Ndërlidhjet

Delegacioni kosovar niset për në SHBA


Qeveria e Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës

Para udhëtimit për në SHBA, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e kanë vlerësuar lart ftesën që u ka bërë presidenti amerikan, George Bush, përderisa vetë takimin e kanë cilësuar historik.



Udhëheqësit politikë kosovarë, para nisjes për në SHBA, e vlerësuan lart ftesën e presidentit amerikan për takim me lidershipin kosovar në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas tyre, ky takim dëshmon për mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë amerikane në ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, konsideron se takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush do të jetë historik.

"Mendoj se janë takime jashtëzakonisht të rëndësishme për ne. Mund të them lirisht se është një moment historik për marrëdhëniet tona, duke pasur parasysh edhe gjithë investimet tepër, tepër të rëndësishme që SHBA-ja ka bërë për Kosovën - flas në të gjitha fushat dhe në atë që është kryesore - në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Nga ana tjetër, edhe kryeministrit i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar si një vizitë historike. Sipas tij, ky takim do të vulosë suksesin e arritur në Kosovë.

"Një vizitë kjo që do ta vulosë suksesin e Kosovës, por edhe që do t’i hapë rrugë vizionit tonë euroatlantik. Një sukses ky që është i ndërlidhur drejtpërdrejt me rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së, prej presidentit Bush i vjetri, administrata e presidenti Clinton, presidenti Bush aktual”.

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë, gjithë politikën amerikane, popullin amerikan, për mbështetje të jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës dhe Kosova përulet me respekt para Qeverisë dhe popullit amerikan", tha Thaçi.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se në takimin me presidentin amerikan, George Bush, do të bisedohet për bashkëpunimin e mëtejmë të Kosovës me SHBA-në.

"Natyrisht që do të bisedoj për aspektet e rëndësishme, të mëtejme mes dy vendeve, duke pasur parasysh gjithmonë edhe rolin që SHBA-ja ka pasur për Kosovën. Një falënderim të veçantë të angazhimeve të mëtejme të tyre, për gatishmërinë që të jenë në krahë, mbështetës të fuqishëm, për ecjen e suksesshme të Kosovës në të gjitha rrafshet”.

“Në këtë kuadër do të ketë po ashtu pjesë të tjera që lidhen me projektin e bashkëpunimeve mes dy vendeve sovrane. Në këtë kuadër, po them se është moment tepër, tepër i rëndësishëm", tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi thotë se në takimin me presidentin Bush dhe me sekretaren amerikane, Condoleezza Rice, do të bisedohet për të arriturat në Kosovë, si dhe për shqetësimet që i ka Kosova.

“E para, ne do të prezantojmë suksesin e arritur në Kosovë, në takimin me sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, dhe me presidentin e SHBA-së, Bush. Është takimi i parë i një delegacioni kosovar që bëhet në Uashington me ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, ne do të prezantojmë suksesin e Kosovës”.

“Është një vizitë e suksesit; do të prezantojmë edhe zotimet dhe vizionin tonë për të ardhmen, por edhe shqetësimet që i kemi këtu dhe do të kërkojmë mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-së”, tha Thaçi

Analistë politikë e kanë vlerësuar takimin e presidentit amerikan, George Bush, me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi si një legjitimim ndërkombëtar që presidenti Bush i bën lidershipit kosovar.

Ndryshe, presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, para takimit me presidentin Bush, më 18 korrik, do ta takojnë sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice.
XS
SM
MD
LG