Ndërlidhjet

Studentët përballë mosakreditimit të universiteteve


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Mosakreditimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë ka hapur dilemën se çfarë do të bëhet me ata studentë që janë duke vijuar ende mësimet në këto institucione apo me ata që tashmë kanë diplomuar. Janë mijëra të diplomuar në 31 universitete private.



Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, thotë se studentët mund të vijojnë mësimet.

“Secili prej tyre mund të vazhdojë punën më tutje. Studentët e vitit të dytë, të tretë, ata që janë në vazhdim të magjistraturës, edhe më tutje mund t’i ndjekin studimet”.

“Kështu që është një vendim i drejtë në përputhje me rekomandimet që kanë dalë nga Këshilli Britanik dhe është një vendim i drejtë në të cilin fillon thjesht të zbatohet Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe të vendosen kriteret e standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë”, tha Hoxhaj

Qeveria e Kosovës, në bazë të rekomandimeve të Këshillit Britanik, ka marrë vendim që asnjë bartës i arsimit të lartë nuk i plotëson kushtet për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2008-2009.

Ministri Hoxhaj pohon se kjo mund të sqarohet vetëm nëse universitetet mund të akreditohen në fazën e dytë.

“Definitivisht, të gjithë bartësit e arsimit të lartë do të duhej të aplikojnë për akreditimin e dytë dhe vetëm atëherë kur dështon akreditimi i dytë, do të mund t’u hiqen licencat”.

“Do të thotë, Ligji dhe vendimi i Qeverisë krijon hapësirë që secili prej tyre t’i arrijë standardet e nevojshme, ndërkaq ne jemi të interesuar që diplomat të jenë valide”,
u shpreh ministri Hoxhaj.

Por, eksperti i arsimit, Halim Hyseni, duke i quajtur studentët viktima të këtyre universiteteve, thotë se Ministria e Arsimit duhet të gjejë forma për verifikimin e të gjitha diplomave të marra në institucionet private, në mënyrë që diplomat të jenë valide.

“Unë edhe më herët kam deklaruar se të gjithë këta studentë që kryejnë këto studime, do të përballen me realitetin”.

“Këta studentë që janë viktima të mosfunksionimit të shtetit, në radhë të parë duhet të gëzojnë një jetë të drejtë, që të sigurojnë një diplomë që do të ketë vlerë, por duhet t’i nënshtrohen një procesi përsëri, ndoshta të verifikimit të njohjes së tyre dhe aftësisë së tyre për atë që kanë marrë diplomë”,
tha Hyseni.

Ndryshe, ai mendon se mosakreditimi i asnjë universiteti privat në Kosovë, përveç Universitetit Amerikan në Kosovë, është një hap i qëlluar i Qeverisë së Kosovës, hap ky që është dashur të merret qysh më herët.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se institucionet e arsimit të lartë në Kosovë më tepër kanë pasur pretendime komerciale, sesa pretendime për mësimdhënie apo hulumtuese.

Ndërkaq, mungesa e punës shkencore në universitetet private ka qenë gjithnjë evidente.

“Mendoj se fajtorë janë ata që i kanë licencuar, pa standarde, pa kritere, dhe e dyta, fajtorë janë ata që kanë lejuar që këto universitete deri më tani të punojnë. Mendoj se më në fund e vërteta doli dhe kjo është një e mirë edhe për studentët që janë regjistruar në ato fakultete, që më tutje mos të futen në moçal”, u shpreh Hyseni.

Bartësit e arsimit të lartë në Kosovë tashmë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë vendim, ndërkaq disa prej tyre e kanë quajtur veprim kundërligjor.
XS
SM
MD
LG