Ndërlidhjet

“UNMIK-u merr Suhadollin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese lë jashtë përgjegjësisë institucionet e Kosovës në respektimin e Kushtetutës dhe ushtrimin e funksioneve ne bazë të përgjegjësive. Ky institucion nuk pritet të krijohet para vjeshtës së këtij viti. Për këtë, tashmë është duke u hartuar ligji për institucionin më të lartë të gjyqësisë, i cili, në bazë të dinamikës, pritet t'i dorëzohet Kuvendit në fillim të shtatorit. Këtë e konfirmoi ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e cila tha se aktualisht në proces është hartimi i këtij ligji, i cili do t'i dorëzohet Kuvendit në fillim të shtatorit. "Ne jemi duke punuar në draftimin e ligjit dhe shpresoj se do ta bëjmë atë ligj sa më shpejt, për të filluar kompletimin e Gjykatës Kushtetuese", tha Kelmendi. Ajo tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vihet me automatizëm në funksion, vetëm në bazë të Kushtetutës, pasi paraprakisht duhet nxjerrë ligjin, i cili do të jetë i bazuar në Kushtetutë. Por, sipas saj, kjo gjykatë do të këtë kompetencat siç janë paraparë me Kushtetutë. Sipas saj, kanë mbetur edhe disa gjëra, të cilat duhet të rregullohen me ligj për të mundur të fillojë së funksionuari Gjykata Kushtetuese...

KOHA DITORE
Misioni i OKB-së në Kosovë ka rënë në ujdi me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës që të hapë një tender të ri për ndërtimin e gypave të ujësjellësit në Suhadollin e Mitrovicës. Burime të gazetës pohojnë se afro 700 metra tubacion të ujësjellësit që kanë mbetur pa përfunduar në Suhadoll, pritet t'i përfundojë një kompani që do të përzgjidhet nga një tender i ri, të cilin do ta administrojë vetë UNMIK-u. "Është marrëveshje që të kemi një tender të ri për ndërtimin e ujësjel∟sit në Suhadoll. Vetë UNMIK-u do ta shpallë këtë tender dhe vetë do ta menaxhojë. Në mos nesër, atëherë shumë shpejt do ta shpallim tenderin për kryerjen e këtyre punëve", thonë burimet e gazetës. Siç mëson gazeta, ndërlidhësit e Lamberto Zannierit në veri kanë nxjerrë këtë pajtim nga të gjithë faktorët relevantë politikë, të cilët janë pjesë e zinxhirëve partiakë në veri të Mitrovicës. Madje, edhe Nenad Topliçeviqi, kreu paralel i pjesës veriore të Mitrovicës, sipas burimeve të gazetës, ka shfaqur pajtimin për fillimin e punimeve të ndërtimit të ujësjellësit pas konsultave me zyrtarët e UNMIK-ut. Në anën tjetër, burimet thonë se ka shumë gjasa që punët e papërfunduara t'i kryejë një kompani serbe nga veriu, meqë ndërprerja e punëve, sipas UNMIK-ut, është edhe ndërprerje e kontratës së kompanisë shqiptare që bënte ato punë...

LAJM
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier But De Marnhac, të hënën ka viziiuar dy pikat kufitare në veri të vendit, të cilat janë djegur nga serbët lokalë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Numri një i UNMIK-ut ka deklaruar se vizita do t'i shërbejë atij për të mësuar nga afër për situatën e pakicës serbe dhe gjëra tjera, për të cilat do të bisedojë me autoritetet serbe gjatë vizitës në Beograd. "Dua të shoh se cila është situata këtu dhe çfarë është infrastruktura. Po ashtu, dua të di për ndjenjat e njerëzve që jetojnë këtu, cilat janë problemet e tyre, nëse kanë të tilla. Dua të kuptoj se cila është situata në qarkullimin e përditshëm të makinave përgjatë pikave kufitare dhe mbi punën që po bën policia këtu, dhe së treti disa ide me më detaje, e të cilat do të më duhen t'i diskutoj në të ardhmen me autoritetet serbe në Beograd", ka thënë Zannier. Kjo ishte vizita e parë e kreut të ri të UNMIK-ut në pikat kufitare Leposaviq dhe Zubin-Potok, të cilat janë djegur nga serbët lokalë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës...

ZËRI
Rusia kurrë nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj kundër pavarësisë se Kosovës. Shteti i Kosovës është para së gjithash krijesë e SHBA-së, e jo e vullnetit të vetë qytetarëve të Kosovës. Rusia do të vazhdojë ta mbështesë Serbinë në politikën e saj ndaj Kosovës. Këto tri fjali janë thënë, sipas burimeve diplomatike perëndimore, nga Aleksander Aleksejev, ish-ambasadori i Federatës së Rusisë në Beograd, i cili tani udhëheq Departamentin për këtë pjesë të Evropës në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, në krye të së cilës është Sergej Lavrov, diplomati i shquar rus. Bëhej fjalë për një takim përgatitor për Samitin e BE-së me Rusinë, dhe bisedimet zhvilloheshin në mënyrë krejt të hapur. Aleksejev, i cili shënoi përparim në karrierën e tij pasi që la prapa Ambasadën e Rusisë në Beograd, e pa të udhës që në këtë mënyrë t'u drejtohet kolegëve të tyre të BE-së. Një ton i këtillë i Aleksejevit, i cili përndryshe njihet edhe me qëndrimin publik qe Rusia do ta mbrojë Serbinë në Kosovë në po të njëjtën mënyrë si ka mbrojtur Stalingradin, megjithatë, kishte befasuar diplomatet evropianë - veçmas pjesa kur flitej që Kosova si shtet është bërë për shkak të interesave amerikane, e jo të vetë kosovarëve. Padyshim, në këtë mënyrë, Aleksejev përpiqej që të shtyjë evropianët të mendojnë që Uashingtoni, edhe në kundërshtim të interesave evropiane, ka ndërmarrë një veprim të këtillë...

EXPRESS
Blerim Kuçi, që nga e hëna, peshon më shumë. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka zgjedhur atë udhëheqës ekzekutiv të partisë, një post ky që deri më tash nuk ka ekzistuar në politikën kosovare, por që LDK-ja thotë ta ketë marrë si model në Perëndim. CEO (Chief Excecutive Officer), siç e ka quajtur LDK-ja udhëheqësin e Organit Ekzekutiv, është pozitë e zakonshme për kompani. Emri i tij, siç është pohuar në komunikatën për media të kësaj partie, ka qenë i mbështetur unanimisht. Në një bisedë për Express, Blerim Kuçi ka thënë se nuk është befasuar me këtë vendim të Kryesisë. Sipas tij, terreni për këtë pozitë të re, politikisht është përgatitur nga presidenti Fatmir Sejdiu, Kryesia e LDK-së, si dhe nga "miqtë ndërkombëtarë", në kuadër të reformave partiake. Ish-Ministri i Brendshëm në Qeverinë e drejtuar nga Agim Çeku, pranon se për t'i ngjitur majat e LDK-së, ka pasur ndihmën e nënkryetarit të parë, Eqrem Kryeziut, me të cilin ka lidhje familjare...

INFOPRESS
Prishtina zyrtare e ka vlerësuar një sukses të madh për Kosovën takimin e presidentit amerikan, George Bush, me kryetarin dhe kryeministrin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, i cili do të zhvillohet më 21 korrik në Uashington. Është paralajmëruar se presidenti Bush do t'i mbështesë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në ndërtimin e shtetit multi-etnik e demokratik. Takimi i presidentit amerikan, George Bush, me kryetarin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi ka një rëndësi historike për Kosovën, meqë forcon legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si shtet, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë, me rastin e paralajmërimit të bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat do të mbahen me 21 korrik në Uashington. Po ashtu është vlerësuar se SHBA-të edhe njëherë do t'i ofrojnë mbështetje të fuqishme shtetit të ri demokratik në rrugën e tij të zhvillimit demokratik...

EPOKA E RE
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren, ka deklaruar se sistemimi i misionit EULEX në Kosovë po vazhdon, ndërsa Komisioni Evropian përshëndet dhe mbështet raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Ren ka thënë për mediat serbe se me padurim pret që me të dërguarin e posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Lamberto Zanieri, të punojë në arritjen e marrëveshjes së domosdoshme, me qëllim të lehtësimit të sistemimit të misionit civil evropian për qeverisjen e krizës në Kosovë. Ai ka theksuar se rruga drejt Evropës është e "hapur për Serbinë" dhe se BE-ja gjithmonë e ka vështruar procesin e statusit të Kosovës dhe integrimin evropian të Serbisë si "dy binarë paralelë", ka thënë Ren, duke u përgjigjur në pyetjen nëse Brukseli do të kërkojë nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës për t'u bërë anëtare e BE-së...

BOTA SOT
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka prezantuar të hënën raportin vjetor të punës së kësaj banke. Ne raport thuhet se Kosova gjatë vitit 2007 kishte një rritje prej 3.5 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), përderisa bruto produkti për kapital ishte rreth 1 miliard e 400 milionë euro. Sipas raportit, në vitin 2007 inflacioni është rritur për 4.4 për qind si rezultat i ngritjes së çmimeve. Në një letër të drejtorit të përgjithshëm të BQK-së, Hashim Rexhepi, drejtuar Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Presidentit të Kosovës, thuhet se ndërmjet shumë sfidave për t'u adresuar, ato me kryesore të mbetura janë njohja reciproke e policave të sigurimit dhe anëtarësimi i ardhshëm i Kosovës në rrjetin e Kartonit të Gjelbër. Rexhepi në letrën e tij ka theksuar se gjatë vitit 2007 Kosova kishte një rritje të BPV-së prej 3.5 për qind, ndërsa BPV për kapital ishte rreth 1 miliard e 400 milionë euro. "Megjithëse Kosova gjatë viteve të fundit kishte inflacion të ulët, madje në një periudhë të shkurtë edhe deflacion...”...
XS
SM
MD
LG