Ndërlidhjet

Në pritje të akreditimit të universiteteve


Prishtinë - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Prishtinë - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pritet që së shpejti të publikojë listën e institucioneve private të arsimit të lartë, të cilat kanë arritur të akreditohen. Sipas ministrit të Arsimit, ky proces ka qenë transparent. Por, një organizatë joqeveritare kundër korrupsionit paraqet akuza të shumta në drejtim të Ministrisë së Arsimit, për shkak se, sipas tyre, ky proces nuk ka qenë transparent dhe ka pasur shkelje të ligjit mbi arsimin e lartë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së shpejti pritet të publikojë listën e institucioneve të arsimit të lartë, të cilat i kanë plotësuar kushtet për akreditim. Procesin e akreditimit e ka bërë Këshilli Britanik për Akreditim, edhe pse në Kosovë ekziston Agjencia Kosovare për Akreditim.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tha se këto ditë pritet që Këshilli Britanik t’ia dorëzojë ministrisë raportin mbi vlerësimin e jashtëm që u është bërë institucioneve private të arsimit të lartë, e më pas ministria të vendosë se cilave prej 31 institucioneve që i janë nënshtruar procesit, do t’u jepen licencat.

Ndryshe, ministri Hoxhaj pohon procesi i akreditimit vazhdimisht ka qenë transparent.

“Ende nuk e kemi versionin final të këtij raporti dhe në momentin kur komisioni për licencim do ta japë vlerësimin se sa i takon këtij raporti, ne si Ministri e Arsimit do të dalim me një qëndrim të qartë”,
tha ministri Hoxhaj.

Por, ndryshe mendojnë përfaqësues të Organizatës për Demokraci dhe Anti-korrupsion “Çohu”. Avni Zogiani, kryetar i kësaj organizate, tha se procesi nuk ka qenë aspak transparent. Ndërkaq, sipas tij, Ministria e Arsimit gjatë këtij procesi ka bërë shkelje të ligjit mbi arsimin e lartë, sepse, sipas ligjit, thotë ai, akreditimin e universiteteve private e bën Agjencia për Akreditim.

“Duke filluar prej faktit se është anashkaluar Agjencia për Akreditim, e cila është formuar dhe është funksionale, por që nga ministria është injoruar, kjo është një shkelje e ligjit. Në bazë të ligjit, ministri nuk ka të drejtë në zgjedhjen e komisioneve për akreditim. Këtë punë e bën agjencia dhe kjo është shkelja fillestare e ligjit”, thotë Zogiani.

Por, lidhur më këtë, ministri Hoxhaj shpjegon:

“Agjencia për Akreditim e Kosovës, meqë është në fazën e saj embrionale, nuk ka qenë në gjendje, nuk është interesuar dhe nuk mund të bëjë procesin e akreditimit, një proces i cili është kompleks, ku shpeshherë edhe shtetet e pavarura janë të detyruara që të marrin ekspertë të huaj, me qëllim që të bartin një proces të tillë. Kuptohet që ligji lejon dhe është i precizuar me ligj që mund të angazhohen ekspertë të huaj në procesin e akreditimit të institucioneve private”, tha Hoxhaj.

Ndryshe, edhe pse ende nuk është publikuar lista e institucioneve që kanë arritur të akreditohen, Avni Zogiani thotë se organizata ka informacione të ndryshme se gjatë procesit të akreditimit të institucioneve private ka pasur ndërhyrje politike.

“Ne kemi shumë fakte se gjatë procesit të vlerësimit të institucioneve të larta të edukimit, ministria, ministri i Arsimit dhe ministra të tjerë kanë shprehur haptas qëllimin që të favorizojnë një universitet apo një tjetër. Edhe përgjithësisht fakti se ky proces ka qenë i menaxhuar nga ministri, gjegjësit nga partia e tij, secili sugjerim i ministrave ka ndikuar procesin”, theksoi Zogiani.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ndërkaq thotë se gjatë këtij procesi nuk ka pasur hapësirë për manipulime.

“Mendoj se nëse dikush është i pranishëm në një koktej rasti me një bartës të arsimit të lartë dhe ai bartës është pjesë e Kosovës dhe kjo definohet si ndërhyrje politike, është më tepër fryrje e realitetit. Mirëpo, puna ime është që në përputhje më mandatin që kam, të jem pranë arsimit të lartë në Kosovë dhe pranë universiteteve publike dhe private”,
u shpreh ministri Hoxhaj.

Që nga mbarimi i luftës, numri i institucioneve të arsimit të lartë është rritur në mënyrë enorme. Ekspertë të arsimit kritikojnë cilësinë e mësimdhënies në këto institucione, për shkak të, siç thonë, mungesës së një akreditimi të mirëfilltë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG