Ndërlidhjet

logo-print

Rusi: Ndryshojnë presidentët, jo politika

  • RFE /RL

Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin

Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin

Kur Dmitry Medvedev u bë president i Rusisë, në maj, shumëkush shtroi çështjen nëse ai do të gjente mënyra për t'u distancuar nga paraardhësi i tij, Vladimir Putin. Këto ditë, Medvedev paraqiti strategjinë për politikën e jashtme, sipas së cilës duket se përgjigja në këtë çështje është jo.

Strategjia e re e Dmitry Medvedevit për politikën e jashtme në shumë mënyra ngjason me atë të shpallur para tetë vjetësh, në fillim të presidencës së Putinit.

Duket se Medvedev po vazhdon aty ku ka mbetur paraardhësi i tij, duke vënë theksin sidomos në rolin në rritje të Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe kritikat e ashpra në çështje të tilla si sistemi amerikan i mbrojtjes raketore dhe pavarësia e Kosovës.

Medvedev tha se Moska është e përcaktuar që të ketë rol kryesor në formësimin e kursit të ardhshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

"Duke e çliruar veten nga Lufta e Ftohtë, bota ende nuk po gjen balancën e vet. Për më shumë, animi drejt përdorimit të forcës në shumë lëmi po shtohet. Në këto kushte, nevojitet vetëpërmbajtje dhe gjykim i kthjelltë dhe vazhdim i rrugës për mbrojtjen e interesave kombëtare",
tha Medvedev.

Në vizionin e tij për "balancat e reja" në çështjet ndërkombëtare, ai i kushtoi rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve me vendet me zhvillim të hovshëm, si Kina dhe India.

Fyodor Lukyanov është kryeredaktor i gazetës "Russia in Global Affairs" dhe ai tha se me gjithë retorikën pothuajse të njëjtë, Rusia ka kaluar rrugë të gjatë që nga shpalosja e strategjisë së Putinit në vitin 2000.

"Definitivisht, mund ta shikoni këtë në mënyra të ndryshme, por është fakt i qartë se Rusia e udhëhequr nga Putini, ka zënë një vend plotësisht tjetër. Kjo është për shkak të politikave ruse dhe pjesërisht gabimeve të të tjerëve, fillimisht të Shteteve të Bashkuara”,
tha ai.

Strategjia e Medvedevit më tepër është e rëndësishme për atë që lë jashtë sferës së interesit, sesa për atë që përfshin. Disa nga qëllimet e vitit 2000 mungojnë plotësisht, siç ishin përpjekjet e viteve të fundit të Rusisë që të rivendosë raportet me ish-republikat sovjetike.

Presidenti rus tha se politika ruse do të diktohet nga shqetësimet praktike më tepër sesa ato ideologjike.

Lukyanov vlerësoi se edhe në vendet ku qasja e Rusisë shihet si agresive, p.sh. në Gjeorgji dhe Ukrainë, politika e saj nuk mund të cilësohet ideologjike.

"Jo, nuk pajtohem. Qasja e Rusisë ndaj raporteve me vendet post sovjetike nuk është ideologjike, por politike, apo më saktë gjeopolitike. Duke vepruar sipas skemës klasike të real-politikës, Rusia po provon të forcojë pozitën e saj",
tha ai.

Ndoshta, sinjali më i qartë se Rusia po mban linjën e shtruar nga Vladimir Putin, është fakti se Medvedev, në dokumentin e ri për politikën e jashtme, i jep ish-presidentit rol në politikën e jashtme.

Për herë të parë strategjia parasheh të drejtën për zbatimin e masave të politikës së jashtme nga kryeministri. Edhe pse Kremlini nuk pranoi të komentojë rreth kësaj çështjeje, vendimi duket se konfirmon se Putini, ashtu siç dyshohej, është tejet i gatshëm të kontrollojë agjendën e politikës së jashtme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG