Ndërlidhjet

logo-print

Karaxhiqi jetonte në Beograd, fshihej me mjekër


Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm

Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm

Karaxhiq ka punuar në një ordinancë private në Beograd, ku është marrë me mjekësi alternative. Ka përdorur identitet të rrejshëm dhe dokumente me emrin Dragan Dabiq.


Lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i kërkuar për planifikimin e krimeve më të rënda të luftës që nga Holokausti, është arrestuar pas rreth 13 vjetësh në arrati.

Njoftimi është bërë i ditur mbrëmë, përmes një komunikate të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq.

Në Bosnje lajmi ka shkaktuar reagim të menjëhershëm. Njerëzit kremtuan nëpër rrugë në Sarajevë dhe në qytetet tjera.

Drejtuesi i presidencës trepalëshe, Haris Silajxhiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë përshëndeti arrestimin.

"Drejtësia ishte e ngadalshme, por më në fund u arrit. Ratko Mlladiq është ende në liri. Isha shumë skeptik rreth arestimit të të dyve, por tani më duhet të them se jam i sigurt se edhe Mlladiqi do të arrestohet dhe të gjykohet për krime në Srebrenicë", tha Silajxhiq.

Rreth 8 mijë meshkuj myslimanë të Bosnjës janë vrarë në vitin 1995 në Srebrenicë, masakra më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Karaxhiq akuzohet si orkestrues i saj.

Familjarët e viktimave e kanë mirëpritur arrestimin.

"Ishte befasi për mua. U shtanga, sepse nuk kishte indikacione se ai do të arrestohej, por ja drejtësia më në fund është e arritshme", tha Hatixha Mehmedoviq, e cila ka humbur bashkëshortin dhe dy djemtë në Srebrenicë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i përkujtoi sot pritjet e tyre.

"Ky është moment historik për viktimat, të cilat kanë pritur për 13 vjet që Karaxhiq të sillet para drejtësisë", tha Ban Ki-moon.

Shtëpia e Bardhë ndërkohë e cilësoi arrestimin "demonstrim i rëndësishëm i vendosmërisë së Qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi".

Arrestimi u bë në prag të takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe ai u cilësua hap i rëndësishëm në aspiratat e Serbisë drejt integrimit.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana, e cilësoi arrestimin edhe "ditë të mirë për drejtësinë në Ballkan".

"Mendoj se operacioni është kryer mirë nga autoritetet e Serbisë. Përkujtoni që zgjedhjet atje janë zhvilluar para pak kohësh dhe unë mendoj se ata provuan vullnetin që të bashkëpunojnë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare. Këtë unë e mirëpres shumë", tha Solana.

Komisionari për Zgjerim, Olli Rehn, tha se arrestimi është gur themeltar në bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës.

"Arrestimi i Radovan Karaxhiqit në të vërtetë është moment historik për drejtësinë ndërkombëtare dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor", tha Rehn.

Ndërkaq, sipas shefit të diplomacisë britanike, David Miliband: "Ky është hap shumë i rëndësishëm, të cilin si bashkësi ndërkombëtare e kemi kërkuar për kohë të gjatë".

Edhe Franca, si kryesuese e radhës e BE-së, mirëpriti arrestimin.

"Mendoj se ky është lajm i mirë, për të cilin kemi pritur që 13 vjet", tha ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner.

Në Bruksel, ku u takuan ministrat e Jashtëm të Unionit, qëndroi sot edhe shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, i cili theksoi përkushtimin e Beogradit për të drejtën ndërkombëtare.

"Ne jemi shumë seriozë rreth të ardhmes sonë në Evropë dhe këtë e kemi dëshmuar dje",
tha Jeremiq.

Në anën tjetër, Moska, përmes Ministrisë së Jashtme, tha se arrestimi është çështje e brendshme e Serbisë, e cila po përmbush obligimet ndaj Tribunalit të Hagës.

Sidoqoftë, disa informacione rreth arrestimit janë kundërthënëse. Avokati i Karaxhiqit, Svetozar Vujaçiq, tha se ai është arrestuar që të premten.

"Ai është arrestuar të premten, rreth orës 21.30, në një autobus nga Batajnica në Beogradin e ri. Sipas ligjit, ai duhet të dilte para gjykatësit hetues dhe ende nuk është e qartë se kush e ka arrestuar atë dhe pse është mbajtur për tri ditë", tha Vujaçiq, duke kundërshtuar kështu informacionin e kabinetit të presidentit.

Ndërkohë, ministri serb, përgjegjës për bashkëpunim me Hagën, Rasim Lajiq, sot dha vetëm disa detaje rreth arrestimit.

"Karaxhiqi ka përdorur identitet të rrejshëm dhe dokumente me emrin Dragan Dabiq. Ai nuk ka qenë shtetas i Serbisë dhe ka qenë shumë bindës në fshehjen e identitetit", tha Lajiq.

Sipas zyrtarëve, 63 vjeçari Karaxhiq ka punuar në një ordinancë private në Beograd, ku është marrë me mjekësi alternative. Në fotografinë e publikuar nga zyrtarët, ai duket me mjekër të gjatë dhe plotësisht i thinjur. Mediat serbe sjellin edhe informacione, sipas të cilave, Dabiq në disa raste ka mbajtur edhe ligjërata në publik.

Karaxhiq është akuzuar dy herë për gjenocid: për rrethimin 43-muajsh të Sarajevës që mori jetën e 12.000 personave dhe për masakrën e Srebrenicës.

Ndërmjetësi amerikan për Ballkanin gjatë viteve të '90-a, Richard Holbrooke, duke komentuar arrestimin, e cilësoi Karaxhiqin si Osama bin Laden të Evropës.

Ndërkohë, në liri ende mbetet ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës dhe aleati i ngushtë i Karaxhiqit, Ratko Mlladiq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG