’u qaset serbëve në veri dhe popullatës shqiptare atje, në mënyrë që të krijohet një realitet që mundëson funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Çdo shtet investon në territorin e vet dhe po ashtu krijon siguri për qytetarët. Prandaj, këta mekanizma përdoren gjithkund, e edhe në Kosovë duhet të përdoren dhe është koha e fundit kur institucionet duhet të veprojnë.

Mendojmë në projekte ekonomike më shumë, sepse investimi në një vend është edhe krijim i pronës së atij shteti dhe të institucioneve të atij shteti.

Nëse nuk ka një qasje pragmatike ndaj minoritetit serb në veri dhe ndaj shqiptarëve që jetojnë atje, atëherë po lejohet mundësia që tjetërkush ta ketë në dorë këtë prezencë të serbëve. Ose Beogradi, ose Prishtina do t’i kenë në funksion.

Prandaj, për të mos ua lënë Beogradit, Prishtina duhet të jetë shumë më e fokusuar dhe nuk ka çështje më kapitale sot për Kosovën, sesa ushtrimi i funksionalitetit në territorin e Kosovës.

Mirëpo, kjo duhet të bëhet me plane konkrete dhe jo vetëm të pritet siç është pritur nëntë vjet dhe përsëri deklaratat nuk kanë pasur asnjë dobi.

RADIO EVROPA E LIRË
Për mosrespektimin e autoriteteve të Kosovës, serbët janë nxitur deri tani nga Beogradi zyrtar. Me ardhjen e qeverisë së re, a prisni ndryshim në qasjen karshi Kosovës?

AHMET ISUFI
Edhe para se të krijohet Qeveria e Beogradit, ka pasur sinjale se cilado qeveri që të jetë, do të vazhdojë një politikë çfarë ka ndjekur deri më tani Beogradi, sepse nuk ka pasur një reformim të partive politike atje ose të pushtetit në Serbi.

Ato ende mbahen me mite, me programe nacionaliste dhe shoviniste dhe në fakt nuk ka ardhur diçka e re në përbërjen e strukturës qeverisëse në Serbi.

Prandaj, institucionet tona nuk duhet të presin se çka do të bëjë Serbia, por, përkundrazi, duhet t’i përvishen punës dhe të veprojnë me të gjitha mundësitë që janë. Ne e dimë se ka mundësi, sepse vetë kam qenë në qeverisje dhe e di se në disa segmente qysh sot mund të funksionohet atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, po pret ftesën nga Beogradi për të nisur, siç thuhet, bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni ju këtë proces dhe vetë planin e Ban Ki Moonit, i cili i parasheh këto bisedime?

AHMET ISUFI
Nuk mund të ketë efekte në rastin e parë të bisedimeve me Beogradin, sepse Beogradi nuk ka ndryshuar politikën ndaj Kosovës, por konsideroj se qasja ndaj veriut e relakson pozicionin edhe me Serbinë.

E relakson duke konsideruar se krijimi i një avancimi të pozitës së institucioneve të Kosovës në veri, mundëson edhe një komunikim më të mirë me Beogradin.

Derisa ekziston kjo distancë, kurrfarë rezultatesh nuk do të kemi në start, sepse nëse flitet për qëllime teknike të bisedimeve, atëherë duhet të saktësohen se cilat janë ato. E jo të hyhet në bisedime, pa ditur se për çka është fjala.

Do të ketë plane konkrete, të cilat janë çështje të pazgjidhura me Beogradin, sidomos në disa sfera që janë kontestuese mes Beogradit e Prishtinës. Por, para se të ndodhë kjo, duhet të jetë një plan i saktësuar, konkret dhe të dihet se për çka mund të bisedohet.

Çështjet politike dhe ato të statusit të Kosovës janë kryer dhe absolutisht nuk mundet që dikush të ofrojë në tavolinë një bisedë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Subjekti juaj dhe vetë lideri Ramush Haradinaj kanë kritikuar Qeverinë për mungesë lobimi. Si mendoni se mund të përmirësohet dinamika e njohjes?

AHMET ISUFI
Ne konsiderojmë se ka potenciale të mëdha, të cilat nuk janë shfrytëzuar deri më tani, sidomos në aspektin e krijimit të një këshilli nacional do të thosha, sa i përket lobimit, ose një organizmi, i cili do të mundte që i kompletuar të jetë në funksion të lobimit për pranimin e pavarësisë së Kosovës.

Qeveria tani për tani po tregon se nuk është e gatshme që të ketë një qasje të tillë dhe konsiderojmë se po bëhet një gabim, për arsye se në të gjitha vendet, potencialet nacionale që ekzistojnë përbrenda, qoftë intelektuale, qoftë politike, qoftë fetare, qoftë të shkencës, përdoren për të arritur qëllimin një vend.

Prandaj, Kosova ka nevojë dhe konsideroj se nuk janë shfrytëzuar sa duhet, sepse tani kemi pranimin nga shtetet, të cilat në fakt edhe janë krijuese të këtij realiteti në Kosovë, janë shtete që kanë investuar për shumë kohë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran.

Tani duhet një angazhim konkret i institucioneve tona, që imazhin e Kosovës apo atë që është kërkesë e Kosovës, ta ngrenë në një nivel më të lartë, duke ofruar kapacitete, të cilat deri më sot nuk janë ofruar për të lobuar për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Pritjet e Qeverisë së Kosovës janë shumë të mëdha nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën. Sa janë reale ato dhe pse askush nga AAK-ja nuk ka udhëtuar për në këtë konferencë?

AHMET ISUFI
Në fakt, është ajo që është edhe për njohjen e Kosovës – një hezitim që të gjitha forcat politike, ekonomike të vendit, të kenë qasje në këta mekanizma, në mënyrë që të kemi një gjendje shumë më favorizuese për Kosovën.

Mospjesëmarrja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Konferencën e Donatorëve është një tregues se Qeveria ka një rezervë ndaj disa mekanizmave në Kosovë, që mund të kontribuojnë në qasjen ekonomike, politike, strategjike të vendit.

Prandaj, e konsiderojmë si një mbyllje të Qeverisë në vetvete, që në fakt e dëmton nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit.

E dimë se kapacitetet që kanë qenë në qeverisje, një pjesë e madhe e tyre për tetë vjet kanë qenë edhe kuadro të AAK-së, do të kishin ndihmuar shumë më shumë në këtë drejtim.

Megjithatë, unë besoj se bashkësia ndërkombëtare, duke pasur parasysh pozitën e Kosovës dhe gjendjen nëpër të cilën po kalon Kosova, do të ndihmojë që Kosova të ketë donacione.

Por, tash për tash e themi se do të kishte pasur mundësi shumë më shumë sikur të ishin konsultuar edhe mekanizmat tjerë ekonomikë relevantë që janë në Kosovë, e po ashtu edhe partitë politike që kanë mekanizmat e tyre që mund të investojnë.
XS
SM
MD
LG