Ndërlidhjet

logo-print

Rice: E ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, 18 korrik 2008.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, 18 korrik 2008.

"Kosova ka popull të vendosur, miq të vendosur dhe udhëheqje të vendosur", tha shefja e diplomacisë amerikane pas takimit me krerët e shtetit të Kosovës në Uashington.


"E ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer. Kosova ka popull të vendosur, udhëheqje të vendosur dhe miq të vendosur", tha Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice pas takimit me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.
Rice, ashtu si presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e cilësuan vizitën në Departamentin e Shtetit si "historike".
Sipas Rice kjo vizitë është një tregues më shumë i përkushtimit amerikan në Kosovë.

"Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën, derisa ajo ndërton qeverisjen shumëetnike dhe institucionet demokratike", tha Rice.
Në këtë frymë ishin dhe deklaratat e udhëheqësve të Kosovës.

"Kemi objektiv që të ndërtojmë një Kosovë të vlerave më sublime demokratike dhe atdhe i të gjithëve", tha presidenti Sejdiu.

Ndërtimi i strukturave demokratike është nënvizuar si garancia e Kosovës për tu përfshirë në arenën ndërkombëtare dhe për të çuar përpara procesin e njohjes.

"Më shumë se 40 vende e kanë njohur Kosovën, përfshi mbi 2/3 e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s si dhe shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit", tha Rice.
Ajo shtoi se do ketë njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, derisa për kundërshtuesit e pavarësisë tha:

"Ata që nuk dashur të shihnin një Kosovë të pavarur duhet ta dinë se tashmë ekziston Kosova e pavarur dhe do vazhdojë të jetë."

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian është e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë.

"E ardhmja e të dyja vendeve, Kosovës dhe Sebisë është në Evropë", tha Rice.

Ky qëndrim u shpreh edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cili nënvizoi të ardhmen e euroatlantike të Kosovës në fqinjësi të mirë me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe në të ardhmen edhe me Serbinë.

Pas takimit me Condoleezza Rice, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi janë pritur në Pentagon nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Më 21 korrik delegacioni shtetëror i Kosovës do takohet me presidentin amerikan, George Bush.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG