Ndërlidhjet

“Kosova aplikoi në FMN dhe BB”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Një ditë para mbajtjes së Konferencës së Donatorëve në Bruksel, institucionet e Kosovës kanë dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB). Këtë e ka konfirmuar për Express, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. "Institucionet e Kosovës kanë aplikuar për anëtarësim të plotë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore", ka thënë Kuçi, të enjten. Në një pritje të organizuar me rastin e mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, të enjten në mbrëmje në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi ka nënshkruar dhe ka dorëzuar zyrtarisht aplikacionet tek përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së. Të dyja këto organizata marrin pjesë në Konferencën e Donatorëve. Anëtarësimi në FMN, përveç që mundëson përfitime financiare për Kosovën, hap dyert për aplikimin në institucionin tjetër të madh financiar - Bankën Botërore. Këto janë aplikimet e para të Kosovës në institucione financiare ndërkombëtare, që nga shpallja e pavarësisë...

ZËRI
Kryetari i Komunës së Mitrovicës është duke pritur lëvizjet e UNMIK-ut për të mundësuar vazhdimin e punëve në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Suhodoll, fshat që gjendet në pjesën matanë lumit Ibër në Mitrovicë. Ditë më parë, Rexhepi i është bindur një kërkese të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për t'i ndërprerë punimet në këtë projekt, të cilin serbët e kishin shfrytëzuar për të nxitur incidente me shqiptarët për disa ditë rresht. Të enjten, kryetari i komunës më të ndjeshme në Kosovën e pasluftës ka bërë të ditur se është duke iu përmbajtur asaj që i ka thënë shefit të UNMIK-ut dhe në ditën kur do të bëhet një javë nga "marrëveshja" e arritur, ai do të iniciojë rifillimin e punimeve për realizimin e projektit në fjalë. "Do të pres deri të martën. Nuk do të flas asgjë me shumë", ka qenë komenti i vetëm që ka bërë dje Bajram Rexhepi. Përleshjet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë ndodhur të hënën dhe të martën, dhe më pas, në një takim urgjent te kryetarit të Mitrovicës dhe shefit të UNMIK-ut, është arritur marrëveshje për një ndërprerje të përkohshme të punimeve deri në arritjen e një zgjidhjeje...

INFOPRESS
Qeveria e re e Serbisë ka paralajmëruar se do të vazhdojë politikën e paraardhëses së saj sa i përket Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, ka deklaruar pas mbledhjes së kabinetit të tij, se Qeveria i ka drejtuar një kërkesë Parlamentit për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, ku në rendin e ditës do të ishte propozim-rezoluta mbi kontinuitetin e politikës së shtetit ndaj Kosovës, meqë është me rëndësi që Qeveria e re ta mbajë kontinuitetin e politikës së shtetit për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, Qeveria serbe ka shprehur mbështetjen për formimin e strukturave paralele serbe në Kosovë. Sipas kryeministrit Cvetkoviq, tekstin e propozim-rezolutës mbi kontinuitetin e politikës së shtetit ndaj Kosovës e ka parapërcaktuar në mbledhjen e djeshme. Qeveria e Serbisë e ka miratuar konkluzën me to cilën mbështet formimin e të ashtuquajturit "Kuvend i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, në të cilën thuhet se nisur nga fakti se Krahina Autonome e Kosovës është pjesë e Serbisë, të gjitha organet e shtetit kanë detyrim kushtetues qe t'i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore të Republikës së Serbisë në Kosovë"...

KOHA DITORE
Në prag të Konferencës së Donatorëve për Kosovën, që zhvillohet në Bruksel, nën organizimin e Komisionit Evropian, komisari i Zgjerimit, Olli Rehn, i ka dhënë një intervistë "Kohës Ditore" dhe një grupi të vogël gazetarësh perëndimorë. Në këtë intervistë, Rehn thotë se kjo Konference e Donatorëve është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për tërë rajonin. Olli Rehn ka thënë se menaxhimi i mjeteve të donatorëve, që do të jetë me kushte strikte, do të jetë test i madh për autoritetet e Kosovës. Këto mjete, ka thënë komisari Rehn, do të duhej të menaxhoheshin pa raste korrupsioni. Në këtë intervistë Rehn flet edhe për vazhdimin e procesit të zgjerimit edhe pas refuzimit në Irlandë të Traktatit të Lisbonës. Ai po ashtu flet edhe për situatën në Serbi pas krijimit të qeverisë së re atje dhe për pritjet që ka Brukseli nga Qeveria e re e Beogradit...

LAJM
Matrica mbi vlerësimin e implementimit praktik të Planit Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës, e publikuar nga Zyra Ndërkombëtare Civile (ZNC), ka ngjallur sërish debat rreth kohës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. ZNC-ja e ka lënë të hapur këtë çështje, duke ngritur sërish pikëpyetje nëse do të mbahen zgjedhjet sipas rekomandimeve të Ahtisaarit, nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të Pakos, apo do të shtyhen deri në përfundimin e mandatit të të zgjedhurve në nëntor të vitit 2007. Sipas matricës së ZNC-së, kjo çështje është ende në shqyrtim. Shtyrja e zgjedhjeve të përgjithshme i konvenon koalicionit qeverisës, por kundërshtohet nga tri partitë kryesore opozitare. Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, thotë se çdo tendencë për t'i ikur implementimit të plotë në praktikë të Pakos Ahtisaari, paraqet shmangie nga ky dokument ligjor me fuqi juridike. Ndërsa, mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me rekomandimet e Pakos, sipas tij, mund të jetë në shqyrtim vetëm në aspektin e kryerjes së përgatitjeve ligjore e teknike për t'i mbajtur ato brenda nëntë muajsh...

BOTA SOT
Ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën që nga viti 1998 e këtej përfshin një shumë prej mbi 1.450.000 dollarësh. Këto ndihma kanë ardhur përmes programit të ndihmës amerikane për vendet e jashtme, më konkretisht përmes te ashtuquajturës 'Mbështetje për Demokracitë e Evropës Lindore'. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, të organizuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, do të japin një fond tjetër prej 400 milionë dollarësh. Uashingtoni zyrtar pret që në këtë konferencë të mblidhen më shumë se një miliard dollarë për të nxitur ekonominë e Kosovës, shtetit më të ri, por njëkohësisht edhe më të varfër të Evropës, me të ardhura për kokë banori sa një e treta e të ardhurave për kokë banori në Shqipëri, që deri para pak kohësh ishte vendi më i varfër evropian, dhe me një shkallë papunësie rreth 40 për qind. Qëllimi i ndihmës amerikane për Kosovën është mbështetja e pavarësisë dhe institucioneve të saj...

EPOKA E RE
Pasaporta e re e Republikës së Kosovës, që do të nxirret në qarkullim këtë muaj, do të njihet nga Maqedonia, edhe pse ky vend ende nuk e ka njohur pavarësinë. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë se disa prej vendeve të rajonit, si Maqedonia dhe Mali i Zi, që nuk e kanë njohur pavarësinë, kanë shprehur gatishmërinë për të njohur dhe pranuar pasaportën e re që do ta zëvendësojë atë të UNMIK-ut. Pasaportat e reja të shtetit të Kosovës do të prodhohen nga një kompani gjermane, e cila deri tash ka nxjerrë edhe dokumentet e UNMIK-ut. Ministria e Brendshme e Kosovës do t'i njoftojë nëpërmjet një shkrese zyrtare të gjitha shtetet për vënien në qarkullim të pasaportës së re, duke përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës...

KOSOVA SOT
Kosova, si shteti më i ri në botë, i cili ka fituar edhe një mbështetje relativisht të kënaqshme ndërkombëtare, që nga shpallja e deri më tash, pritet që deri në fund të këtij muaji të bëhet me emrat zyrtarë të të emëruarve të parë në zyrat përfaqësuese diplomatike të Kosovës në disa nga vendet kryesore të qendrave të vendosjes. Tashmë po bëhen tri javë që kur presidenti Sejdiu ka dekretuar themelimin e misioneve të para diplomatike të Kosovës, por emrat e përfaqësuesve që do të emërohen në këto misione ende janë duke u ruajtur në kushte të konfidencialitetit. Kjo është duke u bërë për shkak të përpjekjeve për zgjedhje sa më të mirë, por edhe të vazhdimit të konsultimeve edhe me vendet në të cilat të emëruarit do të përfaqësojnë politikën zyrtare të Kosovës. Edhe pse në institucione, Qeveri dhe Presidencë, nuk preferojnë të përmendin emra konkretë, që mund të jenë të emëruarit e parë të shtetit të Kosovës në misionet e dekretuara nga presidenti, gazeta ka mësuar se tash është në diskutim një listë emrash, e cila po shqyrtohet edhe me partnerët përkatës ndërkombëtarë për përfaqësimin e Kosovës në disa nga vendet përkatëse...
XS
SM
MD
LG