Ndërlidhjet

Ç'përfiton Kosova nga anëtarësimi në FMN e BB?


Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Ekspertët për çështje ekonomike në Kosovë janë optimistë se Kosova do të marrë përgjigje pozitive pas më së shumti gjashtë muajsh për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Aplikimi është bërë dje nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se me anëtarësim në FMN dhe në Bankën Botërore, Kosova do të fitojë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Qeveria e Kosovës tashmë ka aplikuar për anëtarësim të plotë në dy institucionet më të rëndësishme financiare, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Pavarësisht zhvillimit të dobët ekonomik të Kosovës, ekspertët ekonomikë pohojnë se Kosova i ka plotësuar kushtet për të qenë pjesë e këtyre organizatave, në momentin kur ka shpallur pavarësinë.

Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara - GAP, mendon se së shpejti Kosova do të anëtarësohet në FMN dhe në Bankën Botërore.

“Ne kemi thënë edhe në shkurt, në momentin kur e kemi shpallur pavarësinë, që Kosova mund të aplikojë në FMN dhe në Bankën Botërore. Atje vendimet merren me përqindje. Duhet t’i kemi 50 për qind të votave. Atje vota nuk është një shtet - një votë. Por, p.sh. SHBA-të i kanë 17 për qind; gati të gjitha shtetet janë anëtare të FMN-së”.


“Më në fund, ka ardhur koha mbrëmë që Kosova të aplikojë dhe mendoj se me një procedurë gjashtëmujore do të bëhemi anëtarë të këtyre dy institucioneve”, tha Ahmeti.

Një shtet duhet të jetë anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar para se të bëhet anëtar i Bankës Botërore. Edhe pse anëtarësimi në Bankën Botërore po ashtu përfshin shumë punë procedurale, prioriteti i parë duhet të jetë fillimi i negociatave me FMN-në.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Skënder Berisha, thotë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në FMN, mund të marrë përgjigje pozitive brenda pak muajsh.

“Mendoj se ajo është një procedurë. Për shembull, deri në vjeshtë mund të realizohet ky aplikacion, të cilin e ka dorëzuar Kosova”, tha Berisha.
Logo e Bankës Botërore

Më tej, zoti Berisha mendon se pas anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme financiare, shpenzimi i parave do të duhej të bëhej në stabilizimin e gjendjes ekonomike në Kosovë.

“Prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, (mjetet) zakonisht janë të dedikuara për stabilizimin ekonomik, sidomos për mbulimin e deficitit që Kosova e ka shumë të madh me botën e jashtme”.


“Kurse, mjetet e Bankës Botërore jepen për zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, pra edhe të Kosovës. Në radhë të parë, diku tri të katërtat e kredive të Bankës Botërore jepen për infrastrukturë, për ndërtimin e rrugëve, që është një prioritet në politikën ekonomike”, theksoi Berisha.

Ndërsa, për ekspertin Shpend Ahmeti, mënyra më e mirë për shpenzimin e parave do të ishte reforma në të gjitha lëmitë ekonomike e sociale.

“Mënyra më e mirë do të ishte që t’i bëjmë reformat, sepse zakonisht Banka Botërore jep fonde me kushte, të cilat janë reformat që një shtet duhet t’i plotësojë për t’i marrë ato kredi. Prandaj, këto paraqiten si motiv për shtetin që t’i bëjë reformat për të marrë kredi - zakonisht reforma në fushat sociale dhe në gjëra të ndryshme për zhvillimin e shtetit”.

“Njëjtë edhe me FMN-në - po flasim për reformat në aspektin e stabilitetit makro-fiskal të një shteti. Prandaj, vetë fakti që do të marrim këshilla nga këto dy institucione në mënyrë më aktive se që kemi marrë deri sot, është një shenjë shumë pozitive”, tha Ahmeti.

Ndryshe, Shpend Ahmeti thotë se edhe pas anëtarësimit të Kosovës në organizatat financiare, institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes që të mos zhyten në borxhe të mëdha nga FMN-ja dhe Banka Botërore.

“Këto dy institucione janë si bankat komerciale kur u japin kredi individëve. Zakonisht, atyre individëve që nuk mund t’i kthejnë paratë, nuk u japin borxhe. Prandaj, janë shumë të kujdesshme që të mos merren shumë borxhe, që më vonë të ketë probleme fiskale në një shtet, që të mos mund të kthehet borxhi”, tha Ahmeti.

Një shteti anëtar në FMN i caktohet kuota, që është proporcionale me nivelin e ekonomisë së atij shteti, si dhe potencialit që ka ajo ekonomi.

Kuota e një anëtari në FMN përcakton shumën e parapagimit – Kosova duhet të paguajë një shumë parapagimi në përputhshmëri me kuotën. Ende nuk dihet se sa do të jetë kjo kuotë.
XS
SM
MD
LG