Ndërlidhjet

“Thaçi premton njohje nga 193 shtete”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një premtim madhor në seancën e së martës në Kuvend. Në kohën kur pavarësia e vendit nuk është njohur as nga gjysma e njëqind shteteve të para për të cilat pati premtuar Thaçi para shpalljes së pavarësisë, ai ka rritur këtë numër edhe për 93 shtete të reja. Sipas kësaj logjike ka dalë që të gjitha shtetet anëtare të OKB-së ta njohin pavarësinë e Kosovës (192), plus një shtet që nuk është anëtar i kësaj organizate. "Unë e rikonfirmoj përsëri sot se jo nga 100, por nga 193 shtete shteti i Kosovës do të njihet", ka thënë Thaçi, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Gjylnaze Syla, se "kur do ta njohin edhe 60 shtete të tjera Republikën e Kosovës për ta arritur numrin e premtuar nga kryeministri". "Po ta krahasojmë njohjen e Kosovës me Republikat e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, në Kosovë ka ndodhur mrekullia", ka thënë Thaçi. Pikërisht për ngecjen e njohjes kritika kanë shkuar edhe në adresë të ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. "Puna juaj nuk po shihet z. ministër. Ka ngecje në njohje. Cilat janë hapat që ju keni ndërmarrë për të rritur këtë njohje?”, ka pyetur një deputete tjetër nga radhët e AAK-së, Donika Kada. Ndërkohë, ministri Hyseni ka mbrojtur qëndrimin e tij se "nuk ka ngecje në procesin e njohjes dhe se ministria që ai drejton është duke lobuar vazhdimisht për njohjen e shtetit te ri"...

ZËRI
Çështja e marrëdhënieve midis misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë, si dhe e orarit të rikonfigurimit të UNMIK-ut, përfundimi i të cilit do të duhej të sillte në skenë EULEX-in dhe ta fuqizonte rolin e ICO-s, do të jetë temë diskutimi në një takim të nivelit të lartë, që këtë të premte (më 18 korrik), në Bruksel, do të mbledhë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Paktit NATO, të Misionit të OSBE-së, të ICO-s dhe të EULEX-it. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili po ashtu është edhe emisar special i BE-së, dhe Iv de Kermabo, shefi i EULEX-it.
Supozohet që ky do të jetë takimi i fundit në këtë nivel para pushimeve verore, që marrin gjithë muajin gusht, në rastin e BE-së. Burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë i kanë thënë gazetës "Zëri" që përkundër përpjekjeve evidente të PSSP-së së ri, Lamberto Zanier, që procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut të ecë sipas planeve të mëparshme, shenjat e javëve të fundit nuk janë shumë inkurajuese që UNMIK-u dhe kreu i OKB-së do të mund t'i përmbahen këtij orari. Tani me gjysmë zëri flitet për një shtyrje të re të pranisë së UNMIK-ut në Kosovë (prej disa javësh, e deri në disa muaj), dhe spekulohet me mundësinë që EULEX-i jo më parë se para fundit të këtij viti apo edhe fillimit të vitit 2009 t'i marrë detyrat e tij në Kosovë...

KOSOVA SOT
Organizata për Siguri dhe bashkëpunim në Evropë dhe si rrjedhoje edhe misioni i saj në Kosovë, nuk e njohin presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiun, si president. Presidenti Sejdiu priti në një takim drejtorin e qendrës së OSBE-së për parandalimin e konflikteve me seli në Vjenë, Herbert Salber, mirëpo ky i fundit, gjatë gjithë takimit, asnjëherë nuk i është drejtuar Sejdiut me president, por me shkëlqesi. I pyetur nëse Sejdiu është president për ju apo jo, Salber tha se kjo ka të bëjë me statusin. "Ju e dini që çështja e statusit të Kosovës është ende në pikëpyetje, për shkak të procesit në KS të OKB-së. Kjo është një pyetje e vështirë për mua dhe nuk mund t’i përgjigjem. Këtu jam si përfaqësues i një organizate ndërkombëtare, e cila e ka deklaruar veten si neutrale karshi statusit", tha Salber. Diplomatit të OSBE-së i është kujtuar nga gazetarët se zgjedhjet në të cilat Sejdiu është zgjedhur president, kanë qenë të menaxhuara nga vetë OSBE-ja dhe se Sejdiu është president i Kosovës edhe bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. "Ne i dimë këto", ka qenë përgjigjja e vetme që ka mundur të japë Salber. Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, gjatë gjithë kohës ka injoruar këtë qasje të OSBE-së duke u koncentruar në çështjet që janë diskutuar në takim...

