Ndërlidhjet

Vazhdon dilema rreth zgjedhjeve


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare është në shqyrtim e sipër nga Zyra Civile Ndërkombëtare. Partitë në pushtet s'janë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve siç parashihet me Planin Ahtisaari, ndërsa opozita mbështet mbajtjen e tyre.




Në udhëzuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare për përmbushjen e detyrave që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, çështja e mbajtjes së zgjedhjeve mbetet të rishqyrtohet.

Pakoja e Ahtisaarit parasheh që zgjedhjet të mbahen më së largu nëntë muaj pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. Por, për këtë çështje vazhdojnë të kenë mospajtime partitë në pushtet dhe ato në opozitë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, thotë se çështja e zgjedhjeve tashmë ka përfunduar.

“Ne besojmë se çështja për zgjedhjet ka përfunduar dhe është mandati katërvjeçar. Nuk kemi çka e diskutojmë, por nëse shtrohet për debat ne jemi të gatshëm. Edhe nëse merret vendim eventual i dakorduar politikisht, që të shkojmë në zgjedhje, nuk i frikësohemi. Ne jemi të gatshëm që të shkojmë, sepse do të dalim edhe më të fituar sesa që jemi tash”, tha Buja.

Por, Ibrahim Makolli, nga subjekti opozitar Aleanca Kosova e Re, shprehet se mbajtja e zgjedhjeve përcaktohet qartë në pako dhe askush, sipas tij, nuk mund t’i shmanget detyrave qe dalin nga pakoja.

“Përderisa Kosova po funksion në bazë të propozimit të Ahtisaarit, përderisa e tërë infrastruktura ligjore po krijohet në këtë substancë, atëherë gjithsesi se çdo vendim tjetër e abrogon këtë dokument”.

“Kështu që unë konsideroj se çdo përpjekje për t’i ikur cilësdo pjese të Pakos Ahtisaari, krijon mundësi për anashkalim edhe të çështjeve tjera. Konsideroj se nuk duhet të ketë kalkulime as nga pozita e as nga opozita, sepse mbajtja e zgjedhjeve është çështje kushtetuese dhe duhet vepruar në pajtim me Kushtetutën”, tha Makolli.

Por, shpjegim tjetër për dinamikën e zbatimit të pakos së Ahtisaarit jep nënkryetari i partnerit qeverisës - LDK-së, Eqrem Kryeziu.

“Pakoja e Ahtisaarit ka paraparë dinamikë tjetër, por ra Federata Ruse dhe prishi dinamikën. Përndryshe, sipas dinamikës së Ahtisaarit, edhe zgjedhjet janë mbajtur më 17 nëntor”, tha Kryeziu, i cili qëndrimin për mosmbajtjen e zgjedhjeve e mbështet në vendimin e shefit të UNMIK-ut që institucionet të kenë mandat katërvjeçar.

“Nuk do harrur fakti se këto zgjedhje janë me mandat katërvjeçar, janë shpallur si të tilla me vendim të PSSP-së dhe kanë mandatin katërvjeçar. Por, nëse ka konsensus të përgjithshëm, ajo është çështje tjetër, është çështje e vullnetit politik përfshirë edhe koalicionin qeverisës”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, Ernest Luma, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pohon se zgjedhjet duhet të mbahen, meqë, sipas tij, Kosova nuk mund t’iu ikë obligimeve që dalin nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin.

“Që prej fillimit kemi thënë se nëse duam ta respektojmë dokumentin e Ahtisaarit, atëherë duhet ta respektojmë në tërësi dhe jo pjesë-pjesë. Çështja e zgjedhjeve duhet të respektohet dhe zgjidhet konform me dokumentin gjithëpërfshirës, disa muaj pas zgjidhjes së statusit. Dhe, në këtë rast, si AAK, kemi pasur mirëkuptimin e partnerëve në Kosovë, edhe të atyre që kanë përgjegjësinë për vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Luma.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj se zgjedhjet duhet të mbahen. Besa Gaxherri, nga ky subjekt politik, thotë se për shkak të rrethanave, LDD-ja nuk kërkon zgjedhjet menjëherë këtë vit, por në vitin e ardhshëm.

“Sa i përket LDD-së, mendojmë se e arsyeshme është që mos të kërkojmë me çdo kusht që zgjedhjet të mbahen këtë vit, por këtë vit duhet përgatitur me legjislacion dhe me parakushtet, dhe në fillim të vitit të ardhshëm të hyjmë me zgjedhje”, tha Gaxherri.

Sidoqoftë, Ramë Buja thotë se ndryshe nga pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës tashmë ka sqaruar çështjen e zgjedhjeve, meqë me dokumentin më të lartë ligjor institucionet kanë mandat katërvjeçar, që, sipas tij, nënkupton se edhe zgjedhjet do të mbahen kur të skadojë ky mandat.

Por, opozita hedh poshtë këtë mundësi, duke argumentuar se zgjedhjet e 17 nëntorit janë mbajtur duke pasur për bazë kornizën kushtetuese. Sipas tyre, vetëm ato institucione që dalin nga zgjedhjet e mbajtura në bazë të Kushtetutës së Kosovës, do të kenë mandatin katërvjeçar siç parashihet me këtë dokument.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG