Ndërlidhjet

logo-print

Wisner: Kosova e Serbia të bisedojnë si dy vende sovrane


Frank Wisner

Frank Wisner

"Pika e hapjes së bisedimeve duhet të jetë e qartë: Kosova është e pavarur. Bisedimet duhet t'i shohim si bisedime mes dy vendeve sovrane. Mbi këtë bazë ka shumë për të biseduar", thotë Frank Wisner, emisar i SHBA-ve për statusin e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Wisner, kreu i Kombeve të Bashkuara ka propozuar bisedime të reja mes Prishtinës e Beogradit mbi çështjet me interes të përbashkët. A mund të jenë të suksesshme këto bisedime, duke ditur se Serbia nuk pranon ta njohë Kosovën?

FRANK WISNER
Do të ndalesha në disa pika të thjeshta e të qarta. Ekziston gjithmonë nevoja e dialogut Prishtinë-Beograd.

Unë mirëpres dhe të gjithë duhet të mirëpresin faktin se Sekretari i Përgjithshëm ka vënë kornizën për një dialog të tillë.

Të dyja palët duhet të jetojnë bri njëra-tjerës në paqe dhe duhet të gjejnë rrugët për bashkëpunim.

Por, pika e hapjes së bisedimeve duhet të jetë e qartë: Kosova është e pavarur dhe mbi 40 vende e kanë njohur pavarësinë. Një shtet i ri ka lindur.

Bisedimet duhet t'i shohim si bisedime mes dy vendeve sovrane. Mbi këtë bazë, qoftë ajo eksplicite apo implicite, ka shumë për të biseduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Propozimi i Ban Ki Mooni-it lidhur me konfigurimin e pranisë ndërkombëtare ka elemente që ndryshojnë Planin Ahtisaari. A mund të ndryshojë ky plan dhe nëse po, cilat janë pasojat?

FRANK WISNER
Më duhet të pranoj se nuk e kam studiuar në detaje propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Në një plan më të gjerë, propozimi i tij për të rikonfiguruar UNMIK-un është bërë në kohën e duhur dhe është i mirëpritur. Sa i përket detajeve nuk do të mund të flisja.

Do të thosha se Plani Ahtisaari është një plan i gjerë, por i ngritur mbi disa parime bazë, të cilat nuk mund të ndryshohen dhe jam i bindur se nuk do të ndryshojnë.

Këtu hyjnë respektimi i pakicave, njohja dhe respektimi i komunave me shumicë serbe në Kosovë, pjesëmarrja e pakicave në institucionet qendrore, aftësia e Qeverisë së Kosovës për t'i mbrojtur qendrat kulturore e fetare të Kishës Ortodokse serbe.

Këto janë elementet kyçe dhe duhet të përmbushen nga të gjitha palët.

E di që propozimi i Ahtisaarit kërkon ngritjen e forcave të sigurisë dhe elemente të tjera që i shokjnë për shtat një shteti sovran e modern.

Propozimi Ahtisaari ishte i gjerë dhe krijoi bazën për Kosovën e pavarur. Unë nuk shoh ndonjë arsye për ta ndryshuar dhe nuk besoj se do të rishkruhet.

Ishte pikërisht mbi këtë propozim që Kosova u bë e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosovarët kanë shqetësime serioze lidhur me pushtetin tre apo katër-polar, duke pasur parasysh UNMIK-un, EULEX-in, Qeverinë e Kosovës. Sa dhe si e dëmton funksionalitetin e shtetit të ri një gjë e tillë?

FRANK WISNER

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe nxjerr në pah rrugën komplekse që ndoqi Kosova për t'u bërë e pavarur. Nuk patëm miratimin e Këshillit të Sigurimit për pavarësinë e Kosovës, çfarë u bllokua nga Rusia.

Ka shumë paqartësi dhe e bën shumë të vështirë për Kosovën që t'i sendërtojë qasjet nën kaq shumë mbikëqyrje.

Në të njëjtën kohë, dua të theksoj se objektivi më kryesor është arritur: Kosova është e pavarur, është një pavarësi e mbikëqyrur dhe një pavarësi që u jep të gjitha të drejtat pakicave.

Këto janë thelbi i asaj nga duhet të ecë Kosova në të ardhmen.

Kosova duhet të fokusohet në çështjet themelore të shtetit të ri, që janë ndërtimi i institucioneve, zhvillimi i ekonomisë dhe t'u japë shpresë qytetarëve të saj për një jetë më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zbatimi i Planit Ahtisaari kërkon bashkëpunimin e disa palëve, përfshirë dhe Serbinë. Kryeministri i ri serb përsëriti se Beogradi nuk do të heqë dorë nga Kosova. A mund të presim që në një të ardhme të afërt politika serbe ndaj Kosovës do të ndryshojë?

FRANK WISNER
Nuk besoj se Serbia do të heqë dorë nga sovraniteti i saj mbi Kosovën, me gjithë faktin se Kosova është e pavarur dhe është njohur nga shumë shtete.

Ky është qëndrimi i ngulitur në jetën politike serbe dhe nuk do të ndryshojë.

Në të njëjtën kohë, dua të mendoj se si njerëz praktikë, që marrin parasysh interesin e serbëve të Kosovës, do mund të gjejnë mënyrën për të bashkëjetuar paqësisht këto dy shtete.

Ka arsye që këto dy shtete të bisedojnë me njëri-tjetrin, me gjithë faktin se ka mosmarrëveshje, që vijnë nga Qeveria serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova është njohur nga 43 shtete, në mesin e të cilave janë dhe demokracitë kryesore. Por, ka një ngadalësim të ritmit të njohjes së shtetit të ri. A është kjo shqetësuese?

FRANK WISNER

Nuk jam aspak i shqetësuar. 43 shtetet që e kanë njohur Kosovën, janë kyçe për të ardhmen e saj. Aty janë shtetet kryesore evropiane, të Amerikës së Veriut, Japonia, që njëherësh i ofrojnë ndihmë ekonomike Kosovës.

Ajo që është bazike në fillimin e një shteti të ri, është bërë. Kjo është e rëndësishme.

Do të ishte mirë të kemi një njohje më të gjerë, por kjo do të bëhet me durim, kujdes dhe punë. Mendoj se esencialja është realizuar dhe të tjerat do të bëhen ngadalë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG