Ndërlidhjet

Pasaportat e reja jepen javën e ardhshme


Pasaporta e Kosovës

Pasaporta e Kosovës

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kanë bërë të ditur se brenda kësaj jave do të fillojë aplikimi për pasaporta të Republikës së Kosovës, kurse nga java e ardhshme fillon edhe pajisja me to.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se procedura për aplikim nuk do të ndryshojë.

“Nga fundi i kësaj jave do të fillojmë t’i lëshojmë format e aplikimit për pasaportat e reja. E gjithë procedura do të jetë e njëjtë. Do të kemi një model, një formular të ri të aplikimit; formulari do të bëhet publik; ne do ta kemi edhe një fushatë të veçantë për këtë punë”.

“Procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë. Siç e dini, ne po shfrytëzojmë të njëjtin sistem të lëshimit të dokumenteve që kemi pasur deri më tani", tha ministri Pajaziti.

Ndryshe, ai konsideron se ekziston një disponim pozitiv te disa shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi, që t'i njohin pasaportat e Republikës së Kosovës.

“Herë pas here, janë biseduar edhe këto çështje. Disponimi i tillë pozitiv është edhe nga Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi. Konsiderojmë se do të kemi mirëkuptim siç kemi pasur deri më tash me këto vende. Kemi interesa të rëndësishme reciproke të qarkullimit të njerëzve edhe të mallrave. Nuk besoj se do të kemi telashe ne ketë drejtim, sidomos me këto vende që veç kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi", tha zoti Pajaziti.

Ministri Pajaziti i ka siguruar qytetarët se mënyra e aplikimit për t’u pajisur me pasaportë, nuk do të zgjasë më shumë se dy javë, por disa nga qytetarët nuk janë shumë optimistë se një gjë e tillë do të bëhet brenda një periudhe të tillë kohore.

Albulena Krasniqi mendon se Departamenti për prodhimin e pasaportave në kuadër të MPB-së, nuk do të mund të lëshojë një pasaportë brenda dy javësh.

“Është një fije dyshimi se sa është e vërtetë kjo pritje dyjavëshe, duke u nisur nga fakti se për aplikim te pasaportat e UNMIK-ut, ndoshta ka qenë dy javë, mirëpo asnjëherë nuk ka dalë thuajse dy javë, kanë kaluar më shumë se tri javë dhe nuk ke mundur ta marrësh pasaportën. Mirëpo, presim dhe të shohim", thotë Krasniqi.

Kurse, Ylber Gashi mendon ndryshe. Ai thotë se nuk është shumë të pritet dy javë.

“Duke marrë parasysh se kemi pritur edhe për dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut dy javë, mendoj se është e udhës që të presim edhe për pasaportat e Republikës së Kosovës dy javë, pasi që kjo vlen dhjetë vjet”, thotë Gashi.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës kanë bërë të ditur se afati i vlefshmërisë së një pasaporte do të jetë 10 vjet për shtetasit mbi moshën 18 vjeçare, 5 vjet për ata të moshës 3 deri në 18 vjeç, si dhe 3 vjet për shtetasit që nuk i kanë ende 3 vjet.

Do të prodhohen 4 lloje të pasaportave, të rëndomta, diplomatike, zyrtare dhe dokumente të udhëtimit. Për të aplikuar për marrjen e pasaportës se re duhet paguar 25 euro.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG