Ndërlidhjet

Ferati: Serbët rrezikojnë të vonojnë decentralizimin


Sadri Ferati

Sadri Ferati

"Serbët rrezikojnë në vonesat që krijojnë. Ne do të punojmë, por nëse serbët do të rezistojnë edhe më tutje dhe do të kërkojnë kohë, do të jetë humbje kohe për ta", thotë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ferati, keni thënë kohë më parë se menjëherë pas 15 qershorit, domethënë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të fillojë edhe zbatimi i procesit të decentralizimit. Në ç'fazë gjendeni aktualisht?

SADRI FERATI
Momentalisht, përveç grupit ndërministror për decentralizimin që udhëhiqet nga unë dhe zoti Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, janë edhe pesë nëngrupe që po punojmë fuqishëm edhe për legjislacionin, për implementimin e komunave të reja, kompetencat e reja, kapacitetet dhe për fushatën e informimit.

Tani jemi duke punuar në informimin e qytetarëve dhe afirmimin e procesit të decentralizimit. Komunat janë të njoftuara se cili është përfitimi për secilën komunë.

Po ashtu, jemi duke punuar me të madhe që t'i identifikojmë nevojat e lokaliteteve, në të cilat do të bëhet implementimi i komunave të reja, në mënyrë që ato të ndikohen sa më tepër në përgatitjen e asaj komune edhe në aspektin e infrastrukturës së fortë.

Është siguruar edhe buxhet i mjaftueshëm. Kemi siguruar edhe projekte nga partnerët, pra nga donatorët, kemi siguruar edhe ekspertë, por edhe zotime se do ta mbështesin fuqishëm gjithë këtë proces.

Sa i përket komunave të reja, akoma nuk kemi siguruar një bashkëpunim më të fuqishëm të liderëve dhe të popullatës serbe nëpër ato lokalitete, që në fazën e identifikimit të nevojave të tyre deri te vetë instalimi i komunave të reja, çka është edhe një parakusht.

Por, unë po shpresoj se meqenëse kjo është në interes në rend të parë për vetë serbët, ata do të fillojnë një bashkëpunim më të fuqishëm, në mënyrë që kjo të jetë e mundshme në tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Me kë bisedoni në komunat me shumicë serbe, meqë dihet se atje tash janë vendosur strukturat paralele, të dala nga zgjedhjet e 11 majit?

SADRI FERATI
Kur fola për bashkëpunimin me serbët, e pata fjalën për komunat e reja që duhet të instalohen, që përveç Mitrovicës së veriut, bëhet fjalë edhe për Novobërdën, Graçanicën, Ranillugun, Kllokotin dhe Parteshin, pra për këto 5+1 komuna.

Ndërsa, për komunat ekzistuese ato kanë strukturat, nuk kanë nevojë që ne t'i ndihmojmë me kapacitete, ndërsa çështja e bashkëpunimit është një çështje që veç dihet - ata rezistojnë të bashkëpunojnë jo vetëm me institucionet e Kosovës, por edhe me strukturat e UNMIK-ut.

Tani kemi pretendime që të instalohen edhe rezultate nga zgjedhjet jolegale, që ne jemi absolutisht kundër dhe nuk do të lejojmë që asnjë bashkëpunim edhe i strukturave ndërkombëtare të jetë me ato struktura, ngase nuk ekziston asnjë mundësi që ato të implementohen, as instalimi i institucioneve serbe në Kosovë dhe as implementimi i çfarëdo rezultateve dhe ligjeve serbe në Kosovë.

Por, çdo ditë e më tepër do të kuptohet që serbët do të kenë interes të bashkëpunojnë, të fuqizohen si pushtete lokale, t'i realizojnë të drejtat e tyre dhe të afirmojnë struktura edhe tolerante, por edhe që do të mundësojnë pikërisht në lokalitetet e tyre të prodhojnë shembuj pozitivë të një bashkëpunimi edhe multi-etnik, edhe të një bashkëjetese me fqinjët e tyre.

Dhe, në tërësi Kosova dalëngadalë ta krijojë atë fizionominë e vet të një shteti multi-etnik, me të drejta të fuqishme dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Pa bashkëpunimin e palës serbe, a rrezikon që të dështojë procesi i decentralizimit?

SADRI FERATI
Realisht, mua më duket se serbët rrezikojnë në vonesat që i krijojnë. Pakoja e Ahtisaarit është alternativa më e mirë dhe e vetme.

Edhe ata që i kanë kontribuar, edhe ata që e kanë kundërshtuar, e dinë se dalja nga pakoja e Ahtisaarit do të kërkonte alternativa të reja, që do të duheshin vite për të ndërtuar një konsensus të plotë, për të ardhur deri te një model çfarë është pakoja e Ahtisaarit.

