Ndërlidhjet

Pasaportat e reja dhe njohja e tyre


Pasaporta e Republikës së Kosovës

Pasaporta e Republikës së Kosovës

Dokumentet e reja të Republikës së Kosovës do t’i njohin 45 shtete. 43 prej tyre tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkaq Maqedonia dhe Mali i Zi, edhe pse po hezitojnë të njohin shtetin e Kosovës, kanë deklaruar se do t’i njohin pasaportat e Republikës së Kosovës.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërkaq thotë se ekziston disponimi pozitiv i disa shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që t’i njohin pasaportat e reja të Republikës se Kosovës.

“Secilit vend i nevojitet kohë për t’i kaluar procedurat e brendshme, për t’i njoftuar autoritetet e brendshme, pikat kufitare, me pasaportën tonë. Kështu që presim shumë shpejt që të na njoftojnë edhe të na mundësojnë që të lëvizim në ato vende”, tha Rexhepi.

Zoti Rexhepi thotë se qytetarët lirshëm mund të udhëtojnë me dokumente të Republikës së Kosovës, pasi, shton ai, numri i vendeve që deri më tani kanë njohur Kosovën, është më i madh, sesa i vendeve që kanë njohur dokumentet e UNMIK-ut.
“Ne tani kemi një përparësi krahasuese në raport me dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut. Jemi në kontakt me të gjitha vendet, jemi në konkat të vazhdueshëm me ta, u kemi dërguar një pako informuese me të gjitha detajet sa i përket pasaportës sonë, masat e sigurisë, kualitetin e pasaportës sonë dhe presim përgjigjeje pozitive nga ta”,
tha Rexhepi.

Për t’i anashkaluar problemet me vendet që nuk i njohin dokumentet e udhëtimit, Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur që dokumentet e lëshuara nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, të vlejnë deri në afatin e skadimit.

I vetmi vend që është deklaruar se nuk do ta njohë pasaportën e Republikës së Kosovës është Sllovakia, tha Rexhepi, duke shtuar se në këtë vend qytetarët mund të lëvizin me pasaportë të UNMIK-ut.

“Ne kemi vendosur që validiteti i dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut të vlejë deri në datën e skadimit të tyre. Kështu që qytetarët që kanë dokument të udhëtimit valid, mund të lëviznin edhe në drejtim të Sllovakisë, deri në momentin kur Sllovakia vendos të njohë pasaportën e Republikë së Kosovës”,
pohon Rexhepi.

Megjithatë, numri i qytetarëve të interesuar për t’u pajisur me dokumente të reja të udhëtimit, është shumë i madh, sidomos i mërgimtarëve që kanë ardhur në pushime në Kosovë.

Fisnik Rexhepi pohon se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që qytetarët të mos presin në radhë të gjata para sporteleve.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira, kemi ngritur nivelin e përgjegjësisë dhe angazhimeve në një shkallë më të lartë. Kështu që nga dje fillon të aplikohet orari i zgjatur i punës - do të punohet nga 12 orë në ditë gjatë ditëve të punës, ndërkaq të shtunën 8 orë”,
tha Rexhepi.

Por, ndryshe shprehen qytetarët që presin para sporteleve të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Njëri prej tyre është Bujar Berisha.

“Për fëmijë po më duhen dokumentet. Po shkojnë ngadalë. Kemi rënë në dilemë edhe pse kemi ardhur. Duhet të angazhojnë njerëz shtesë, në mënyrë që sa më shpejt të përfundojnë procedurat, sepse ne të dyja palët po biem në konflikt”, u shpreh Berisha.

Ministria e Punëve të Brendshme do të prodhojë 4 lloje të pasaportave, të rëndomta, diplomatike, zyrtare dhe dokumente të udhëtimit. Për të aplikuar për marrjen e pasaportës se re duhet paguar 25 euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG