Ndërlidhjet

Hezitimi serb ngec bisedimet për Mitrovicën


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës thonë se bisedimet për shndërrimin e Mitrovicës në qytet me dy komuna, siç parashihet me Pakon Ahtisaari, kanë ngecur, pasi, sipas tyre, serbët e veriut hezitojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës.


Çështja e bisedimeve për shndërrimin e Mitrovicës në një qytet me dy komuna, siç parashihet me pakon e Ahtisaarit, nuk është duke shkuar sipas planit të paraparë, thonë zyrtarë të institucioneve. Ata pohojnë se serbët e pjesës veriore të Mitrovicës po hezitojnë të komunikojnë me autoritetet e Republikës së Kosovës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tregon se janë formuar grupet dhe pritet të vazhdojnë bisedimet.

"Jemi duke punuar, është formuar grupi, janë formuar nëngrupet. Natyrisht, do të duhet edhe një klimë, edhe një vullnet, që liderët dhe qytetarët e lokalitetit ku duhet të instalohen komunat e reja, një prej atyre edhe Mitrovica veriore, që të bashkëpunojnë për t'i instaluar fillimisht ekipet përgatitore dhe më vonë të ngritën kapacitete tek Mitrovica, meqë ka struktura ekzistuese, deri në zgjedhjet e lira, ku pastaj do të instalohen strukturat e plota dhe legjitime", tha Ferati.

Ministri Ferati thotë se janë krijuar disa kontakte me disa liderë serbë, por, sipas tij, ato nuk janë të mjaftueshme.

"Bisedime - aty ku kemi pasur mundësi, kemi krijuar kontakte, por nuk kemi mbërritur të krijojmë kontakte në nivelin e kënaqshëm, që do të mund të konkludonim se ka një bashkëpunim dhe një konsensus që të shkohet më tutje. Tash për tash, ngecja është te hezitimi i liderëve dhe i një pjese të qytetarëve serbë që të bashkëpunojnë me strukturat e Republikës së Kosovës"
, tha ministri Ferati.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, lidhur me këtë çështje, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka zhvilluar asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Mitrovicë.

"Dua të them se kontakte të drejtpërdrejta Qeveria e Kosovës nuk ka pasur; më shumë janë zhvilluar përmes UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të ICO-s. Ajo çka dua të them është se logjika e integrimit dhe jo ndarjeve etnike do të mbizotërojë në Kosovë dhe besoj se do të jetë e vetmja rrugë e integrimit edhe etnik, edhe politik, por edhe atij administrativ të tërë Kosovës dhe territorit të saj", tha Kuçi.

Zoti Kuçi ka konstatuar se institucionet kosovare janë zotuar se do të respektohet pakoja e Ahtisaarit dhe, sipas tij, çdo komunë e re që parashihet të formohet në territorin e Kosovës, edhe do të realizohet.

"Janë bërë disa takime dhe disa pika orientuese, por gjithë ajo çka mund të them është se çdo ndryshim që mund të bëhet në raport me komunat e reja, do të jetë në përputhje me planin e presidentit Ahtisaari dhe asgjë më pak apo më shumë. Ka pasur konsultime dhe ka, por ende diçka konkrete jo", tha Kuçi.

Ministri Ferati thotë se për vazhdimin e këtij procesi, nuk ekziston një vullnet politik.

Veriu i Mitrovicës, që nga '99-ta, është jashtë kontrollit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, vetëm sa janë forcuar strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë.

Për shkak të kësaj gjendjeje, në negociatat për statusin qe vendosur që Mitrovica të shndërrohet në qytet me dy komuna - komuna e veriut e dominuar nga serbët dhe ajo e jugut e banuar dhe e udhëhequr nga shqiptarët.

Qyteti, sipas pakos së Ahtisaarit, do të ketë një bord të përbashkët.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG