Ndërlidhjet

Deputetët: Strukturat paralele do kenë kundërpërgjigje


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e cilësojnë veprimin e strukturave paralele si të papranueshëm, por ata nuk pajtohen me kohën kur institucionet duhet të ndërmarrin veprime konkrete në kthimin e rendit kushtetues në gjithë territorin e Kosovës.

Mosrespektimi i rendit kushtetues dhe cenimi i tërësisë territoriale që vjen si pasojë e veprimit të strukturave paralele të mbështetura nga Serbia, do ta ketë kundërpërgjigjen e Kosovës, thonë deputetët e partive parlamentare.

Ndonëse deputetë të partive parlamentare ndajnë vlerësime të ndryshme lidhur me kohën e veprimit për pengimin e këtyre strukturave, si mendim i përbashkët i tyre është se rendi kushtetues duhet të shtrihet edhe në pjesën veriore dhe nëpër enklava të banuara me serbë.

Shefi i grupit më të madh parlamentar, atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, thotë se Kuvendi dhe Qeveria do ta thonë fjalën e vet. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton se duhet të merren vendime të ngutshme.

Duke e shtyrë edhe për një kohë debatin në Kuvend në lidhje me strukturat paralele, Kosova nuk pajtohet me funksionimin e tyre, por i jep një rast shtesë qeverisë së re të Serbisë që të pushojë me politikën e saj ndaj Kosovës, thotë Buja, duke rikujtuar se kjo pritje e kosovarëve nuk do të shkojë në pafundësi.

“Pse Kuvendi i Kosovës mund ta shtyjë edhe për një kohë të shkurtër debatin rreth këtyre çështjeve që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, është problemi që formimi i qeverisë së re që ka një ndikim dhe urojmë, megjithëse nuk jemi shumë të bindur se do të ndodhë ndryshim i madh, që të ushtrojë ndikimin e vet që këto gjëra të mos jenë ashtu si janë sot”.

“Andaj, përpiqemi që të veprojmë me kohë, që të mos veprojmë me nxitim dhe atëherë kur të veprojmë, fjala dhe vendimi ta kenë peshën e vet të duhur”, tha Buja.

Që nga mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë më 11 maj edhe në Kosovë, të shpallura si ilegale edhe nga autoritetet ndërkombëtare, deputeti i pavarur, Driton Tali, ka iniciuar në dy raste mocione, duke kërkuar që Kuvendi të dalë me qëndrim kundërshtues ndaj funksionimit të paralelizmave në Kosovë dhe cenimit të integritetit territorial.

Por, mocionet e tij nuk kanë gjetur përkrahjen e shumicës së deputetëve, pavarësisht se ata ndajnë mendime të njëjta në lidhje me funksionimin e paralelizmave në Kosovë.

Deputeti Tali nuk beson se Qeveria e re në Beograd do ta ndryshojë kursin e saj politik ndaj Kosovës, ndërkohë që mosveprimin e Kuvendit dhe të Qeverisë ai e cilëson si neglizhencë. Sipas tij, në Kosovë ekziston një vetëkënaqësi e tepruar që nga shpallja e pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës.

“Problemi është se Kosova nuk ka strategji. Jemi vetëkënaqur me shpalljen e pavarësisë dhe miratimin e Kushtetutës dhe disi e ndjejmë se e kemi krijuar shtetin. Çdo atakim të mirë-organizuar, mirëplanifikuar nga Serbia, ne e neglizhojmë, e kur e shohim se këto plane po jetësohen, atëherë fillojmë ta mbushim arsenalin tonë, por me vonesë”, thekson Tali.

Se Kuvendi duhet të ketë një kundërpërgjigje ndaj Serbisë dhe strukturave të saj që veprojnë në Kosovë, mendon edhe shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli.

Ai thotë se deklarimi i Kuvendit nuk do të jetë i mjaftueshëm, nëse ky deklarim nuk do të përcillej edhe me vendime konkrete që do të çonin kah zbatimi i rendit kushtetues në gjithë territorin e Kosovës nga ana e Qeverisë.

“Kuvendi i Kosovës do të duhej të deklarohej dhe të merrte qëndrim përkitazi me veprimin e këtyre institucioneve paralele dhe të obligonte institucionet ekzekutive për të ndërmarrë veprimet e efektshme, me të cilat do të garantohej sovraniteti dhe integriteti i Kosovës, sikurse që do të ndikonte edhe në zhbërjen e këtyre strukturave paralele të pushtetit të Serbisë në Kosovë”, thotë Makolli.

Sidoqoftë, deputetët e pranojnë se ana juridike është në anën e institucioneve të Kosovës dhe u mundëson atyre që të ndërmarrin veprime në veri, mirëpo ata potencojnë edhe faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë ende fuqi politike që të veprojnë pa një mbështetje dhe koordinim të hapave me faktorin ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG