Ndërlidhjet

Bamir Topi: Ardhmëria e shqiptarëve nuk është Shqipëria e Madhe por Evropa e Madhe.


Përkundër qëndrimeve diametralisht të kundërta lidhur me Kosovën, Shqipëria do të bëjë çdo gjë të mundshme që raportet me Serbinë të zhvillohen për të mirën e të dy palëve, deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Zoti Topi mëtutje tha se e gjithë kjo është në funksion të qëllimit më të lartë, që është integrimi në strukturat evroatlantike, në mëynrë që rajoni të kthehet në hapësirë të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit. Këto komente ai i bëri në intervistën që i dha agjencisë beogradase të lajmeve, Beta.

Presidenti Bamir Topi tha se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja më adekuate politike jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por edhe për gjithë rajonin.

Në pyetjen se, ende ka frikësime nga krijimi i Shqipërisë së Madhe, pas pavarësisë së Kosovës, presidenti Bamir Topi tha se ardhmëria e shqiptarëve nuk është Shqipëria e Madhe por Evropa e Madhe.

Ai u shpreh kundër ndarjes së Kosovës, duke theksuar se e vetmja mënyrë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon është Kosova e pavarur në kufijtë ekzistues.
XS
SM
MD
LG