Ndërlidhjet

Preteni: Korrupsioni evident në çdo institucion


Hasan Preteni
Hasan Preteni

“Asnjë ndërmarrje publike nuk është imune ndaj korrupsionit. Për të gjitha ka informata, për Qeverinë, për gjykatën, për pushtetin lokal, si dhe për prokuroritë”, thotë Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, në punën gjashtëmujore të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, cilat janë të arriturat e deritanishme?

HASAN PRETENI
Agjencia ka misionin e qartë dhe ajo vetëm se ka vazhduar me intensitet më të plotë punën rreth realizimit të misionit, me intensitet më të plotë, sepse që në fillim të vitit ishte një lajm i mirë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, se agjencia do të ketë buxhetin sipas kërkesës dhe numrin e zyrtarëve sipas organogramit.

Ky ishte një element i mirë dhe kemi arritur që misioni i caktuar me ligj të ketë një shtrirje më të gjerë, por edhe një sukses më të dukshëm.

Aktivitetet kryesisht kanë qenë në tri drejtime, lufta kundër korrupsionit, parandalimi dhe edukimi. Te lufta kundër korrupsionit kemi trajtuar informatat që i kemi marrë nga qytetarët, nga shërbyesit civilë dhe personat që kanë informata.

Gjithsejtë i kemi pranuar 68 informata për periudhën raportuese, prej tyre 21 i kemi përcjellë në prokurori publike kompetente, 14 i kemi hedhur, i kemi mbyllur si të pabaza, ku s’ia kemi arritur gjatë procedurës hetuese që t’i materializojmë, dhe 33 janë duke u hetuar tani.

Duke marrë parasysh që vitin e kaluar e kemi përmbyllur me 16 raste, të cilat kanë mbetur duke u hetuar, ka qenë një fluks shumë i madh i punës dhe tani gjendjen e kemi që në prokuroritë e Kosovës, prej funksionalizimit që një vit e gjysmë, i kemi përcjellë 68 informata.

Prej tyre, 23 i kemi informatë kthyese, 12 kanë rezultuar me aktivitete konkrete, 11 janë refuzuar si të pabaza, në mesin e tyre 10 i përkasin gjyqësorit dhe një është për pushtetin lokal.

Tek parandalimi i deklarimit të pasurisë ka qenë një aktivitet me shumë peripeci, me disa sanksione që është dashur ndaj disa zyrtarëve që nuk e kanë kryer këtë obligim, mirëpo gjendjen momentale e kemi që vetëm 18 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe nëse kjo nuk realizohet në afatin deri më 31 korrik, prej institucioneve ku janë duke punuar këta zyrtarë, do të kërkojmë që ata të largohen nga puna.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga rastet që i përmendët më herët si raste të korruptuara, sa dëmtohet buxheti i Kosovës nga to?

HASAN PRETENI
Po, e kemi pjesë të raportit, nga 21 informata që janë përcjellë, diku rreth 6 milionë (euro) është që pretendohet; është një kalkulim, ku secila lëndë që hetohet në agjenci, e ka çmimin e vet.

Për 6 milionë, duhet të vlerësojë gjykata nëse është dëm a jo. Ne mendojmë se po tentohet që buxheti i Kosovës të dëmtohet për 6 milionë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat institucione dyshohet se ka më shumë korrupsion?

HASAN PRETENI
Për agjencinë janë të ditur edhe emrat e personave që pretendohet se kanë kryer veprime korruptive, mirëpo duhet respektuar ligjin që çdo informatë të jetë konfidenciale, të mos publikohet deri në fazën kur të marrë epilogun në prokurori, derisa të ngritën aktakuzat.

Kurse, më të përfshirat sipas kësaj janë 25 informatat që i kemi për ndërmarrjet publike. Asnjë ndërmarrje publike, duke filluar nga aeroporti, KEK-u, posta, nuk janë imune ndaj kësaj, për të gjitha ka informata, dhe më pastaj vijnë Qeveria dhe gjykata ka 16 raste, pushteti lokal 9 dhe prokuroritë 2. Kur prokuroria të ngritë aktakuzën, emrat do të bëhen publikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë keni thënë se një nga vështirësitë me të cilat po përballet institucioni juaj është përkrahja nga institucionet qendrore. Si është gjendja sot?

HASAN PRETENI
Përkrahja ka lëvizur. Kemi përkrahje për buxhet dhe për numrin e zyrtarëve dhe ka ngecje tek fuqizimi – tani jemi në këtë fazën që agjencia do të fuqizohet. Mendoj që duhet të fuqizohet që të sigurojë paga më të mira ose objekt më funksional për agjencinë.

Jemi në fazën e përpjekjeve që këta zyrtarë të kenë paga më të mira, sepse po e shohim që kemi vështirësi. Edhe pse kemi të lejuar që t’i kemi 35 zyrtarë në vit, tani kemi arritur vetëm 23 t’i kemi, sepse po kemi probleme rreth regrutimit të zyrtarëve. Ekspertë të lëmit nuk konkurrojnë. Ata që konkurrojnë janë të papunë. Kështu që po kemi vështirësi në seleksionimin e tyre.

Mendoj që institucionet tani duhet të bëjnë këtë lëvizje, të ndihmojmë, ta fuqizojnë agjencinë. Nuk bashkëpunojnë sa duhet në përpilimin e strategjisë kosovare kundër korrupsionit. Ne jemi strumbullarë, ne po e udhëheqim këtë aktivitet, mirëpo vetëm nuk mund të bëjmë asgjë.

Institucionet po hezitojnë, nuk po i delegojnë grupet punuese, nuk dërgojnë zyrtarë, nuk dërgojnë ekspertë.

Tek institucionet e drejtësisë ose tek gjyqësori në përgjithësi është një lëvizje, është një progres; dua të veçoj fillimin e mirë të punës me prokurorinë speciale.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit thuhet se është rritur bashkëpunimi i qytetarëve me agjencinë. Sa janë të mbrojtur ata dhe cilët janë faktorët e tjerë që mund të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit?

HASAN PRETENI
Qytetarët duhet të bashkëpunojnë, duhet të binden që institucionet janë të tyret, janë tonat. Nuk mund t’i krahasojmë me shtetet e zhvilluara të Perëndimit, ku pretendojmë të shkojmë, mirëpo janë tonat dhe duhet të fuqizohen. Duhet t’u ndihmojmë atyre dhe duhet t’u besojmë.

Kjo para 10 vjetësh ka qenë vepër e ligë që të bashkëpunosh me institucionet, t’u përcjellin informata. E arsyeshme, sepse institucionet nuk kanë qenë tonat. Tani i kemi institucionet tona dhe nuk duhet të hezitojmë të bashkëpunojmë me to.

Çka kërkon agjencia, çka kërkoj unë si udhëheqës i agjencisë? Të mos hezitojnë, të fitojnë kurajë që të bashkëpunojnë me ne.

Në anën tjetër, ne u sigurojmë konfidencialitet të plotë. Në asnjë rast deri më tani nuk kemi dështuar që ta publikojmë emrin e personit që ka sjellë informata. Ne nuk manipulojmë me emrat e atyre personave.

RADIO EVROPA E LIRË

Në bazë të raportit të publikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, çfarë mund të thuhet, a është në rënie apo në rritje korrupsioni në Kosovë?

HASAN PRETENI
Është vështirë të përcaktohet se a është në rënie apo në rritje. Mund të them që korrupsioni është evident, ka veprime korruptive, por ai do të jetë i pranishëm për sa institucionet do të jenë të fuqishme.

Duhet të ketë ngritje në luftimin e korrupsionit, me metoda, me mënyra të ndryshme. Është më shumë kompleks rreth tenderëve, po gjendet modusi, modeli që ta keqpërdorin paranë publike, po gjejnë mënyra të ndryshme ata që po dëshirojnë, mirëpo çka është e jona - duhet t’ua vështirësojmë atë rrugë, t’ua bëjmë atë rrugë sa më të vështirë, më të pamundshme.

Dua të them për herë të parë që po vazhdohet një traditë e mosdhënies së llogarisë, sepse duke filluar nga viti ’89, ’90, nuk kemi pasur institucione të mirëfillta, nuk kemi pasur shtet, në atë kohë nuk kemi pasur mekanizma mbikëqyrës, mekanizma të fuqizimit të ligjit, nuk kemi pasur polici, nuk kemi pasur auditorë, nuk kemi pasur prokurori, nuk kemi pasur agjenci.

Kurse tash i kemi të gjitha dhe duhet të ndërrohet vetëdija, se ka ndërruar realiteti, ka ndërruar praktika. Tani ka kush i kontrollon. Edhe mjetet e buxhetit nuk janë për xhepa privatë, por janë për të mirat e përgjithshme.
XS
SM
MD
LG