Ndërlidhjet

logo-print

Obama për tërheqje, McCain për vazhdim të luftës


Barack Obama dhe John McCain

Barack Obama dhe John McCain

Kandidatët presidencialë, Barack Obama dhe John McCain, kanë paraqitur vizionin e tyre për Irakun dhe Afganistanin. Obama pohoi se do t’i tërheqë trupat amerikane nga Iraku deri në mesin e vitit 2010, ndërsa McCain tha se duhet fituar të dyja luftërat.


Një javë para turneut në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, kandidati demokrat për president në Shtetet e Bashkuara, Barack Obama, ka paraqitur prioritetet e tij në politikën e jashtme nëse ai do të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.
Me këtë rast, Obama ka premtuar t'i japë fund luftës në Irak, të fokusohet në luftën kundër Al Kaedës dhe talebanëve në Afganistan dhe të rindërtojë aleancat e Amerikës në gjithë botën.

Në fokusin e Obamas ka qenë lufta në Irak për të cilën ka thënë se është duke shterur burimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke penguar Amerikën që të merret me çështje me të cilat duhet të merret.

"Kjo luftë na ka shkëputur nga çdo kërcënim me të cilin ballafaqohemi. Kjo luftë është duke minuar sigurinë tonë, pozitën tonë në botë, ushtrinë tonë dhe ekonominë tonë", ka thënë senatori Obama, duke akuzuar administratën e presidentit Bush për definim të gabuar të prioriteteve dhe për angazhim të Amerikës në një konflikt të shtrenjtë dhe tragjikisht të panevojshëm në Irak.

"Kemi humbur mijëra jetë të amerikanëve, kemi shpenzuar gati një trilion dollarë, kemi zemëruar aleatët dhe kemi neglizhuar kërcënimet aktuale. E gjithë kjo është bërë për kauzën e luftës 5-vjeçare në vendin që nuk ka asgjë të bëjë me sulmet e 11 shtatorit", ka thënë senatori Obama.

Barack Obama me këtë rast ka premtuar se do t’i kthejë trupat amerikane nga Iraku deri në verën e vitit 2010 dhe se do të fokusohet në luftën kundër Al Kaedës dhe talebanëve.

Ndërkohë, ka folur edhe kandidati republikan, senatori John McCain, i cili ka thënë se ka përvojën për të fituar të dyja luftërat, në Irak dhe Afganistan.

"Unë e di se si fitohen luftërat. Nëse do të zgjidhem president, do t'i qasem luftës në Afganistan, ashtu siç i jemi qasur luftës në Irak, me një strategji gjithëpërfshirëse të fitores. Unë e di si duhet bërë këtë", ka thënë McCain dhe ka shtuar se do të rifokusojë vëmendjen e Amerikës në Afganistan për të sjellë kryeterroristin Osma Bin Laden para drejtësisë.

Në fjalimin e tij, senatori McCain ka thënë se pajtohet me senatorin Obama se administrata e Bushit ka dështuar në politikën ndaj Irakut, por se dallon me të rreth politikës dhe kursit që duhet pasuar.

"Senatori Obama do t'ju thotë se ne nuk mund të fitojmë luftën në Afganistan pa e humbur luftën në Irak. Në fakt, është pikërisht shtimi i numrit të forcave në Irak, që solli sukses, që tregon rrugën për t'ia dalë edhe në Afganistan", ka thënë senatori McCain.
XS
SM
MD
LG