Ndërlidhjet

Pritjet nga takimi me presidentin Bush


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Politikanë dhe analistë nga Kosova vlerësojnë se krahas pavarësisë, takimi i sotëm i presidentit amerikan, George Bush, me liderët kosovarë është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën në këtë vit.



Politikanët dhe analistët politikë kosovarë, takimin e sotëm të udhëheqësve të Kosovës me presidentin e SHBA-ve, e vlerësojnë si një ngjarje historike dhe të veçantë.

Ministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, konsideron se një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2008 krahas pavarësisë së Kosovës, është takimi i sotëm i krerëve më të lartë të Kosovës me presidentin e SHBA-ve, George Bush.

"Do të mbetet si ngjarja më e rëndësishme në krijimin, në lindjen dhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Është vendosje e marrëdhënieve bilaterale në nivelin më të lartë dhe është mbështetje nga shteti më i fuqishëm dhe nga presidenti më i fuqishëm në botë”.


“Një takim i tillë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës është jo vetëm nder, por edhe një obligim i ri në një proces të shtet-ndërtimit të suksesshëm",
tha ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, konsideron se takimi i krerëve me të lartë të Kosovës me presidentin Bush, tregon forcimin e raporteve të Kosovës me SHBA-të.

“Është një avancim i natyrshëm i proceseve dhe i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht të Kosovës dhe SHBA-ve, pas vendimeve historike që janë marrë për Kosovën, për krijimin e shtetit të Kosovës dhe për njohjen e shtetit të Kosovës”.

“Tash është në fokus edhe falënderimi për popullin amerikan dhe politikën amerikane, por, në radhë të parë, është në fokus bisedimi për gjetjen e formave të reja për krijimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon", tha Kosumi.

Nga ana tjetër, edhe analisti politik, Ismail Hasani, takimin e vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe historik. Sipas tij, takimi i presidentit të SHBA-ve, George Bush, me presidentin Sejdiu dhe me kryeministrin Thaçi, është një konfirmim i proceseve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë.

"Takimi i sotëm i krerëve institucionalë të Kosovës nuk është takim rutinë, por është ngjarje me rëndësi në historinë më të re të Kosovës. Është një konfirmim i proceseve që po ndodhin në Kosovë, do të thosha edhe mbështetje e popullit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës dhe gjithë proceseve demokratike që po ngjajnë në Kosovë, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës", tha analisti Hasani.

Por, edhe për takimet në Uashington, opozita nuk kursen kritikat në drejtim të pushtetit. Bajram Kosumi thotë se liderët kosovarë, përveç falënderimeve dhe ftesës që do t'i bëjnë presidentit Bush, do të duhej të kishin një program të qartë se çka do të kërkojnë dhe ku munden SHBA-të ta ndihmojnë më tej Kosovën.

"Për thelbin e asaj që do të prezantojë lidershipi i Kosovës tek presidenti Bush, nuk e di dhe kjo nuk është prezantuar dhe nuk është thënë publikisht. Por, një çështje që mund ta them, është se duke qenë një takim i rëndësishëm, lidershipi i Kosovës është dashur të ketë një program të qartë se çka do të kërkojë dhe ku janë nevojat e Kosovës”.


“Ku munden SHBA-të ta ndihmojnë Kosovës në këtë moment - nën një është gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për pjesën veriore të Kosovës, pastaj krijimi i një klime të sigurisë, të besimit dhe paqes midis Kosovës dhe shteteve të rajonit, si dhe problemet e brendshme të Kosovës", tha Kosumi, nga AAK-ja.

Edhe analisti për çështje politike, Ismail Hasani, thotë se pala kosovare nuk ka shkuar e përgatitur sa duhet në Uashington. Sipas tij, pala kosovare nuk ka shkuar atje me ndonjë plan konkret për mbështetje të Kosovës.

"Pala kosovare në këtë takim nuk shkon e përgatitur me kërkesa për mbështetje. Ajo është thënë në opinion se është pjesë përbërëse e këtyre takimeve, por mendoj se më tepër do të duhej pala kosovare të shprehë gatishmërinë për konsolidimin e shtetit", tha Hasani.

Por, këto deklarata i hedh poshtë ministri Hoxha. Ai thotë se presidenti dhe kryeministri i Kosovës në takim me presidentin amerikan do të prezantojnë atë që e do elita politike dhe populli kosovar.

"Definitivisht, edhe presidenti Sejdiu, edhe kryeministri Thaçi, do të reflektojnë atë çka dëshiron dhe synon populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës dhe elita e saj politike”.

“Mendoj që nuk ka ndonjë dyshim për mungesë të konceptit ose të vizionit, por, përkundrazi, është kontinuitet dhe vazhdimësi e një procesi afatgjatë të shtet-ndërtimit, në të cilin aktualisht është Kosova", tha zoti Hoxhaj.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, në Shtëpinë e Bardhë, takon delegacionin e lartë të Kosovës, që përbëhet nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG