Ndërlidhjet

Investimet e huaja pas pavarësisë


Me gjithë faktin së udhëheqësit e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, por edhe ekspertë të ekonomisë, para zgjidhjes së statusit të Kosovës, kanë deklaruar se pengesë kryesore e mosardhjes së investitorëve të huaj është moszgjidhja e statusit, tash, 5 muaj pas shpalljes së pavarësisë, investimet e huaja në Kosovë janë shumë solide.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, nuk ka pasur ndonjë ndryshim në këtë drejtim me periudhën e kaluar. Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se ajo çka i pengon investitorët e huaj, është moszbatimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës.

“Ende nuk kemi ndryshime kualitative në aspektin e krijimit të shtetit juridik. Edhe pse e kemi shpallur pavarësinë, edhe pse e kemi Kushtetutën në fuqi, ende zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë, respektivisht zbatimi i Kushtetutës së Kosovës nuk është në atë fazën e kënaqshme. Pra, ende jemi në atë periudhën kur nuk kemi pasur ligje përveç rregulloreve të UNMIK-ut”, tha Ramosaj.

Zyrtarë të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pohojnë se pas shpalljes së pavarësisë është rritur numri i të interesuarve për të investuar në Kosovë.

Remzi Ahmeti, udhëheqës i kësaj agjencie, madje thotë se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe investime konkrete.

“Kemi investitorë që kanë investuar në disa prodhime ndërtimore, siç është një kompani austro-gjermane për ndërtimin e profileve metalike. Në Shtime është një investim mbi 20 milionë euro. Edhe investime të tjera individuale apo sporadike, të cilat quhen investime prej 500 deri në një milion euro”, pohon Ahmeti.

Por, Berim Ramosaj thotë se këto investime nuk janë të mjaftueshme, kur merret parasysh se Kosova ka potenciale që të mbijetojë me resurset e veta. Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar shumë në këtë drejtim.

Sipas Ramosajt, pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria është dashur që t’i hapë zyrat e saj për promovimin e investimeve në vendet ku ka interesim të konsiderueshëm investitorësh për Kosovën.

“Ne kemi menduar se pas shpalljes së pavarësisë, respektivisht hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Qeveria do të marrë ndonjë hap stimulativ në aspektin e thithjes së investimeve të huaja. Por, sa duket, ende është një qeveri shumë-politike, më pak ekzekutive, që nuk ka punuar në këtë lëmin e zhvillimit makroekonomik, nuk ka ndonjë kualitet të posaçëm që ia vlen të theksohet”, thotë Ramosaj.

Por, Remzi Ahmeti thotë se pas hapjes se ambasadave të Kosovës në vendet që tashmë kanë njohur Republikën e Kosovës, do të shikohen mundësitë që të hapen edhe zyra të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

“Besoj se edhe nga aspekti diplomatik dhe ai profesional ekonomik, do të bëhet një ndërlidhje më e mirë për tërheqjen e investimeve me vendet kryesore jo vetëm të Evropës, por edhe jashtë Evropës”, tha Ahmeti.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2400 kompani të huaja.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG