Ndërlidhjet

logo-print

Arrestohet Radovan Karaxhiq


Radovan Karaxhiq, në mars të vitit 1993.

Radovan Karaxhiq, në mars të vitit 1993.

Mbrëmë, në një aksion të shërbimeve serbe të sigurisë, është arrestuar Radovan Karaxhiq, njëri ndër të kërkuarit kryesor të Tribunalit të Hagës, për krime gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-1995.

Presidenti i serbëve të Bosnjës gjatë luftës atje, Radovan Karaxhiq, është arrestuar mbrëmë në Serbi dhe është marrë në pyetje nga gjykatësit, si hap i parë drejtë ekstradimit në Hagë.

Ai është ndër të kërkuarit kryesorë të Tribunalit të Hagës për krime gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-95.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, përmes një komunikate njoftoi se Karaxhiqi është arrestuar mbrëmë "në aksionin e shërbimeve serbe të sigurisë".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se ky është "moment historik për viktimat, të cilat kanë pritur për 13 vjet që Karaxhiqi të sillet para drejtësisë".

Shtëpia e Bardhë e cilësoi arrestimin "demonstrim i rëndësishëm i vendosmërisë së Qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi".

Bashkimi Evropian mirëpriti arrestimin.

Kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, u tha ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel se arrestimi provon "përkushtimin e Qeverisë së re të Serbisë për të arritur bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës" dhe është shumë i rëndësishëm për aspiratat evropiane të Serbisë.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana, e cilësoi arrestimin "ditë të mirë për drejtësinë në Ballkan". Por, Solana bëri thirrje për më shumë përpjekje në arrestimin e Ratko Mlladiqit.

Ndërkohë, ndërmjetësi amerikan për Ballkanin gjatë viteve të '90-a, Richard Holbrooke, e cilësoi Karaxhiqin si Osama bin Laden të Evropës, "arkitekt real, të vërtetë të vrasjeve masive".

Karaxhiq është akuzuar dy herë për gjenocid: për rrethimin 43-muajsh të Sarajevës që mori jetën e 12.000 personave dhe për përgatitjen e masakrës së Srebrenicës, në vitin 1995, ku u vranë rreth 8.000 persona.

Sarajevë: Qytetarët festojnë arrestimin e Radovan Karaxhiqit.
Rrugët e Sarajevës u mbushën sot me njerëz, të cilët festonin arrestimin e tij.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG