Ndërlidhjet

Zannier nesër në Beograd


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, do të udhëtojë nesër në Beograd, në të cilën vizitë pritet të diskutohen bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, të parapara në kuadër të rikonfigurimit të UNMIK-ut.



Pas marrjes së ftesës nga ministri i Jashtëm serb, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka vendosur që nesër ta vizitojë Beogradin, për të filluar bisedimet mbi praninë ndërkombëtare civile në Kosovë.

“Është më shumë një takim njohës i shefit të UNMIK-ut me zyrtarët e Qeverisë së Beogradit. Në të njëjtën kohë, zoti Zannier pret që të fillojë dialogun në çështjet që Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon, i ka theksuar në letrën e tij drejtuar presidentëve Tadiq dhe Sejdiu”,
thotë Rusell Geekie, zëdhënës i UNMIK-ut.

Në planin për rikonfigurim të UNMIK-ut të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, parashihet që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet që lidhen me fushën e policisë, drejtësisë, doganave, trashëgimisë fetare dhe transportit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha Radios Evropa e Lirë se me Serbinë mund të bisedohet vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane. Kuçi nuk pret që të dalë diçka produktive nga vizita e Zannierit në Serbi, e cila bëhet me ftesë të Beogradit zyrtar.

“Mendoj se është një ide nga e cila nuk duhet pritur shumë, meqë ka pasur deri tash nga Serbia sinjale të tilla, që janë më shumë”.

“Por, sido që të jetë, për statusin final të Kosovës dhe për çështje politike nuk ka asnjë bisedim, ato kanë përfunduar, ndërsa si dy shtete të pavarura sovrane edhe mund të bisedojmë për interes të integrimit rajonal, por gjithmonë duke pasur parasysh që për Kosovën të flasin përfaqësuesit e Kosovës, ndërsa të tjerët të jenë në rolin ndihmës”, u shpreh Kuçi.

Ndryshe, ende pa nisur bisedimet, Zannier ka premtuar se nuk do të arrijë asnjë marrëveshje me Beogradin pa pasur paraprakisht miratimin e autoriteteve kosovare.

“Shefi i UNMIK-ut ka pasur një takim shumë produktiv me Sejdiun, javën e kaluar, dhe ata kanë diskutuar për pritjet nga vizita e zotit Zannier në Beograd. Dhe, thënë thjesht, ai do të informojë presidentin për çfarëdo agjende dhe po ashtu do të njoftojë presidentin rreth asaj se çka u diskutua”, tha Geekie.

Sipas zëdhënësit Geekie, ndër çështjet prioritare që Zannier do të shtrojë për diskutim, do jetë kthimi i funksionit të gjykatave në veriun e Kosovës, pjesë kjo që vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele, të financuara nga Qeveria serbe.

Hajredin Kuçi thekson se nuk do të lejohen bisedime që prekin organizimin e brendshëm të Kosovës.

Asnjë diskutim që ka të bëjë me organizimin e brendshëm të Kosovës, që e prek sovranitetin dhe tërësinë territoriale dhe dinjitetin e shtetit të Kosovës, nuk mund të bëhet. Mund të bëhet vetëm nëse flitet për integrim rajonal apo respektim të minoriteteve, por në çdo raport tjetër primatin e ka Kosova dhe institucionet e saj”, tha Kuçi

Ndryshe, Kuçi nuk pret që Qeveria e re në Beograd të ndryshojë qasjen karshi Kosovës. Megjithatë, ai i bën thirrje Beogradit zyrtar që të mos e cenojë tërësinë territoriale të Kosovës dhe të mos vazhdojë financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG