Ndërlidhjet

Prishtina: Ban njeh realitetin në Kosovë


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës vlerësojnë se raporti i kreut të OKB-së, Ban Ki Moon, për Kosovën, është pozitiv. Analistët thonë se pjesë pozitive është bartja e përgjegjësive nga UNMIK-u te EULEX-i, por, sipas tyre, në raport do duhej të sqarohej largimi i plotë i UNMIK-ut.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe analistët politikë konsiderojnë se raporti tremujor për Kosovën, i publikuar dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në përgjithësi është pozitiv.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se ai është një raport që dëshiron të përshpejtojë tranzicionin e paraparë.

"Sekretari i Përgjithshëm e ka kuptuar realitetin dhe ka marrë hapa të guximshëm në kuptimin politik për zhvillimet në Kosovë dhe janë zhvillime e qëndrime që janë në përputhje me njëra-tjetrën. Është një raport që e njeh realitetin në Kosovë, që dëshiron të përshpejtojë tranzicionin e paraparë dhe mendoj se janë në drejtim të drejtë", tha Kuçi.

Edhe analisti politik, Muhamet Mavraj, e vlerëson pozitivisht raportin me faktin që zoti Ban ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar me planin për transferimin e funksionit policor nga UNMIK-u në BE.

"Në vetvete kjo përmban njëfarë fryme pozitive, por në raport me Kosovën, çfarëdo që vjen në lidhje me UNMIK-un, nuk paraqet lajm të mirë. Tash e tutje nuk paraqet lajm të mirë as për pakicën serbe dhe për asnjë njeri që e di se UNMIK-u tash është kthyer në një simbol të zhagitjes së zgjidhjes së çështjeve, përfshirë edhe pajtimin ndërmjet njerëzve në Kosovë”.


“Sa më shpjet që UNMIK-u zvogëlon kompetencat dhe shkon prej Kosovës, është pozitive, pavarësisht se ato kompetenca i shkojnë një misioni tjetër ndërkombëtar, kësaj radhe një misioni regjional të BE-së", tha Mavraj.

Kurse, analisti Driton Lajçi thotë se raporti i kreut të OKB-së për Kosovën, është një kompromis për të gjithë aktorët që veprojnë në Kosovë.

"Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara është një kompromis i ri, i paraqitur me qëllim që të harmonizohen objektivat e qasjes së fushë-veprimtarisë të të gjithë aktorëve që veprojnë në Kosovë, pra UNMIK-ut, EULEX-it dhe Qeverisë së Kosovës", tha Lajçi.

Ban Ki Moon në raportin e tij rikujton që ka udhëzuar UNMIK-un që të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian, në mënyrë që misioni i koduar me emrin EULEX t'i marrë përgjegjësitë në fushën e sundimit të ligjit, por që të mbetet në autoritetin e OKB-së.

Për analistin Mavraj, vazhdimi i misionit të UNMK-ut në Kosovë është një shpresë e rreme për serbët e Kosovës dhe në veçanti për ata në veri të Mitrovicës.

"UNMIK-u e ka kohën që të shkojë dhe është krejtësisht i paaftë; është vetëm shpresë e rreme edhe për shqiptarët atje në veri, edhe për serbët”.

“Është i panevojshëm, duhet të shkojë dhe duhet të shkurtohen iluzionet e serbëve se me praninë e UNMIK-ut, mund të luajnë me Kosovën - kështu siç po luajnë në përgjithësi në veri, që e kanë shndërruar në zonë të krimit të organizuar", tha zoti Mavraj.

Më tutje, Ban Ki Moon në raportin e tij thekson se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve janë përkeqësuar edhe më shumë.

Për këtë çështje, analistët politikë në Kosovë nuk pajtohen.

Sipas analistit Mavraj, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fuqizimit të Kushtetutës, raportet mes serbëve dhe shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm.

"Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja nga fuqitë e mëdha, shumë serbë i ka vetëdijesuar dhe madje i ka penduar. Me sa po shoh unë, frika e serbëve të Beogradit për kërcënimet që ua kanë bërë disa prej liderëve serbë për vrasje etj., nëse bashkëpunojnë me Kosovën ose në rast se i marrin pagat, dalëngadalë po largohet”.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës i ka vetëdijesuar serbët se kjo çështje është e kryer", tha Mavraj.

Edhe zëvendëskryeministri Kuçi thotë se realiteti në Kosovë pas pavarësisë ka ndryshuar. Ai thotë se serbët dita-ditës po e kuptojnë realitetin.

"Natyrisht që një pjesë e minoritetit serb ka qenë nën ndikimin e Beogradit dhe i janë frikësuar të ardhmes së tyre, por dita-ditës ata janë duke e kuptuar realitetin dhe bashkë me realitetin po jetojmë në një Kosovë të re", tha Kuçi.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të debatohet më 21 korrik në Këshillin e Sigurimit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG