Ndërlidhjet

Zannier: Suhodolli po politizohet pa nevojë


Lamberto Zannier

Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier vlerëson se rasti i Suhodollit është politizuar pa nevojë, përderisa thotë se menaxhimin e punëve në ujësjellës e ka marrë UNMIK-u. Bajram Rexhepi kërkon që puna të nisë menjëherë. Qeveria apelon për qetësi.


Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka thënë sot se çështja e ujësjellësit në Suhodoll të Mitrovicës është duke u politizuar çdo ditë e më shumë.

Projekti i Komunës së Mitrovicës për ujësjellësin, i cili do të shtrihej në fshatra të banuara me shqiptarë, është bërë mollë sherri, meqë serbët lokalë nuk lejojnë punimet nëpër pronat e tyre dhe për vazhdimin e punës kërkojnë që Komuna e Mitrovicës të marrë leje nga strukturat paralele në veri.

Për këtë ka pasur edhe përleshje fizike mes shqiptarëve dhe serbëve dhe kjo ka bërë që shefi i UNMIK-ut të urdhërojë ndërprerjen e punimeve.

Tani, UNMIK-u, sipas Zannierit, mbron qëndrimin e vet që të kryejë pjesën e mbetur të punëve dhe është në pritje të përfundimit të procedurave tenderuese.

“Çështja e Suhodollit do të thotë furnizim i komunitetit me ujë. Shqetësimi im është se kjo çështje çdo ditë e më tepër po politizohet. Mendoj se ajo që duhet të bëjmë, është që të shikojmë se cilat janë nevojat e njerëzve në terren dhe t’u japim shërbimin që atyre u duhet”, ka thënë Zannier, duke sqaruar se menaxhimi i punëve nga ana e UNMIK-ut ka pajtimin e të gjitha palëve.

Por, kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, lë të kuptojë se nuk pajtohet me këtë vendim. Ai insiston se punët duhet të përfundojnë sipas dinamikës që kishte caktuar vetë komuna.

“Është vendim yni që ky projekt të zbatohet. Kemi pasur kontakte me Zannierin dhe me Bout de Marhnac dhe kemi kërkuar që ata t’i japin premtimet ose garancitë e sigurta që ky projekt të realizohet, por për këtë kemi kërkuar që të bëjnë prononcim publik, ose të japin urdhër ekzekutiv me shkrim”,
tha Rexhepi.

Rexhepi ka paralajmëruar se do të nisin punimet madje edhe pa pëlqimin e UNMIK-ut dhe se ai vetë do të jetë i pranishëm gjatë punimeve.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media, Lamberto Zannier u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë.

“U apeloj të gjitha komuniteteve që të bashkëpunojnë plotësisht dhe të përmbahen nga fjalët apo veprimet, të cilat do ta rrezikonin projektin, meqë ai është në interesin e secilit”, ka cituar deklaratën e Zannierit, zëdhënësi Rusell Geekie.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ia ka lënë në duar kryetarit të komunës që ta zgjidhë këtë çështje. Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi sugjeron që çështja të zgjidhet përmes dialogut.

“Nuk duhet kuptuar këtë si raport konfliktuoz mes komunës dhe UNMIK-ut, por më shumë si kujdes i dyanshëm. Në anën tjetër, mendoj se nevojat e qytetarëve nuk mund të bllokohen për shkak të tensionimit, por duhet gjetur zgjidhja më e mirë, në radhë të parë për qytetarët, por edhe për raportet ndëretnike”, tha Kuçi.

Suhodolli nuk paraqet rastin e parë kur institucionet legjitime janë sfiduar nga strukturat paralele serbe.

Bajram Rexhepi konsideron se është koha e fundit që të gjithë mekanizmat t’i kryejnë obligimet e veta dhe të mos lejohet anarkia e krijuar nga strukturat paralele serbe. Ai pohon se UNMIK-u ka pushtet për t’u bërë ballë sfidave të strukturave paralele, por nuk ka vullnet për këtë.

“Në këtë rast më të sfiduara janë strukturat komunale, por sfidat janë edhe për ato qendrore, por edhe për UNMIK-un e KFOR-in. Është sfidë e përbashkët që vjen nga disa koka të sëmura politikisht, të cilat edhe me ato projekte që aspak nuk kanë të bëjnë me politikë dhe janë interes vital i tyre, mundohen t’i pengojnë dhe t’i politizojnë”,
tha Rexhepi.

Por, më i matur është Hajredin Kuçi, i cili kërkon që të mos nxiten tensionet etnike në qytetin e ndarë në jug me shumicën shqiptare dhe në veri me atë serbe.

“Mendoj se ushtrimi i plotë i sundimit të ligjit është pa kompromis dhe kjo do të ndodhë, por gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm që këto veprime të mos e tensionojnë situatën dhe të jemi të kujdesshëm që veprimet e tilla të mos jenë në dëm të raporteve ndëretnike”, tha Kuçi.

Ndryshe, autoritetet e sigurisë kanë tërhequr vërejtjen se përsëritja e incidenteve në veri, si ai i Suhodollit, mund të përshkallëzojë situatën e sigurisë.
XS
SM
MD
LG