Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina e çmon lart mbështetjen nga donatorët


Qeveria e Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës

Mbështetja financiare për Kosovën, nga zyrtarët kosovarë shihet si mbështetje për shtetin më të ri në Evropë që pas pavarësisë politike, të fitojë edhe pavarësinë ekonomike.

Konferenca e Donatorëve është një e arritur për Kosovën dhe tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet tjera nuk e kanë lënë anash Kosovën dhe zhvillimin e saj si shtet, thonë përfaqësues politikë kosovarë.

Dje, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka cilësuar mbështetjen e Kosovës në këtë Konferencë si një hap që shkon përtej njohjes diplomatike dhe si një mbështetje për Kosovën në rimëkëmbjen e saj si shtet i qëndrueshëm.

Ndërkohë, edhe analistë e deputetë kosovarë e çmojnë lart gatishmërinë e treguar nga vende të shumta botërore që ta ndihmojnë Kosovën.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Ali Jakupi, thotë se Konferenca mund të cilësohet si një e arritur e madhe për Kosovën.

“Me këto para, që megjithatë nuk janë shumë e vogël, mund të zgjidhen disa probleme. Në qoftë se Qeveria është në gjendje ashtu siç premton t'i menaxhojë projektet dhe këto investime, do t'i bëjë disa kthesa, ndonëse nuk mund të presim që prej kësaj Konference të Donatorëve ne t'i zgjidhim problemet".

"Por, megjithatë, në mënyrë parciale, disa probleme, sidomos në infrastrukturë, mund të zgjidhen, dhe kjo është një çështje shumë pozitive, sepse infrastruktura ndikon në zhvillimin e tërësishëm të ekonomisë”, tha Jakupi.

Me vlerësime pozitive për rezultatet e Konferencës së Donatorëve paraqitet edhe opozita. Deputeti i nga radhët e AAK-së, Ethem Çeku, thotë se shuma që i është premtuar Kosovës do të jetë e mjaftueshme për një progres të caktuar në fusha të ndryshme të ekonomisë së Kosovës.

“Kjo është një punë shumë e madhe që është bërë nga institucionet e Kosovës edhe gjatë mandatit të kaluar dhe është një hap shumë i mirë për një progres të caktuar në fushën ekonomike të Kosovës, posaçërisht kur e dimë se një pjesë e mirë e këtyre fondeve do të shkojë për investime kapitale dhe këto investime kapitale normalisht që do të gjenerojnë edhe vende të reja të punës dhe një zhvillim të mirë ekonomik”, vlerëson Çeku.

Ndërkohë, besimi që i është dhënë zhvillimit të Kosovës në Konferencën e Donatorëve, konsiderohet nga Ali Jakupi si hap i rëndësishëm dhe si lehtësim për Kosovën që tani të aplikojë për anëtarësim edhe në institucionet monetare ndërkombëtare.

“Është plotësisht e mundur që edhe në institucionet e tjera të aplikojmë, sepse pikërisht në këtë Konferencë Donatorësh është bërë një hap që vlerëson se Kosova e ka subjektivitetin e vet, është një shtet i ri, i pavarur, i cili vërtet duhet të gjejë modalitete që të zhvillohet dhe të bëhet edhe në aspektin ekonomik i pavarur, sepse pa pavarësi ekonomike, pavarësia politike gjithmonë do të jetë e brishtë”, thotë Ali jakupi.

Mbi 1.2 miliard eurot e premtuara nga donatorët, sipas zyrtarëve në Prishtinë, do të jenë mjete të mjaftueshme për zhvillim në fusha të caktuara, duke pasur parasysh se me investime do të mund të gjenerohen para në të ardhmen, ndërkohë që tërhiqet edhe vërejtja se Kosova do të ketë nevojë edhe për mjete tjera që mund të sigurohen përmes kredive dhe projekteve tjera që do të mund të mbështeten nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG