Ndërlidhjet

Shala: Kosova përfitoi më shumë se ç’kërkoi


Ahmet Shala

Ahmet Shala

“Kjo e tejkalon kërkesën tonë, sepse këto 1.2 miliard euro pothuajse janë të zotuara vetëm për dy vjetët e parë, ndërsa ne, 1.4 miliard i kemi kërkuar për tre vjet”, thotë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, të premten është mbajtur Konferenca e Donatorëve, nga e cila Kosova ka fituar 1.2 miliard euro. A është kjo shumë e mjaftueshme për ju, pasi që kërkesa ka qenë më e lartë?

AHMET SHALA
Në fakt, kjo e tejkalon kërkesën tonë, sepse këto 1.2 miliard euro pothuajse janë të zotuara vetëm për dy vjetët e parë, ndërsa 1.4 miliard mungesë financiare për të realizuar prioritetet që i ka përcaktuar Qeveria e Kosovës në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, kanë qenë për tre vjet.

Kështu që në njëfarë mënyre kemi tejkaluar parashikimin tonë dhe mund të them se kjo ka qenë një sukses i Qeverisë së Kosovës, sukses i cili nuk do të ndodhte, sikur të mos kishim treguar një punë të përkushtuar të koordinimit të mirëfilltë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe një lidership, nëse mund të them të kristalizuar, që e përshkon Qeverinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga shumë prej 1.2 miliard eurosh që i është premtuar Kosovës, a është e vërtetë se një pjesë do t’i ndahet EULEX-it dhe nëse po, sa është kjo shumë?

AHMET SHALA
EULEXI-in dhe të tjerat nuk i përfshijnë këto. Janë çështje tjera jashtëbuxhetore. Disa nga shtetet kanë në kuadër të propozimeve të veta edhe përfshirjen e shpenzimeve të disa prej shpenzimeve që merr EULEX-i. Mirëpo, në përgjithësi, këto para do t’i orientojmë në prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Disa nga shtetet, përveç kësaj ndihme, kanë paraparë edhe ndihma në mbështetjen e institucioneve të tjera ndërkombëtare që janë këtu në Kosovë dhe ato do të jenë ndihma të tjera buxhetore dhe jo të përfshira në këto 1.2 miliard.

Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që sa më shpejt t’i ndërtojmë institucionet dhe të bëjmë derdhjen e këtyre mjeteve në fondin e Bankës Botërore, aty ku faktikisht do të krijohen dy fonde, fondi për zhvillime humane dhe fondi për shlyerjen e borxheve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te borxhet ndërkombëtare, është thënë se 200 milionë euro do të shfrytëzohen për borxhin e jashtëm. Sa po mbeten për shpenzimet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik?

AHMET SHALA
Natyrisht se një nga sfidat me të cilat Kosova si shtet i ri do të ballafaqohet, është edhe shlyerja e borxheve që Kosova ka ndaj Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, e të cilat do të ulemi në bashkëveprim me këto institucione t’i bashkëbisedojmë.

Por, në të njëjtën kohë, të programojmë edhe një shumë të caktuar të buxhetit të Kosovës, që tani në mbledhjen e kaluar të Qeverisë së Kosovës u vendos, që ne si Qeveri kemi ndarë 55 milionë euro – një fond të veçantë, i cili kryesisht mund të përdoret për shlyerjen e borxheve nga buxheti i Kosovës.

Ndërsa, disa nga donatorët janë shprehur të gatshëm që të participojnë edhe ata në këtë fond dhe kjo është një shenjë e mirë, sepse konsideroj se dy gjëra arrihen: një, Kosova shumë seriozisht i qaset këtij problemi dhe është partner serioz për të bashkëbiseduar si shtet i pavarur.

Dhe, dy, duke u zotuar për t’i shlyer këto borxhe, Kosova në të njëjtën kohë shpreh gatishmërinë për hyrje në negociata të drejtpërdrejta me institucionet financiare ndërkombëtare, për të bashkëbiseduar për kredi të mundshme, të buta, për zgjidhjen e disa problemeve që paraqiten në sektorë të ndryshëm, qofshin në infrastrukturë, në bujqësi, në të gjitha ato prioritete që i ka përcaktuar Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do t’i menaxhojë këto mjete?

AHMET SHALA
Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka ekzistuar Qendra për Koordinimin e Donacioneve, por edhe Zyra për Integrimin Evropian.

Ne jemi në bashkëbisedim me partnerët tanë ndërkombëtarë që të bëjmë një strukturë të saktë, një sekretariat nëse mund të them ose një grup profesionistësh, i cili do të përkrahet edhe nga donatorët dhe në bashkëpunim me ta, të përcjellë me saktësi alokimin e këtyre mjeteve dhe përcaktimin e këtyre mjeteve konform prioriteteve që i kemi caktuar.

Jemi zotuar në Konferencën e Donatorëve se kjo do të ndodhë brenda 90 ditëve nga dita e Konferencës dhe ne besojmë se këtë do ta bëjmë shumë më shpejt se 90 ditë, me qëllim që të jemi të gatshëm për t’i dalë përballë fluksit të derdhjes së mjeteve konform kërkesave tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët e ekonomisë shprehin dyshimin në menaxhimin e mjeteve të fituara. Sa ka kapacitete Qeveria në menaxhimin efikas të tyre?

AHMET SHALA
Në fakt, deri më tani ka pasur mjaft problem ekzekutimi i buxhetit të Kosovës. Dihet se Kosova ka ngecur në ekzekutimin e buxhetit deri në këtë vit. Andaj, ka qenë një akumulim prej 400 e diçka milionë euro nga pamundësia e planifikimit të saktë dhe ekzekutimit me kohë të këtyre projekteve.

Shenjat e para janë mjaft optimiste, që Qeveria e Kosovës në katër muajt e kaluar, duhet të them 4 muaj sepse kanë kaluar 6 muaj nga viti kalendarik, por janë 4-5 muaj maksimum prej kur kemi qenë në gjendje që ta ekzekutojmë, për shkak të aprovimit të buxhetit dy muaj me vonesë për shkak të zgjedhjeve.

Nëse vazhdojmë me këtë trend, besoj që ne do të jemi në gjendje që të ekzekutojmë me sukses edhe mjetet e akumuluara të buxhetit të Kosovës, por edhe të donacioneve.

Nëse eventualisht do të ketë edhe mjete të tjera për shkak të ngritjes së vetë aftësive inkasuese të Qeverisë së Kosovës, jemi në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore dhe me Qeverinë e Anglisë, për të zbatuar një plan aksional, për t’i përmirësuar disa nga institucionet që kanë pasur deri më tani ngecje, disa nga ministritë që kanë probleme kadrovike dhe probleme të planifikimit me kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, kur do të vërehen rezultatet e para të kësaj konference dhe sa do të ndikojnë që këto mjete të përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve?

AHMET SHALA
Ky është një proces. Me këto mjete janë zotuar kryesisht për dy vjet, vitin 2009 dhe 2010. Rezultatet e para mbase mund të hetohen diku kah viti i ardhshëm. Disa nga projektet që kanë kohëzgjatje 2-3 vjeçare, sigurisht që efektet do të jenë në progres.

Mund të them me plot kënaqësi se shumica e donatorëve u zotuan që nëse Qeveria e Kosovës vazhdon me këtë lidership të saktë, me këtë vizion mjaft të qartë që është reflektuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, ata do të vazhdojnë në përkrahjen financiare dhe institucionale të Kosovës edhe në vitin 2011, 2012, 2013, bile jo formalisht, por na është thënë pothuajse me shuma të përafërta me këto që janë paraparë, duke mos pasur nevojë të organizohet ndonjë konferencë tjetër e donatorëve.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të ndërtojmë të ardhmen e Kosovës vetëm me shpresat se donatorët do të vazhdojnë në pakufi për të na dhuruar para nga taksapaguesit e tyre, por përmes këtyre mjeteve dhe ligjeve e veprimeve të tjera konkrete, duhet të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, një shtet të qëndrueshëm, i cili mund të qëndrojë me ekonominë e vet dhe me aktivitetet tjera që i takojnë një shteti.

Ky mbase është qëllimi jonë fundamental dhe vizioni e plani afatgjatë, por, në të njëjtën kohë, kjo ndihmon përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG