Ndërlidhjet

Bush: Jam mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, George Bush, në takim me udhëheqësit kosovarë, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, 21 korrik 2008.

Presidenti amerikan, George Bush, në takim me udhëheqësit kosovarë, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, 21 korrik 2008.

Presidenti amerikan, George Bush, pas takimit me Fatmir Sejdiun dhe Hashim Thaçin, ka deklaruar se është mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës dhe se kundërshton çfarëdo lloj ndarjeje të Kosovës.

Presidenti amerikan, George Bush, i premtoi presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi se ai do të përpiqet të bindë më shumë shtete që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

"Premtova se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ato shtete që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, për t'i bindur që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur", tha presidenti Bush dhe shtoi se "unë jam mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës dhe jam kundër çfarëdo ndarjeje të Kosovës".

Më tutje, presidenti Bush u tha presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi se "e çmon kurajën dhe lidershipin e tyre dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që ju t'i realizoni ëndrrat".

Presidenti amerikan më tutje tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë për integrim në strukturat euroatlantike.

Presidenti Fatmir Sejdiu pas këtij takimi ka thënë se "populli i Kosovës po e ndjek rrugën e parimeve të demokracisë dhe të lirisë".
"I garantojmë presidentit Bush se do të vazhdojmë në këtë rrugë", tha Sejdiu, për të shtuar se "Kosova do të jetë vend i demokracisë, vend i të gjithë qytetarëve të saj".

"Do të ketë respekt të veçantë për minoritete. Ne jemi shumë të interesuar që të kemi marrëdhënie të mira me Republikën e Serbisë", tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, duke e vlerësuar atë si "rrëfim të përbashkët të suksesshëm".

"Takimi me presidentin Bush jo vetëm që e theksoi faktin se ne jemi ngushtë të lidhur me Shtetet e Bashkuara, por ne përgjithmonë do të jemi mik i tyre i besueshëm", tha Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG