Ndërlidhjet

Berisha: Brenda 6 muajsh, Kosova anëtare e FMN-së


Skënder Berisha
Skënder Berisha

"Brenda 6 muajsh, duhet të jetë anëtare e FMN. Para mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm të OKB-së, mendoj se shumë shtete do njohin pavarësinë e Kosovës dhe përmbushet kushti kryesor", thotë eksperti i ekonomisë, Skënder Berisha.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar për aplikimin e Kosovës në këtë institucion dhe njëherësh ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur. Cili është vlerësimi juaj në këtë drejtim?

SKËNDER BERISHA
Që të anëtarësohet Kosova në Fondin Monetar Ndërkombëtar, parimisht duhet që së pari të jetë anëtare e OKB-së. Mirëpo, në disa raste, mund të jetë ndonjë vend, marrë parasysh edhe Kosovën, anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe nëse nuk është anëtar i OKB-së.

Në ato raste kur FMN-ja e sheh të arsyeshme se ndonjë vend ka nevojë për përkrahje, për mbështetje financiare, atëherë merr vendim për anëtarësimin e atij vendi në fond, por me një status të posaçëm, jo anëtar i përhershëm siç janë vendet tjera të OKB-së.

Vendimet e Fondit merren me 85 për qind të votave. Domethënë, 85 për qind e votave duhet të sigurohen që të anëtarësohet Kosova në FMN.

Për dallim prej OKB-së, ku vendet anëtare kanë nga një votë, votat e FMN-së ndryshojnë prej vendit në vend. Vendet e forta, e mëdha, ekonomikisht të zhvilluara, kanë vota shumë më të mëdha se vendet e varfra dhe të vogla.

Sa për ilustrim po ju tregoj se vetëm SHBA-të, në bazë të kuotës që kanë paguar në FMN, kanë afro 20 për qind të votave, e nëse shtohen votat edhe të vendeve të tjera të zhvilluara, për shembull G-7, pa Rusinë, Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Kanadaja, votat e këtyre vendeve përfshijnë afro gjysmën e votave të FMN-së; vetëm të këtyre shtatë vendeve të zhvilluara, plus vendet tjera.

Kështu që në këtë situatë, tani për tani, Kosova ma merr mendja se i ka të siguruara diku 70 për qind të votave. Nevojitet edhe pak që të anëtarësohet në FMN.

RADIO EVROPA E LIRË
Me numrin e vendeve që kanë njohur deri më tani Kosovën shtet të pavarur, a nuk përmbushet 80 përqindëshi?

SKËNDER BERISHA
Kur i marrim parasysh 43 vende që kanë pranuar Kosovën deri më sot shtet të pavarur, nuk arrihet 80 përqindëshi i votave të FMN-së. Duhet të pritet edhe pak dhe të plotësohet ai kushti prej 85 për qind të votave, për të qenë vendimet e FMN-së fuqiplote.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë nevojitet pas aplikimit të një shteti për t’u bërë anëtar i FMN-së?

SKËNDER BERISHA
Ajo varet prej rastit në rast. Rasti i Kosovës është paksa i komplikuar, sepse nuk jemi anëtarë të OKB-së. Sikur të ishim anëtarë të OKB-së, procedura do të ishte shumë më e shpejtë.

Mirëpo, në këtë situatë, Kosova, pasi që ende zyrtarisht nuk është e pranuar nga OKB-ja si shtet i pavarur, pastaj tash janë pushimet dhe është njëfarë amullie në punën e çdo organizate ndërkombëtare, edhe në OKB, edhe në FMN, para 2-3 muajsh nuk ma merr mendja se do të nxirret vendimi për rastin e Kosovës, të jetë apo jo anëtare e FMN-së.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se brenda gjashtë muajsh Kosova do të jetë anëtare e FMN-së?

SKËNDER BERISHA
Mendoj se brenda gjashtë muajsh duhet të jetë anëtare e FMN-së, sepse diku kah vjeshta, para mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm të OKB-së, ma merr mendja se shumë shtete do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, kështu që do të përmbushet ai kushti kryesor.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, kur Kosova të anëtarësohet në këtë institucion, çfarë kredish dhe në çfarë kushtesh, sipas jush, duhet të huazojë Kosova?