EPOKA E RE
Përfaqësues të partive opozitare janë shprehur të zhgënjyer me njohjen e paktë të shtetit të Kosovës nga shtetet e ndryshme në botë. Ata kanë kritikuar institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë bërë lobim sa duhet për njohjen e shtetit të Kosovës. Sipas tyre, njohja nga vetëm 43 shtete është numër shumë i zbehtë, duke kujtuar të 90 shtetet, të cilat, nëse e njohin Kosovën shtet, i japin mundësinë kësaj për aplikim ne OKB. Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re (AKR), ka thënë për gazetën se në fazën e parë të njohjeve ka qenë një fillim i mirë, por më pas institucionet e Kosovës duket se janë vetëkënaqur për punën e bërë. "Pas kësaj faze nuk ka pasur ndonjë veprim të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës për lobimin për pavarësi, të cilat janë pajtuar se shtetet e tjera nuk janë faktorë, por do të mund të ndihmonin ta përshpejtonin këtë njohje nëpërmjet lobimeve", ka thënë ai, duke shtuar konstatuar se: "Si rezultat i kësaj tashmë kemi një stagnim në njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet e ndryshme, të cilat kanë dyshime për njohjen e këtij shteti më të ri në botë"...

EXPRESS
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka deklaruar se krijimi i Forcës së Sigurisë në Kosovë do të jetë në interes të qëndrueshmërisë në rajon, por edhe në interesin e vetë serbëve. Scheffer, në një intervistë për BBC-në shqip, ka thënë se kjo forcë do të mund të ishte më e përafërt me xhandarmërinë franceze. "Mendoj se kur flasim për detyrat e reja, një mjedis i sigurt është paraparë edhe me 1244, ka të bëjë me krijimin e një force të sigurisë dhe kjo veç tjerash, mund të jetë edhe në interes të serbëve. Por, si e definojmë një forcë të sigurisë? Natyrisht se ajo do të ketë një detyrë të kufizuar dhe mbase fjala xhandarmëri do të ishte më e përafërta me të", ka thënë Scheffer. Duke folur rreth kundërshtimeve të Beogradit për këtë, Scheffer ka thënë se do t'i sqarojë Beogradit se krijimi i Forcës së Sigurisë është edhe në interes të Beogradit. "Unë e kuptoj se është e vështirë për ta. Unë e njoh Beogradin dhe i njoh miqtë e mi dhe nuk e mohoj se është e vështirë për ta, por ne duhet të vazhdojmë dialogun me ta. Mendoj se ne një periudhë afatgjate kjo është edhe në interesin e tyre", ka thënë ai...

INFOPRESS
Në Kosovë nuk mund të ketë dy misione të ndara të mbikëqyrjes për një etni. Propozimet që mund të nxisin edhe temën e ndarjes së Kosovës, janë krejtësisht të papranueshme për institucionet e vendit. Ky qëndrim i Prishtinës zyrtare ka edhe mbështetjen e shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Ky i fundit është shprehur kundër ndarjes së zonave të përgjegjësisë mes EULEX-it dhe UNMIK-ut, duke shfaqur besimin se deri në fund të tetorit misioni i tij do të funksionojë plotësisht. Që nga vendimi i Bashkimit Evropian për të dërguar në Kosovë misionin e tij, në opinion kanë variuar versione të ndryshme rreth shtrirjes së tij. Përpjekjet e Beogradit për t'i pamundësuar këtij misioni vendosjen në tërë territorin e Kosovës, kanë marrë përgjigje nga Prishtina zyrtare dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë. Këto të fundit në vazhdimësi kanë shprehur qëndrimet se EULEX do të shtrihet në gjithë Kosovën, ndërsa misioni i UNMIK-ut do të marrë fund pas fazës tranzitore prej 120 ditësh...

BOTA SOT
Pse asnjë nga kryeadministratorët e UNMIK-ut në Kosovë nuk qëlloi të mos vinte nga ndonjë shtet i Evropës? Pse BE-ja nëntë vjet deklaroi se Kosova është çështje evropiane? Pse u pajtua SHBA-ja me "faktin" që Kosova është çështje evropiane? Pse nuk qëlloi për nëntë vjet një i vetmi kryeadministrator i UNMIK-ut që do të vinte nga SHBA-ja, nga Australia, nga Kanadaja...? A është UNMIK-u mision i OKB-së? A është në OKB dhe në instancën e tij më te lartë - në Këshillin e Sigurimit - anëtare edhe India, Kina, Rusia?... "Refuzimet" që i bëhen EULEX-it për t'u "konfiguruar" në "hapësira (të definuara politikisht) paralele", refuzime të "notë-protestës" së përfaqësuesit serb në KS të OKB-së, së Rusisë, sikur mëtojnë të shpallin paritet të artificializuar të karaktereve diferente të qeverisjes "ndërkombëtare" (OKB), me qeverisjet vetëm "evropiane" (BE), si dy lloj misionesh civile në Kosovë. Zyrtarët më të lartë të UNMIK-ut, hiq administratorët nëpunës të posteve joekzekutive që vinin nga të gjitha vendet e OKB-së, dëshmojnë se koka e UNMIK-ut ka qenë evropiane, e jo e vendeve të tjera të Kombeve të Bashkuara. Pse Rusisë nuk i ka penguar qeverisja evropiane e UNMIK-ut për nëntë vjet me radhë dhe pse tash menjëherë i pengon "rikonfigurimi" i EULEX-it?...



Trego komentet

XS
SM
MD
LG