Ndërlidhjet

Pajaziti: Gjendja e sigurisë - e përshtatshme për investitorët


Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti

Gjendja e sigurisë në Kosovë është e mirë dhe stabile, thotë ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti. Duke u ndërlidhur në çështjen e investimeve të huaja dhe tani mbajtjen e Konferencës së Donatorëve, Pajaziti thotë se Kosova ofron kushte të plota sigurie për investime dhe mbështetje financiare nga jashtë.

Në Kosovë më nuk mund të flitet për çështje banale si mungesa e lirisë së lëvizjes dhe e qarkullimit të njerëzve, thotë ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti.

Ai thotë se Kosova ka arritur të krijojë një ambient të qetë e paqësor dhe se siguria, ndonëse mbetet një sfidë e përhershme, nuk është më çështja kryesore në agjendën e prioriteteve.

Duke rikujtuar thirrjet e Qeverisë për investitorët e huaj dhe tani mbajtjen e Konferencës së Donatorëve për Kosovën, ministri Pajaziti thotë se Kosova nga një vend me një siguri të brishtë, tani është shndërruar në një shtet që pret investime dhe garanton siguri për këto investime, përfshirë edhe në aspektin e sigurisë së përgjithshme.

“Në Kosovë tanimë siguria për qytetarët dhe investitorët e huaj është e mirë. Tani më nuk flitet për çështje si lëvizja e lirë e probleme të tjera. Tanimë në Kosovë flitet për zhvillimin e një shteti të ri, një shteti demokratik; tanimë në Kosovë flitet për investime të huaja, për zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë; në Kosovë tanimë po flitet për procesin e integrimeve evropiane”,
thotë Pajaziti.

Ministri Zenun Pajaziti thotë se siguria paraqet një sfidë për çdo vend. Por, komponenti i zhvillimit ekonomik, sipas tij, do të nënkuptonte shumë dhe për një shkallë shumë më të larët të sigurisë.

Po ashtu, tani kur Kosova ka statusin dhe Kushtetutën e vet, sipas ministrit, është plotësuar edhe komponenti tjetër, ai ligjor, që mundëson një funksionim më efikas të shtetit, për të garantuar siguri për të gjithë, përfshirë edhe komunitetet pakicë.

Kosova ka kaluar një gjendje të rëndë në të kaluarën, andaj edhe ofron një shkallë shumë më të lartë të sigurisë për komunitetet pakicë, çka i tejkalon standardet që aplikohen në vendet tjera të rajonit, thotë ministri Pajaziti.

“Mendoj se janë të paktë ata që nuk janë pajtuar me realitetin e ri në Kosovë. Janë të paktë ata që duan të nxisin situata ekcesive, të nxisin dhunë në Kosovë; janë të paktë ata që pretendojnë të çojnë imazhe dhune në Evropë e më gjerë nga Kosova".


“Ne jemi të përcaktuar për ta zhvilluar jetën institucionale, për ta imponuar sundimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm edhe për vështirësitë që do t’i kemi, mirëpo ky është një proces i pakthyer”, thotë Pajaziti.

Ndërsa tranzicioni nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës dhe misioni i BE-së që do të ketë përgjegjësi në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave parashihet të përmbyllet deri në fund të tetorit, ministri Pajaziti thotë se Kosova do të ketë nevojë të vazhdueshme për bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in, për të ngritur kapacitetet e saj në funksion të garantimit të një gjendjeje të qëndrueshme e stabile të sigurisë.

“Ne kemi shumë nevojë ende për mbështetje edhe financiare, edhe për mbështetje tjetër, për sa i përket nivelit të kapaciteteve tona. Këtë mund ta arrijmë vetëm në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me misionin mbështetës që tanimë është vendosur në Kosovë – EULEX”.

“Një mbështetje që na duhet jo vetëm për t’i avancuar dhe ngritur institucionet tona, por na duhet edhe për të ecur sa më shpejt drejt procesit të integrimit në Evropë”, thekson Pajaziti.

Bazuar në vlerësimet që janë dhënë nga institucionet vendore, gjendja e sigurisë konsiderohet tashmë e mirë në pjesën më të madhe të Kosovës, ndërkohë që një situatë më ndryshe paraqitet në pjesën veriore, ku autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë administrimin e tyre atje, për shkak të funksionimit të strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG