Ndërlidhjet

Si të shpenzohen mjetet e donatorëve?


Pamje në Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza

Pamje në Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza

Ekspertët ekonomikë nuk janë optimistë se pas Konferencës së Donatorëve, rezultatet do të vërehen për një periudhë afatshkurtër. Ata thonë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë përgjegjëse ndaj menaxhimit të mjeteve të fituara nga kjo konferencë.


Mjetet e fituara nga Konferenca e sotme e donatorëve do të jenë një sfidë dhe test për institucionet e Kosovës, për mënyrën e menaxhimit të tyre.

Kështu pohojnë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, fondet e fituara nga kjo konferencë duhet të menaxhohen në mënyrë efikase për projektet, të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Ndryshe, në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, Qeveria e Kosovës ka caktuar gjashtë prioritete që kanë nevojë urgjente për investime, e që kushtojnë mbi një miliard euro. Sektorët kryesorë janë transporti, infrastruktura, energjia, arsimi, shëndetësia dhe shumë sektorë tjerë që janë jetikë për jetën e qytetarëve.

Por, përveç Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë kanë përgatitur edhe mbi 500 projekte të tjera, realizmi i të cilave kërkon miliarda euro.

Ekspertët e ekonomisë pajtohen me prioritetet e Qeverisë, por, sipas tyre, në radhë të parë duhet të jetë zhvillimi ekonomik. Eksperti Bedri Selmani pohon se kjo Konferencë do të ndikojë që të ndihmohen dhe të kalohen vështirësitë për përmirësimin e gjendjes së këtyre sektorëve, sa i përket mjeteve materiale.

“Mendoj se gjatë tre vjetëve të ardhshëm, kjo qeveri ka një shans të mirë që t’i shfrytëzojë këto mjete, me qëllim që njëherë e përgjithmonë të bëjë reformimin e këtyre sektorëve që janë të domosdoshëm. Këtu e kemi fjalën në radhë të parë për sektorin e shëndetësisë, që është në një gjendje jashtëzakonisht të pavolitshme”, tha Selmani.

Por, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, nuk është optimist se nga Konferenca e sotme, rezultatet do të vërehen për një periudhë afatshkurtër. E rëndësishme, sipas Shahinit, është që fondet e fituara të shfrytëzohen për zbutjen e gjendjes sociale, përmes investimeve në sektorin privat.

Ndryshe, në Kosovë, mbi 45 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq afër 50 për qind e qytetarëve janë të papunë. Shpresa e vetme e këtyre qytetarëve, Shahini thotë se është Konferenca e sotme e donatorëve dhe mjetet e fituara nga donatorët.

“Nëse këto para futen në një formë apo tjetër në sektorin privat, sektori privat do të zhvillohet dhe këto para kurrë nuk do të jenë të humbura nga donatorët, sepse do të gjenerojnë vende të reja të punës dhe Kosova do të kalojë nga një asistencë sociale në një zhvillim ekonomik”, pohon Shahini.

Bedri Selmani pohon se përmes donacioneve, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

“Të gjitha mjetet që vijnë nga donacionet, janë mjete që jepen për shkak se gjendja e përgjithshme ekonomike e shtetit të ri, është mjaft e pavolitshme. Këto mjete janë një ndihmë e vogël dhe për këtë arsye duhet t’i respektojmë si të tilla. Duhet të largohemi nga iluzionet se këto mjete do të nxisin ndonjë zhvillim ekonomik”, tha Selmani.

Por, Agim Shahini thotë se kjo Konferencë nuk do të ndikojë në jetën e qytetarëve, për shkak se pjesa më e madhe e fondit të fituar do të shkojë në pagimin e borxhit të jashtëm të Kosovës, që i ka mbetur nga koha e ish-Jugosllavisë.

Por, megjithatë, ai thotë se edhe pa ndihmën e donatorëve të jashtëm, Kosova e ka të vështirë t’i paguajë borxhet e jashtëm. Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar 400 milionë dollarë, nga të cilat 150 milionë do të shfrytëzohen për shpagimin e borxheve të jashtme.

Duke aluduar në këtë, thashë se qytetari nuk do ta shohë atë përmirësim të jetës së tij, sepse këto para do të shkojnë në borxhe. Por, sikur të mos ishin këto para, duhet të hiqen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, duhet të hiqen nga xhepat e Kosovës. Kur është te borxhet e jashtme, duhet të verifikohen se a janë ato para që janë investuar në Kosovë”, tha Shahini.

Ndryshe, pavarësisht shumës së fituar në Konferencën e sotme, institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme në shpenzimin e atyre mjeteve, tha Agim Shahini.

“Qeveria e Kosovës duhet të shprehë një gatishmëri që të jetë e përgjegjshme ndaj fondeve, ndaj qytetarit, ndaj të gjithë atyre që i ndihmojnë Kosovës. Duhet të jetë e gatshme që të luftojnë korrupsionin, duhet të jetë e gatshme që të bëjë reforma dhe të gjitha këto tregojnë një përgjegjësi të rritur, një përgjegjësi të pjekur ndaj donatorëve dhe ndaj institucioneve ndërkombëtare”, u shpreh Shahini.

Sidoqoftë, Konferenca e Donatorëve për qytetarët kosovarë është shpresa kryesore pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, për rritjen e numrit të të punësuarave dhe uljen e shkallës së varfërisë.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë tashmë sa herë kanë deklaruar se as kjo Konferencë nuk do të sjellë ndonjë mrekulli në përmirësimin e standardit të qytetarëve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG