Ndërlidhjet

Solana: Bisedimet me Iranin të pamjaftueshme


Bisedimet me Iranin ishin konstruktive, por të pamjaftueshme, tha në fund të takimit të sotëm në Gjenevë shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana.

Solana shtoi se bashkësia ndërkombëtare po pret përgjigjen e Iranit mbi ofertën evropiane. Kjo e fundit parasheh favore ekonomike për Teheranin në shkëmbim të pezullimit të programeve për pasurimin e uraniumit.

Në takimin e sotëm bashkësia ndërkombëtare përfaqësohej nga të dërguarit e BE-së, SHBA-së, Britanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës. Delegacioni iranian drejtohej nga kryenegociatori Saed Xhalili.

Ishte hera e parë që në një takim të tillë merrte pjesë dhe përfaqësuesi amerikan, çfarë paraqet ndryshim në qasjen e deritashme amerikane ndaj Iranit.

Xhalili gjatë takimit hodhi poshtë mundësinë e pezullimit të programeve bërthamore. Pas dy javësh do të ketë një tjetër takim mes Solanës dhe Xhalilit.
XS
SM
MD
LG