Ndërlidhjet

logo-print

Normat e interesit më të lartat në rajon


Me gjithë faktin se është thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ndikojë edhe në uljen e normave të interesit për kredi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kamatat e kredive në sistemin bankar vazhdojnë të mbeten më të lartat në rajon, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, thotë se normat e interesit në Kosovë sillen prej 11 deri në 14 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Ai thotë se normat e interesit kanë ndikuar negativisht dhe kanë amortizuar trendet pozitive të ecurive ekonomike.

“Normat e interesit janë enorme dhe afati i kthimit është i shkurtër. Me fjalë të tjera, tek ne, bankat komerciale japin kredi me kushte të pavolitshme për biznesin vendor. Mund të them se në bazë të këtyre normave të interesit, bankat komerciale nxjerrin ekstra profit, për arsye se norma negative dhe ajo pozitive për bankat komerciale është diferencë shumë e madhe”, pohon Limani.

Megjithatë, Limani thotë se tashmë pas shpalljes së pavarësisë dhe fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji mbi politikën kreditore, në bazë të së cilës do të caktojë limitet e normave të interesit.

“Gjithkund në botë, prandaj edhe tek ne, Qeveria është dashur të bëjë një strategji të politikës kreditore, e cila duhet të jetë favorizuese dhe këtë çdo qeveri e bën përmes bankës qendrore. Këto, për fat të keq, banka dhe qeveria jonë, nuk e kanë zbatuar dhe ua kanë lënë duart e lira bankave komerciale, që është e kuptueshme që secila për vete lufton për të ardhur tek një fitim më i madh”, tha Limani.

Edhe eksperti tjetër, Edmond Hajrizi, thotë se Banka Qendrore e Kosovës mund të krijojë kritere të caktuara për bankat komerciale, por jo të ketë ndikim të madh.

“Ndoshta me një politikë mund të bëjnë diçka, por jo shumë, sepse ato nuk mund të rrezikojnë në vetëqëndrueshmërinë e tyre. Por, megjithatë, normat bazohen edhe në shkallën e rrezikut, edhe në shkallën e interesave të caktuara. Ju e dini se në Kosovë nuk ka shumë para dhe për këtë arsye bankat po detyrohen të marrin para nga jashtë, i marrin me kamatë të caktuar dhe i japin me një kamatë tjetër”, thotë Hajrizi.

Ndërkaq, Musa Limani thotë se në këtë drejtim kanë ndikuar edhe mjetet materiale të disa institucioneve kosovare që mbahen në bankat jashtë Kosovës.

“Për kredi varet nga vetë situata e kapitalit, por, siç dihet, afër një miliard euro që kanë qenë të destinuara për tregun e kapitalit të Kosovës, gjenden jashtë sistemit bankar. Po të kthehen ato para, atëherë vetë oferta e parasë është më e madhe dhe ndikon në rënien e normës së interesit
”, u shpreh Limani.

Por, zyrtarë të Bankës Qendrore në Kosovë tashmë kanë deklaruar se normat e interesit për kredi i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG