Krijimi i Gjykatës Kushtetuese, procesi i ripajtimit mes shqiptarëve e serbëve, çështja e të pagjeturve, bordi i Mitrovicës, regjistrimi i popullsisë, arsimimi në mjediset serbe, kthimi i arkivave dhe artefakteve nga Serbia, janë vetëm disa nga obligimet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, në përmbushjen e të cilave deri tash nuk është shënuar asnjë progres.
Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka publikuar udhëzuesin, i cili bën vlerësimin e progresit të vazhdueshëm në implementimin e propozimit për statusin. Zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie, shpjegon se institucionet nuk kanë mundur që t’i përmbushin të gjitha obligimet në të njëjtën kohë.
“Janë disa gjëra që duhet bërë në fillim, siç ka qenë miratimi i Kushtetutës. Nuk mund t’i bësh të gjitha gjërat në të njëjtën kohë. Këtu nuk bëhet fjalë për pengesa në zbatimin e të gjitha detyrave, por është çështje kohe se kur fillojmë punën në një çështje të caktuar”, thotë Andy McGuffie.
Në anën tjetër, analisti politik, Ilir Dugolli, është skeptik se pakoja e Ahtisaarit, e cila është bazë e deklaratës së pavarësisë dhe e Kushtetutës, do të zbatohet me dinamikën e paraparë. Ai mendon se prania e mëtejme e UNMIK-ut po kontribuon në zvarritjen e zbatimit të pakos në fjalë.
“Qysh tash nuk po ecin gjërat sipas pakos së Ahtisaarit. Krejt kjo zvarritje me largimin e UNMIK-ut, ideja e rikonfigurimit dhe këto përshtatje tjera, nuk kanë qenë të parapara me pakon e Ahtisaarit”.
“Dhe tash, këta janë hapa të improvizimeve të detyruara nga ndryshimi, ose nga rezistenca ruse në Këshillin e Sigurimit, por edhe nga faktorë të tjerë. Komplikime mund të ketë në aspektin ligjor, vështirësitë janë të mundshme, sepse prania e UNMIK-ut është konkurrente me autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare“, thotë Dugolli.
Por, Andy McGuffie argumenton se Zyra Civile Ndërkombëtare nuk është prekur nga rikonfigurimi i UNMIK-ut.
“ICO-ja është këtu të zbatojë propozimin e përgjithshëm të statusit; tash, secili që është i përfshirë, Qeveria, ICO-ja, duhet të jenë pragmatikë. Unë nuk do të kisha thënë se ka pasur ndryshime të mëdha në qëllimet tona si ICO”, tha Andy McGuffie.
Një nga përparimet, që i ka vënë në pah Zyra Civile Ndërkombëtare është hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës. Por, në praktikë, kjo Kushtetutë nuk ka shtrirë autoritetin në veri dhe pjesët tjera të banuara me shumicë serbe. Si rrjedhojë, serbët edhe më tej e shohin si autoritet vetëm UNMIK-un.
Ilir Dugolli thotë se i takon institucioneve të Kosovës që të sillen si pushtet sipëror në Kosovë dhe të shfrytëzojnë planin e rikonfigurimit të UNMIK-ut për të treguar autoritetin e tyre.
“Janë institucionet vendore ato të cilat duhet ta bëjnë të panevojshëm UNMIK-un sa më parë që të jetë e mundur. Pra, aty-këtu, nga rasti në rast, pasi ka ardhur deri të ky rikonfigurim, ta shfrytëzojnë për aq sa u nevojitet, por ta shfrytëzojnë si një dorë të zgjatur, që mund të ofrojë shërbime të mira, e assesi të sillet si pushtet”, tha Dugolli.
Ndryshe, periudha e tranzicionit në Kosovë po përcillet me paqartësi juridike, ku institucionet e Kosovës, UNMIK-u, EULEX-i e ICO-ja funksionojnë në bazë të dokumenteve të ndryshme juridike. Juristët tërheqin vërejtjen për një situatë konfliktuoze, ku askush nuk ka autoritetin sipëror, të cilit do t‘u bindeshin mekanizmat përkatës.