Të gjithë e dimë se dalja nga pakoja e Ahtisaarit është 'de facto' rikthimi në një fillim shumë të gjatë dhe ajo do të jetë një humbje e kohës pikërisht për serbët. Humbja e kohës është ajo që e dëmton interesin serb.

Ne do të punojmë dhe sa i përket institucioneve të Kosovës, sa i përket grupit ndërministror dhe nëngrupeve, nuk do të dështojë dhe ne jemi të gatshëm që sa më shpejt të fillojë.

Por, nëse serbët do të rezistojnë edhe më tutje dhe do të kërkojnë kohë, pra do të jetë një humbje kohe për ata, që ne konsiderojmë se është për keqardhje, sepse janë qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës që sa më shpejt dëshirojnë një Kosovë me institucione shumë funksionale dhe të fuqishme dhe me një kualitet jete për të gjithë qytetarët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë më herët se kanë filluar bisedimet për krijimin e komunës veriore në Mitrovicë dhe më pastaj edhe të bordit të përbashkët, siç parashihet me pakon e Ahtisaarit. Është duke u biseduar aktualisht apo jo për këtë çështje?

SADRI FERATI
Jo, unë nuk jam në dijeni se është duke u biseduar. Mund të ketë kontakte me qytetarë dhe liderë për të parë se si është disponimi momental, por në biseda konkrete unë nuk jam i përfshirë dhe nuk jam në dijeni.

Në kuadër të kompetencave tona dhe në kuadër të grupit dhe nëngrupeve, ne jemi duke biseduar mënyrën se si do të emërtohen fillimisht ato ekipe dhe si do të bëhet instalimi i komunës së re.

Por, njëkohësisht, përveç një bashkëpunimi me qytetarët dhe liderët serbë të asaj pjese, do të ishte mirë dhe ne kërkojmë që ata të reflektojnë se cili është disponimi dhe vullneti i tyre, çfarë komune ata parashohin, cilët do të jenë shqiptarë në atë komunë, çka do të prodhojë ajo komunë, cila do të jetë rruga e zhvillimit të asaj komune.

Do të jetë në interes të të gjithëve, ngase përveç frikës së parë ose dilemës së parë se sa të drejta do të kenë serbët, ekziston edhe dilema tjetër se si do t'i përdorin ato kompetenca dhe atë fuqi politike.

Do t'i përdorin për të demonstruar ndarje, segregacione dhe situatë të tensionuar çfarë është momentalisht, apo janë ato institucione që vërtet do t'u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe shqiptarët do të mund të ndihen se po jetojnë në komunën e tyre, se i realizojnë të drejtat e tyre në kthimin e pronave të tyre, në ndërtimin në pronat e tyre, do të kenë pjesëmarrje në ndërtimin e institucioneve, do t'i gëzojnë edhe ata këto institucione si këta tjerët.

Pra, ne presim një vullnet më të mirë të vetë serbëve në Mitrovicën veriore para se të instalohet kjo komunë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, kritikët e procesit të decentralizimit thonë se me krijimin e këtyre 5+1 komunave, në fakt në Kosovë shndërrohen korridore në vija etnike...

SADRI FERATI
Në projektin që ne kemi zhvilluar, pra institucionet e Kosovës, në një Kosovë me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj dhe me një perspektivë të barabartë të të gjithë qytetarëve të saj, kur tani kemi një Evropë që njeriu nuk e dallon kur kalon nga Gjermania në Francë, ose nga një territor në territorin tjetër, nuk është të besohet se do të mund ta dallojë njeriu se kur po kalon nga një komunë në komunën tjetër.

Në Kosovën që po provojmë ta ndërtojmë, është fare pak e rëndësishme se ku ka korridor ose ku ka mur; ose edhe shteti më i centralizuar, nëse ka probleme etnike dhe tensione, ato do të jenë të dukshme; por, edhe shteti më i decentralizuar, aty ku ka klimë dhe prosperitet, nuk do të duket kjo.

Të kuptohemi se decentralizimi nuk është diçka që po i ndodh vetëm Kosovës. Të gjitha shtetet më të avancuara, pikërisht e kanë gjetur se modeli më i mirë i funksionimit është afrimi i pushtetit afër qytetarit.

Por, në anën tjetër, është në interes të Kosovës integrimi i pakicave në sistem. Nëse ata e shohin se do të jenë të fuqishëm dhe kanë siguri që nëpërmes ushtrimit të pushtetit lokal do të njihen qytetarë të Kosovës, do të krijojnë perspektivë për Kosovën, është një zgjidhje që duhet ta pranojnë të gjithë.

Unë mendoj se ata që duken në harta, që janë kufij administrativë, nuk janë kufij fizikë dhe nuk do të ketë diçka të tillë. Në Kosovën që ne po ndërtojmë, në projektet që ne po ofrojmë, nuk do të ketë diçka të tillë që njeriu mund të dallojë se kur ke kaluar në komunën 1 dhe kur po vazhdon nëpër komunën 2.
XS
SM
MD
LG