Ndërlidhjet

logo-print

“Paratë e donatorëve s’do ulin papunësinë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Përkundër qëndrimeve diametralisht të kundërta mbi Kosovën, Shqipëria do të bëjë çmos që marrëdhëniet me Serbinë të zhvillohen në dobi të dyanshme, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë serbe “Beta” presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi... Në pyetjen se cilat janë shkaqet kryesore për mbështetjen e tij të fuqishme personale të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Shqipërisë është përgjigjur se vazhdon të jetojë me bindjen se pavarësia e Kosovës ka qenë zgjidhja më adekuate politike jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për regjionin e tërë. Pavarësia e Kosovës ka qenë ankthi i fundit politik, por edhe psikologjik i zgjidhjes përfundimtare të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pavarësi e cila ka respektuar procesin e rëndësishëm e transparent, i cii është mbikëqyrur nga ana e faktorëve të autorizuar ndërkombëtarë, dhe i cili nuk ka mundur të zgjatë në pafundësi, ka thënë Topi. Shefi i shtetit shqiptar ka thënë se lindja e shtetit të ri të kosovar ka zgjidhur një problem të moçëm, për të cilin të gjithë kanë qenë të bindur se hap perspektivë evropiane, duke krijuar hapësirë sigurie e stabiliteti afatgjatë, të volitshëm për shumë investime të rëndësishme...

EXPRESS
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në një takim dyditor në Bruksel gjatë fundjavës, kanë konfirmuar mbështetjen që do të japë aleanca në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. "NATO do të mbikëqyrë shpërbërjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës", ka thënë zëdhënësi James Appathurai.
Ai ka shtuar se FSK-ja do të jetë një force e re profesionale dhe Shumetnike, e cila do të jetë e armatosur lehtë. Fillimisht, sipas zyrtarëve të NATO-s, FSK-ja do të merret me reagime ndaj krizave, çmontimin e eksplozivëve dhe mbrojtjen civile. "Ne jemi pajtuar sot të zbatojmë detyrat e reja të NATO-s në Kosovë", ka thënë Sekretari i Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer. "Me këtë vendim, NATO-ja do të jetë në gjendje të ndihmojë Kosovën në përmirësimin e institucioneve të domosdoshme demokratike", ka shtuar ai...

KOHA DITORE
Pavarësisht pritjeve të kosovarëve se mbështetja prej 1.2 miliardë euro marrë nga Konferenca e Donatorëve do të përmirësojë jetën e tyre në aspektin ekonomik, asnjë projekt që do të hapte vende të reja pune nuk është prezantuar në këtë konferencë. Analistë kosovarë kanë thënë se mbështetja që ka marrë Kosova në Konferencën e Donatorëve më shumë është një ndihmë në funksionalizimin e sistemit të brendshëm, në përmirësimin e qeverisjes, luftimin e korrupsionit, në mënyrë që të krijojë besim në donatorët për të investuar në të ardhmen në Kosovë, sesa që ka ndikim drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Raporte të organizatave ndërkombëtare dëshmojnë për gjendje të rëndë sociale të kosovarëve, rreth 45 për qind e të cilëve, sipas të dhënave të Bankës Botërore, ende jetojnë në varfëri, si dhe 15 për qind prej tyre rrezikohen nga varfëria duke u ballafaquar me probleme ekzistenciale të jetesës. Musa Limani, profesor ligjërues në Fakultetin Ekonomik në UP, ka potencuar se mjetet që ka përfituar Kosova nga Konferenca e Donatorëve janë mjaft pozitive për Kosovën, por kjo nuk do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në uljen e papunësisë. Limani ka thënë se këto mjete do të shkojnë në asistencë teknike, trajnime dhe simpoziume të tjera...

BOTA SOT
Koalicioni qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së, megjithëse dy javë më parë u duk se ka një krizë të bashkëqeverisjes, (pas konfliktit verbal në mes të Limajt të PDK-së e Osmanit të LDK-së), pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Donatorëve në Bruksel ka dëshmuar të kundërtën: në mes të LDK-së e PDK-së gjithçka është OK. ndërkaq në mes partive opozitare raportet janë "pikë e pesë". Fakti se në Bruksel janë ftuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare, AKR-së e LDD-së dhe jo edhe të AAK-së, është një sinjal se koalicioni qeverisës ia ka arritur qëllimit, që të bëjë për vete "opozitën demokratike" por jo edhe "opozitën e rebeluar". Ç'është e vërteta ka kohë që vetë kryeministri Hashim Thaçi disa herë i ka falënderuar dy partitë opozitare, AKR-në dhe LDD-në, duke i quajtur si "opozitën demokratike" për qëndrim korrekt e demokratik ndaj Qeverisë së Kosovës, duke veçuar partinë tjetër opozitare, AAK-në, për sjellje "të papërgjegjshme"... Por, pse Qeveria e Kosovës nuk e ka ftuar AAK-në në Konferencën e Donatorëve dhe a e ka përçarë Qeveria e Kosovës edhe më shumë opozitën edhe ashtu të copëtuar? Ahmet Tsufi, nënkryetar i AAK-së, nuk i di arsyet pse partia e tij ka qenë e vetmja parti opozitare qe nuk është ftuar të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve...

LAJM
I tërë procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka gjasë të kthehet përmbys për shkak të problemeve rreth listës së emrave në garën e ngushtë dhe reagimeve për njërin nga kandidatët. Burime të "Lajmit" nga Kryesia e Kuvendit kanë shpjeguar në kushte anonimiteti se ka gjasë që sërish të anulohet konkursi dhe të kthehet çdo gjë nga e para. Ndërkohë që është paraparë qe në javën e dytë të shtatorit të rifillojë procedura për zgjedhjen e Ombudspersonit. "Vonesat janë bërë për shkak se kandidatura e Murat Jasharit ka hasur në kundërshtime të forta nga pakicat dhe ndërkombëtarët. Jashari deri më tani ka pasur gatishmërinë që të tërhiqet nga gara pikërisht për shkak të këtyre kundërshtive. Në raste normale procedura mund të vazhdojë me kandidatin e radhës që ka marrë më së shumti pikë sipas listës, por njëherë për njëherë, nuk ka gatishmëri për të shkuar në këtë mënyrë", tha ky burim. Murat Jashari, Diana Toska dhe Sami Kurteshi ishin tre pretendentët me numrin më të madh të pikave të marra nga Komisioni për Çështje Legjislative i Kuvendit në garën për udhëheqës të institucionit të Ombudspersonit, por Kuvendi duket se edhe më tej do ta shtyjë këtë proces...

KOSOVA SOT
Analistët politikë dhe monitoruesit e Parlamentit thonë se pjesa më e madhe e opozitës po e humb kredibilitetin e vet me konfirmimin e saj ndaj situatave të krijuara nga Qeveria. Pompoziteti me të cilin është munduar të imponohet opozita kosovare, duke paralajmëruar ashpërsimin e kontrollit ndaj koalicionit qeverisës fill pas konsolidimit të legjislaturës së re, është zhbërë si shkumë sapuni që në ditët e para të jetës parlamentare dhe të Qeverisë së re të Kosovës. Për plot 6 muaj punë të Kuvendit të Kosovës, subjektet politike parlamentare, veç pyetjeve të zakonshme që bëjnë ndaj kabinetit qeveritar, që janë bërë një lloj parathënieje e fillimit të punës së seancave parlamentare, nuk ka pasur ende as edhe një nismë të vetme për interpelancë ndaj ndonjërit nga përfaqësuesit e kabinetit qeveritar. Analistët e pavarur këtë lloj heshtjeje të opozitës së re kosovare e konsiderojnë si një paaftësi për të ushtruar kontroll të mirëfilltë mbi institucionet qeveritare të koalicionit të ri, ngase ka hapësirë të mjaftueshme edhe për kritika konstruktive, por edhe për tema parimore dhe të nevojshme që do të duhej iniciuar për debat...

EPOKA E RE
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se Qeveria e Serbisë "e ka keqpërdorur Kosovën", në mënyrë që t'i sigurojë votat dhe mandatin për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Janjiq ka thënë se caktimi i mbledhjes së Kuvendit të Serbisë për të mërkurën, më 16 korrik, në të cilën pika e parë e rendit të ditës do të jetë Propozim-Rezoluta për kontinuitetin e politikës shtetërore ndaj Kosovës, paraqet manipulimin e Kosovës. "Duke siguruar votat dhe mandatin për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe marrëveshjet e gazit me Rusinë nëpër Kosovë, është dëshmi e dobësimit, dhe jo e fuqisë së një politike", ka theksuar Janjiq. Rezoluta në esencë, siç ka vlerësuar Janjiq, nuk do të sjellë ndryshime në veprimin praktik dhe do të jetë njëra nga dhjetëra marrëveshjet, çfarë Vojislav Koshtunica - Boris Tadiq kanë miratuar në katër deri pesë vjetët e fundit...

INFOPRESS
Pasaportat e Republikës së Kosovës janë duke u prodhuar në Lajpcig të Gjermanisë dhe i plotësojnë të gjitha standardet evropiane. Dizajni dhe të dhënat personale janë bërë me teknologjinë më të përsosur dhe është e pamundur të falsifikohen. Kjo pasaportë i plotëson të gjitha rekomandimet e organizatës ndërkombëtare të aviacionit civil dhe të Bashkimit Evropian, pasi teknika e prodhimit të pasaportave ka shkuar sipas propozimeve të dhëna nga BE-ja. Siguria e pasaportave është e nivelit mjaft të lartë, sepse të dhënat personale të shënuara në pasa-portë janë të dukshme vetëm përmes rrezeve ultraviolete. Pasaportat e shtetit të Kosovës vlerësohen lart edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjermani; ata theksojnë se nuk duhet të ekzistojë asnjë lloj dyshimi dhe frike sa i përket cilësisë së pasaportave. Pasaportat e reja do t'u shpërndahen te gjitha shteteve anëtare të OKB-së; kjo do të bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim që ato të shohin nga afër pasaportat e reja të Republikës së Kosovës...




XS
SM
MD
LG