Ndërlidhjet

Tirana e Shkupi kundër ndarjes së Kosovës


Presidentët e Shqipërisë dhe Maqedonisë, Bamir Topi dhe Branko Crvenkovski, janë deklaruar kundër çfarëdo forme të ndarjes së Kosovës, që, sipas tyre, do të ndizte qarqet radikale në rajon.


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ai i Maqedonisë, Branko Crvenkovski, kanë shprehur sot shqetësimin për përpjekjet për ndarjen e Kosovës.

Presidenti shqiptar, Topi, tha se shteti i Kosovës është një realitet i ri në rajon dhe se çdo skenar i qarqeve ultra-nacionaliste për ndarje është i përjashtuar.

"Në mënyrë absolute nuk do të ketë asnjë shans për ndarje, ashtu siç nuk duhet të ketë ndërtim të institucioneve mbi bazat etnike, sikurse që mendohet nga qarqet ultra-nacionaliste që të realizohet në komunat me shumicë serbe", ka thënë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Presidenti Crvenkovski tha se Maqedonia është e interesuar që gjendja në Kosovë si vend fqinj të jetë nën kontroll.

"Ne shprehim keqardhje për përpjekjet për një ndarje të butë të Kosovës, e cila do të ndizte qarqet radikale në rajon", tha presidenti maqedonas.

Lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës, presidenti Crvenkovski tha se Maqedonia do të përcaktojë qëndrimin e saj në mbledhjen më të parë të konstituimit të qeverisë së re.

Sipas tij vendimi do të jetë në përputhje me interesat kombëtare të vendit dhe në bashkëpunim me vendet e BE-së.

Një nga temat kyçe të bisedimeve ishte edhe çështja e emrit të Maqedonisë.

Presidenti Crvenkovski u shpreh i përmbajtur kur tha se Maqedonia mbetet aktive që të dyja palët të afrohen tek zhbllokimi dhe zgjidhja e kësaj çështjeje.

"Republika e Maqedonisë është e gatshme për një kompromis dhe për zgjidhje të kuptueshme, por ne nuk jemi të gatshëm që dikush të na diktojë emrin tonë", tha presidenti Crvenkovski.

Të dy presidentët kanë rënë dakord për zyrtarizimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e energjetikës dhe shkëmbimeve ekonomike.
XS
SM
MD
LG