Ndërlidhjet

SHBA nuk komentojnë praninë në Iran


Departamenti amerikan i Shtetit refuzoi të komentojë raportet sipas të cilave Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin prani diplomatike në Iran, për të parën herë në 30 vitet e fundit.

Gazeta britanike "Guardian", bazuar në burime anonime, raportoi se qeveria amerikane do të shpall muajin e ardhshëm vendosjen e "seksionit për interesat e Shteteve të Bashkuara" në Teheran, si hap i parë për hapjen e ambasadës.

Artikulli vjen pasi zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit William Burns i tha Kongresit javën e kaluar se idea për vendosjen e këtij seksioni në Teheran, është "koncept interesant".

Administrata e presidentit George Bush, gjatë kësaj jave paralajmëroi pjesëmarrjen e përfaqësuesit të saj në bisedimet me të dërguarit iranian rreth programeve bërthamore, duke shënuar kështu kthesë të madhe në raportet me Teheranin.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin gjatë krizës së pengjeve në vitet 1979-81.
XS
SM
MD
LG