SKËNDER BERISHA
Kosova, ma merr mendja se do të anëtarësohet në FMN dhe në Bankën Botërore. Kushtet e këtyre dy institucioneve janë shumë më të volitshme në aspektin e lartësisë së kamatës, në aspektin e afatit të kthimit dhe plus ajo periudha ‘grejs’.

Kushtet janë shumë më të volitshme në këto institucione, sesa në kapitalin privat ndërkombëtar, ku janë kushtet më të vështira.

Përfitimi kryesor i Kosovës nga anëtarësimi në këto dy institucione është se këto institucione e përcjellin situatën ekonomike në Kosovë; investitorët privatë kërkojnë prezencën e FMN-së dhe të Bankës Botërore për të dhënë ndonjë kredi, të jenë më të sigurt se ajo kredi do të jetë e suksesshme.

Kështu që si garanci për marrjen e kredive në kapitalin privat, investimet direkte sidomos, është shumë me rëndësi që të jemi anëtarë të FMN-së dhe të Bankës Botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Kosova mund të zhytet në borxhe ndërkombëtare?

SKËNDER BERISHA
Aty duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse janë disa norma të caktuara. Po e marrim një kriter të Bashkësisë Ekonomike Evropiane që është nxjerrë prej mbledhjes së Mastrihtit të vitit 1991, që vendet anëtare nuk mund të futen në borxhet e jashtme mbi 60 për qind të bruto prodhimit vendor.

RADIO EVROPA E LIRË
Një shteti anëtar në FMN i caktohet kuota që është proporcionale me nivelin e atij shteti si dhe potencialin që ka ajo ekonomi. Në përputhje me këto, sa mund të jetë kuota e Kosovës?

SKËNDER BERISHA
Është formula e caktuar nga ana e FMN-së dhe Bankës Botërore që në njëfarë mënyre quhet Formula e Bretonvucit, në bazë të vendit ku janë themeluar këto dy institucione.

Ajo formulë përfshin GDP-në, domethënë bruto prodhimin vendor, eksportin, importin, rezervat monetare. Janë disa elemente, në bazë të të cilave caktohet edhe kuota e vendit anëtar në FMN dhe në Bankën Botërore.

Momentalisht nuk jam në gjendje t’i llogaris këto se sa është bruto prodhimi vendor në Kosovë, sa është eksporti, sa është importi, sa janë rezervat monetare, por kjo çështje është shumë e qartë dhe nuk do të jetë ndonjë kuotë e madhe, e patejkalueshme për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas pranimit të Kosovës në FMN, Kosova mund të aplikojë edhe në Bankën Botërore. Të dyja këto së bashku, a mendoni se mund të kreditojnë ngritjen e kapaciteteve për ndërtimin e termocentralit Kosova C?

SKËNDER BERISHA
Për anëtarësimin në këto dy institucione ndërkombëtare, kushti kryesor është që vendi së pari duhet të jetë anëtar i FMN-së, pastaj automatikisht mund të anëtarësohet në Bankën Botërore.

Këto dy institucione në këtë drejtim janë të lidhua ngushtë. Kështu që aplikacioni i posaçëm për Bankën Botërore është vetëm formal, sepse nëse Kosova anëtarësohet në FMN, atëherë automatikisht anëtarësohet në Bankën Botërore.

A do të jenë këto dy institucione ndërkombëtare në gjendje që ta financojnë termocentralin Kosova C, ma merr mendja që po, sepse me këtë financim merret më shumë Banka Botërore, sesa FMN-ja.

FMN-ja merret me çështje makroekonomike, stabilitetin ekonomik, monetar etj., kurse Banka Botërore jep kredi për zhvillim ekonomik, për infrastrukturë, e sidomos për Kosovën C. Kështu që mund të shpresojmë se Banka Botërore do të financojë së paku një pjesë të ndërtimit të termocentralit Kosova C.
XS
SM
MD
LG