Ndërlidhjet

Analistët: Qëndrimi rus ndaj Kosovës - zhgënjyes


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Analistët politikë në Kosovë konsiderojnë se qëndrimi i Rusisë karshi Kosovës, i shprehur nga presidenti i ri rus, Dmitry Medvedev, është zhgënjyes, meqë konsiderohet të jetë një politikë edhe më e ngurtë, sesa e mëhershmja.

Kundërshtimi i serishëm i pavarësisë së Kosovës dhe tërheqja e paraleles mes Kosovës e Irakut nga ana e presidentit rus, Dmitry Medvedev, komentohen nga analistët politikë si një qasje që nuk i shërben stabilitetit të rajonit.

Analisti Ramush Tahiri thotë të ketë shpresuar për një qasje më realiste të Rusisë për Kosovën. Ai thotë se me këtë qëndrim karshi Kosovës, Rusia bie ndesh me vetë parimet e saj.

“Çështja e Kosovës është zgjidhur me pavarësinë e saj, që shpreh vullnetin e popullsisë shumicë të Kosovës për të ardhmen e vet, dhe ky vullnet është parim i politikës së jashtme dhe të brendshme për vetë Rusinë dhe është parim i njohur ndërkombëtar”.

“Ndërsa, paraqitja e rrezikut se kinse Kosova do të jetë një zonë e trazuar apo me luftë, apo me konflikt dhe që do të jetë gropë e zezë për Evropën, nuk është e drejtë. Përkundrazi, Kosova do të jetë faktor stabiliteti”, tha Tahiri.

Presidenti i ri rus, Dmitry Medvedev, ka thënë para trupit diplomatik rus se pavarësia e Kosovës është ilegale. Ai është shprehur se Kosova për Bashkimin Evropian është sikurse Iraku për Shtetet e Bashkuara, duke shtuar më tutje se në rastin e Kosovës është shkelur ligji ndërkombëtar.

Kjo qasje, sipas Tahirit, në një formë paraqet nxitje konflikti.

“Fjalimi i tij dhe krahasimi me Irakun është thyerje e bazamentit të deritashëm për intervenim në Kosovë dhe për administrim ndërkombëtar në Kosovë, ku pjesë ka qenë edhe Rusia dhe politika e deritashme ruse në Grupin e Kontaktit. Frika se Kosova mund të jetë vatër krize, vetvetiu shpreh një luftë-nxitje ose shpreh qëndrim tjetër ndaj Kosovës”, tha Tahiri.

Analisti tjetër politik kosovar, Belul Beqaj, thotë se deklarata e presidentit rus nuk përkon me realitetin dhe nuk i kontribuon paqes ndërkombëtare.

”Nuk ka lidhmëni nga fakti se problemi qëndron në qasjen se si po kuptohet zhvillimi i raporteve demokratike mes shteteve dhe si kuptohet sovraniteti i shteteve. Nëse sovraniteti i shteteve është në funksion të shtypjes së të tjerëve, unë mendoj se është një çështje shumë e tejkaluar, e cila nuk përkon me tiparet e shteteve, të cilat në të ardhmen dëshirojnë të krijojnë atmosferë ndërshtetërore”, tha Beqaj.

Ndryshe, Belul Beqaj konsideron se nëse Rusia vazhdon me këtë qëndrim, do të paraqesë pengesë për ecjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, qoftë sa i përket njohjeve të reja, qoftë në anëtarësimin eventual në OKB.

“S’do mend që qëndrimi i tillë është pengesë, por duhet potencuar se interesi i bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të identifikohet vetëm me interesin e një shteti”.

“Nëse kjo kihet parasysh, mund të nxirret konkludimi se nuk mund të jetë qasja e Rusisë peng i një kërkese të bashkësisë ndërkombëtare, sa i përket zgjidhjes së problemeve që paraqiten në raportet Serbi-Kosovë dhe veçmas i çështjes se si do të shkojë zhvillimi i mëtejmë demokratik dhe i shtetit të pavarur të Kosovës në të ardhmen”, tha Beqaj.

Ndryshe, Rusia vazhdimisht ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Si pasojë e këtij kundërshtimi, nuk qe miratuar propozimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur në Këshillin e Sigurimit.

Për rrjedhojë, analistët thonë se është krijuar një kaos juridik në Kosovë, ku përveç Kushtetutës vazhdon të mbetet në fuqi edhe Rezoluta 1244, përmes së cilës është administruar Kosova nga viti 1999.
XS
SM
MD
LG